Në ambientet e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Zvicër, më 14 mars u organizua një pritje festive me rastin e Ditës së Verës, një nga festat më të dashura të traditës shqiptare. Aktiviteti u zhvillua në bashkëpunim me shoqatën Swiss Albania Event, të drejtuar nga znj. Aina Hoti, dhe mblodhi së bashku shumë anëtarë të komunitetit shqiptar që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër. Siç mëson helveticALForum.ch, në këtë aktivitet morën pjesë bashkatdhetarë nga fusha të ndryshme të jetës shoqërore dhe profesionale, përfshirë inxhinierë, afaristë, artistë dhe studentë. Të pranishmit kontribuan në krijimin e një atmosfere të ngrohtë dhe festive duke sjellë gatime dhe pije tradicionale shqiptare, duke e bërë këtë festë edhe më kuptimplotë për komunitetin.

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Zvicër falënderoi përzemërsisht të gjithë pjesëmarrësit për praninë dhe kontributin e tyre në ruajtjen dhe promovimin e traditave shqiptare në diasporë.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Ambasadori Ermal Dredha ndau gjithashtu informacion mbi organizimin e Samitit të IV të Diasporës Shqiptare, i cili do të zhvillohet në Tiranë më 14–15 prill 2026. Ai theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së komunitetit shqiptar në Zvicër në këtë takim të rëndësishëm për diasporën.

Në këtë aktivitet ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Zvicër, z. Rexhep Demiri.

Kjo festë tregoi edhe një herë se traditat shqiptare mbeten një urë e fortë lidhëse për komunitetin tonë, duke i mbajtur shqiptarët pranë njëri-tjetrit edhe larg atdheut, transmeton helveticALForum.ch




