Nga Dashnim HEBIBI
Në një takim të rëndësishëm të zhvilluar sot në Konsullatën e Kosovës në Cyrih, Ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Shkëlqesia e Tij z. Rexhep Demiri, dhe Sekretari i Parë i Ambasadës së Shqipërisë në Bernë, z. Valon Gashi, u pritën në një takim vëllazëror në Konsullatën e Kosovës në Cyrih nga Shefi i Misionit Konsullor, z. Vigan Berisha. Ky takim shënon një moment domethënës në bashkëpunimin mes tre shteteve – Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut – duke treguar se lidhjet e tyre diplomatike po forcohen edhe përtej kufijve shtetërorë.
Për shqiptarët në diasporë, veçanërisht në Zvicër ku jeton një numër i madh i tyre, një bashkëpunim i tillë nuk është vetëm simbolik, por edhe praktik. Mërgimtarët ka luajtur një rol kyç në zhvillimin ekonomik dhe kulturor të vendeve të origjinës, dhe mbështetja e institucioneve shtetërore për të ruajtur këtë lidhje është jetike. Siç u theksua nga z. Berisha, diplomatët e pranishëm janë shembull i një përkushtimi të jashtëzakonshëm, duke punuar edhe përtej orarit zyrtar për të siguruar që mërgata shqiptare të jetë gjithmonë e përfshirë në proceset e zhvillimit të vendeve të tyre.
Ky angazhim është i rëndësishëm, veçanërisht në një kohë kur brezat e rinj në mërgim mund të ndihen më të shkëputur nga rrënjët e tyre. Nxitja e investimeve në trojet shqiptare, krijimi i mundësive për rikthimin e mërgatës dhe mbështetja për projekte kulturore e ekonomike janë hapa të domosdoshëm për të siguruar që lidhja mes shqiptarëve të mos zbehet me kalimin e kohës.
Takime të tilla diplomatike tregojnë se bashkëpunimi mes Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut nuk mbetet vetëm në nivel protokollar, por përkthehet në veprime konkrete që përfitojnë drejtpërdrejt qytetarët. Mërgata shqiptare në Zvicër dhe më gjerë, duke parë këtë angazhim të institucioneve, ndihet më e përfaqësuar dhe më e motivuar për të kontribuar në zhvillimin e vendeve të origjinës.
Shembulli i këtyre diplomatëve është për t’u marrë si model dhe dëshmon ata janë të koordinuar dhe angazhuar me seriozitet për të sjellë rezultate të prekshme për komunitetin kudo që ndodhet. Ky është një mesazh i fortë se mërgata nuk është harruar dhe se lidhja me atdheun mbetet një prioritet për përfaqësuesit tanë në arenën ndërkombëtare. / SAM24.info




