-0.3 C
Zurich
Sunday, January 18, 2026
spot_img
spot_img

Demokracia zvicerane, model frymëzimi

Duhet ti lexosh

Nga Dashnim Hebibi

Mërgata shqiptare në Zvicër prej vitesh përbën një pasuri të çmuar për kombin tonë, jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe në atë shoqëror, kulturor dhe institucional. Përveç mbështetjes së pandërprerë që kanë dhënë për familjet dhe komunitetet në atdhe, shumë mërgimtarë po përpiqen të sjellin edhe ide moderne për funksionimin e shtetit dhe përmirësimin e jetës publike.

Një prej shembujve më të vlerësuar është praktika e demokracisë direkte në Zvicër, ku qytetarët marrin pjesë rregullisht në vendimmarrje përmes referendumeve dhe votimeve me postë. Pikërisht këtë shembull e përmend edhe z. Rafet Ademi, një pensionist shqiptar që prej shumë vitesh jeton në Zvicër, i cili thekson se modeli zviceran mund të shërbejë si inspirim për vendet tona shqiptare.

Sipas z. Ademit, Zvicra ka krijuar një sistem të jashtëzakonshëm pjesëmarrjeje qytetare, ku çdo individ ka mundësi të ndikojë drejtpërdrejt në politikat publike përmes votës.

“Ne që jetojmë këtu, shpesh marrim në postë formularë për të votuar në referendume apo projekte të rëndësishme. Është një proces i thjeshtë, i qartë dhe pa asnjë kosto për qytetarin. Ky është shembulli më i mirë i demokracisë funksionale, ku populli është sovran në vendimmarrje”, shprehet ai.

Ai shton se shumë mërgimtarë shqiptarë që kanë fituar edhe shtetësinë zvicerane janë pjesë aktive e këtij sistemi dhe se përmes tij kanë mësuar rëndësinë e pjesëmarrjes dhe përgjegjësisë qytetare.

“Zvicra është e jashtëzakonshme. Është e vështirë të krahasohet me vendet tona, sepse këtu është arritur një nivel i lartë vetëdijeje dhe organizimi. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se ne nuk mund të punojmë drejt këtij modeli edhe në atdhe. Duhet kohë, por me përkushtim dhe bashkëpunim, gjithçka është e mundur”, thekson z. Ademi.

Ai kujton se mërgimtarët shqiptarë nuk kanë kontribuar vetëm për familjet e tyre, por shpesh edhe për njerëz në nevojë, duke treguar solidaritet dhe humanitet të rrallë.

“Jemi me fat që kemi pasur mundësinë të jetojmë dhe të punojmë në Zvicër, një vend që na ka ofruar siguri, mirëqenie dhe mundësi zhvillimi. Tani dëshirojmë që të njëjtat vlera t’i përcjellim edhe në vendlindjen tonë”, shton ai.

Në fund, z. Ademi shpreh bindjen se gjeneratat e reja të mërgatës shqiptare do të luajnë një rol edhe më të rëndësishëm në këtë drejtim.

“Ne kemi vuajtur shumë gjatë historisë, por kjo nuk duhet të na ndalojë. Përkundrazi, duhet të na motivojë të ndërtojmë më të mirën për të ardhmen e kombit tonë. Shembulli zviceran na tregon se me punë, përkushtim dhe ndershmëri, çdo gjë mund të arrihet.”
(Foto: D.H.)

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme