Nga Dashnim HEBIBI
Delegacioni i Xhamisë së njohur “Drita” në Emmenbrücke të Zvicrës ka qëndruar për disa ditë në Shqipëri, në një vizitë pune dhe shëtitjeje, e cila u zhvillua nga data 05 deri më 09 dhjetor 2025. Gjatë këtyre ditëve, përfaqësuesit e komunitetit shqiptar që jeton e vepron në Zvicër janë pritur nga institucione dhe personalitete të ndryshme të vendit, duke krijuar momente të veçanta bashkëpunimi dhe emocione të forta për pjesëtarët e delegacionit.

Sot, grupi përmbylli agjendën e tyre me një vizitë zyrtare në institucionet më të larta të shtetit shqiptar. Delegacioni u prit në Parlamentin e Shqipërisë nga Sekretaria e këtij institucioni, e cila i informoi në detaje mbi funksionimin, historikun dhe rëndësinë e Kuvendit në jetën politike dhe shoqërore të vendit. Vizita u shoqërua me një prezantim profesional, ndërsa mysafirët patën mundësinë të shihnin nga afër ambientet e brendshme të Parlamentit dhe të njiheshin me proceset e punës që zhvillohen aty çdo ditë.
Pjesëtarët e delegacionit të Xhamisë “Drita” me kryetarin Fadil Asani kanë shprehur emocionet e tyre të veçanta gjatë kësaj pritjeje, duke e cilësuar atë si një moment të paharrueshëm në jetën e tyre dhe në historinë e veprimtarisë së komunitetit që ata përfaqësojnë. Mes tyre kishte shqiptarë nga treva të ndryshme të atdheut, të cilët prej vitesh kontribuojnë në Zvicër jo vetëm në aspektin fetar, por edhe atë shoqëror e humanitar.

Pas vizitës në Parlament, grupi vazhdoi itinerarin e tyre me ndalesa pranë godinës së Qeverisë së Shqipërisë si dhe pranë institucionit të Presidentit të Republikës. Edhe këto vizita u pritën me interes të madh, duke përforcuar kuptimin e strukturave shtetërore dhe lidhjet që diaspora shqiptare ruan me atdheun.

Delegacioni ka zhvilluar gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri edhe takime të tjera me përfaqësues vendorë, institucione fetare dhe organizata të ndryshme, gjithçka me qëllim forcimin e bashkëpunimit, shkëmbimin e përvojave dhe nxitjen e projekteve humanitare.
Me përfundimin e vizitës së tyre pesëditore, anëtarët e Xhamisë “Drita” janë tashmë në rrugë për t’u kthyer në Zvicër, duke marrë me vete përvoja të reja, emocione të forta dhe një ndjenjë të thellë lidhjeje me Atdheun.

Ky vizitim shihet si një hap i rëndësishëm drejt krijimit të urave të reja midis institucioneve shqiptare dhe komunitetit të fuqishëm shqiptar në Zvicër, i cili është vazhdimisht aktiv në projekte vullnetare, kulturore e arsimore.
Në të ardhmen pritet që bashkëpunime të tilla të vijojnë, duke sjellë rezultate konkrete dhe duke forcuar edhe më shumë marrëdhëniet mes diasporës dhe institucioneve të Shqipërisë.




