3.7 C
Zurich
Friday, November 28, 2025
spot_img
spot_img

Dega e Federatës Vatra në Miçigan kremtoi tok me Teqenë e Baba Rexhepit ditën e shenjtë të 28 Nëntorit

Duhet ti lexosh

Një mbrëmje e Flamurit, Besës dhe Dritës Shqiptare.

Në mbrëmjen e 23 nëntorit, kur drita e Teqesë së Baba Rexhepit në Miçigan lartohej si një qiri i ndezur për kombin, shqiptarët u mblodhën nën hijen e flamurit kuq e zi, për të nderuar ditën më të bukur të historisë sonë — 28 Nëntorin, Ditën e Pavarësisë, Ditën e Shpirtit Shqiptar. Aty, ku besa takon dritën shpirtërore, ku tradita takon kujtesën, u mblodhën veprimtarë, besimtarë, familje e fëmijë, nga të gjitha trojet shqiptare duke sjellë me vete aromën e dheut amtar, rininë e shpirtit shqiptar dhe mallin e pashtershëm për Atdheun.

Salla, e purpurt nga ngjyrat e flamurit, dukej sikur rrihte në të njëjtin ritëm me zemrat e të pranishmëve. Çdo simbol kombëtar, çdo varg kënge, çdo hap valleje ishte një përkulje para historisë sonë të shenjtë. Mbrëmja u moderua me profesionalizëm nga Ervin Tota.

Bekimi i unitetit dhe kujtesa e shenjtë

Në fjalën e hapjes, Baba Eliton Pashaj, me zërin e tij si një uratë e butë mbi këtë mbrëmje solemne, theksoi se 28 Nëntori është drita që na bashkon, dita kur shqiponja nuk vdes kurrë, dita që na kujton se ne jemi bij të një toke të bekuar dhe një gjuhe hyjnore. Falënderoj zotin që na bëri shqiptarë , theksoi ai

Ai bekoi tryezën dhe bashkimin e shqiptarëve, duke ritheksuar se kjo ditë është një amanet brezash — një thirrje e shenjtë për të mos harruar se kush jemi.

Mbrëmja vijoi me himnet e dy kombeve – amerikan dhe shqiptar – kënduar me solemnitet të thellë.

Vallet e vajzave të Qendrës Ballkanike u ndezën si flakadan i traditës, ndërsa zëri i Përparim Mefajës mbushi sallën me tingujt e mallëngjyeshëm të këngës shqiptare.

Pjesëmarrja e drejtuesve fetarë dhe komunitarë përforcoi mesazhin e bashkimit kombëtar. Imam Shuaip Gërguri i Qendrës i Qendrës Islamike solli fjalë të ndritura mbi rolin e kësaj dite në ruajtjen e identitetit, duke falënderuar Zotin që na dhuroi bekimin e të qenit shqiptarë.

Përfaqsuesit e Degës së Vatrës kryesoheshin nga kryetari i Degëve Mondi Rakaj dhe , kol . Dritan Demiraj nga më shumë se 150 anëtarë të cilët së bashku me anëtarët e Teqesë formuan një unison patriotik.

Ndërkohë, përfaqësuesit e Kongresit të Miçiganit dhe guvernatorja Gretchen Whitmer nderuan Teqenë e Baba Rexhepit me një Proklamatë të veçantë, një akt mirënjohjeje për punën e saj patriotike dhe misionin e pandërprerë në shërbim të komunitetit, që e paraqiti z Phil Peters.

Amaneti i flamurit dhe zëri i përjetësisë shqiptare

Fjalimi emocional i Rafael Floqit, në emër të Federatës “Vatra”, dhe televizionit ALBTVUSA u ngrit si një himn i ri mbi muret e sallës. Fjalët e tij nuk ishin thjesht fjalë — ishin gjëmime emocionale zemre, ishin flatra shqiponje. “28 Nëntori,” tha ai, “është rrezja hyjnore që prek çdo zemër shqiptari kudo në botë. Nuk është datë kalendari, por rilindja e kombit tonë, ringritja e dinjitetit, thirrja e gjakut tonë të përbashkët.”

Ai foli për Vlorën e 1912-s, për burrat që ngritën flamurin mbi erërat e kohës, për sakrificat e brezave që derdhën gjak që ne të jetonim të lirë. Zëri i tij u thellua kur tha: “Shqiptari është i pandarë: nga Preveza në Shkodër, nga Ulqini në Prishtinë, nga Tetova në Çamëri.

Kombi ynë është një, dhe flamuri ynë është drita që na mëson se liria e shqiptarëve është e shtrenjtë, por e shenjtë.” Ai kujtoi martirët e Kosovës, sakrificat e diasporës, rolin e Vatrës ndër shekuj, dhe vlerwsoi Presidentin Wilson që e konsolidoi pavarësinë dhe mbylli fjalën me një thirrje që ngriti duartrokitjet e të gjithëve: “Endrra e një Shqipërie të bashkuar shpirtërisht vazhdon të rrahë.

Ne jemi rojet e kësaj ëndrre. E ardhmja e kombit shqiptar është e lavdishme — sepse rrënjët tona janë të shenjta, dhe ne i mbajmë në zemër.”

Teksa këngët patriotike e popullore shoqëruan orët e fundit të mbrëmjes, një ndjenjë e shenjtë qarkullonte mes të pranishmëve: 28 Nëntori nuk është vetëm një festë — është një betim.

Një betim se do të ruajmë gjuhën, flamurin, traditën, identitetin dhe unitetin tonë për aq sa të rrahë zemra shqiptare edhe këtu në diasporë.

Dhe kështu, nën dritën e flamurit kuq e zi, u mbyll një mbrëmje që la gjurmë, njё mbrëmje e dritës, e dashurisë kombëtare, e krenarisë dhe besës shqiptare. Një përkujtim i denjë për ditën që na bashkon të gjithëve, transmeton Gdielli.

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Artikujt e fundit