
Nga Prof.Dr. Xhavit LIPAJ, Andermatt
Nuk ishte datë.
Ishte një prerje
në indin e kohës.
Ora ishte 07:10,
një mëngjes
që nuk u zgjua.
Një trokitje
që nuk kërkonte hyrje,
se dera
ishte tashmë brenda.
Fjala u nda nga kuptimi.
Zëri nga burimi.
Dhe një figurë, u vendos në vendin e gabimit
pa gabuar.
Gjërat ndodhën
pa ndodhur.
Lëvizja u bë qëndrim.
Qëndrimi u bë mungesë.
Muret mësuan emrin e tij
para se ai ta dinte vetë.
Koha u rrotullua pa drejtim,
dhe nata u shumëfishua pa numër.
07:10
mbeti pezull
si frymë e ndërprerë,
një minutë, që nuk kaloi kurrë.
Asgjë nuk u tha.
Asgjë nuk u mohua.
Vetëm një peshë qëndroi
mbi atë që nuk kishte formë.
Diku,
diçka që quhej lidhje
u shndërrua në zë,
dhe zëri, harroi gjakun.
Pastaj,
pa shenjë, pa kthesë,
prania u lejua të dalë
nga mungesa.
Por kthimi, nuk ishte kthim.
Ishte vetëm një trup, që mbante ende
brenda, një datë dhe një orë
që nuk ekzistojnë, por veprojnë.
Data 14. Ora 07:10.
Nyje, në heshtje.
Dhe ai, nuk i zgjidh.
I mban.
Se nuk është faji, ajo që mbetet,
por durimi i së vërtetës,
ai durim i heshtur, që mban peshën e gënjeshtrës, pa u thyer.
Ai doli krejtë …,
jo me zë, jo me festë,
por me një qetësi,
që vetëm e vërteta e di.
Gënjeshtra ishte aq e rëndë,
sa toka nuk mjaftoi.
Qielli u përkul, bardhësia doli nga errësira,
dhe lotët ranë, jo për dhimbjen,
por për drejtësinë që kishte pritur.
Se kur njeriu del …,
nuk ka nevojë të mbrohet.
Ai vetëm qëndron.
Qielli qau,
se e vërteta kishte duruar mjaftë.
Vetëm kështu …
Dhjetor, 2025




