Nga Dashnim HEBIBI
Nijat Bajrami, veprimtar dhe afarist i njohur me prejardhje nga Ilirida, i cili vepron prej vitesh në Zvicër dhe udhëheq firmën Spitex Bajron AG në kantonin e Cyrihut, ka ndarë disa fjalë të thella mirënjohjeje për babain e tij – njeriun që e ka mbështetur pa kushte gjatë gjithë jetës.

Nijat Bajrami: Sa herë që e shikoj duke hequr akullin nga dritaret, më kujtohet gjithë jeta ime, gjithë ‘akulli’ që ai ka hequr nga rruga ime
Fjalët e tij janë frymëzim, sidomos për brezin e ri, që t’i kujtojnë se prindërit duhet nderuar e respektuar maksimalisht.

“Çdo mëngjes, para se të nisem për punë, ai është aty… pa zë, pa fjalë të mëdha, pa pritur asgjë në këmbim. E gjej gjithmonë makinën time të pastruar nga akulli, gati për udhëtim. Një detaj i vogël për dikë, por një botë e tërë për mua.
Ai nuk e bën për t’u dukur; ai e bën sepse kështu e ka zemrën – të pastër, të qetë, të përkushtuar.
Sa herë që e shikoj duke hequr akullin nga dritaret, më kujtohet gjithë jeta ime, gjithë ‘akulli’ që ai ka hequr nga rruga ime: sakrificat, mundi, puna e tij e palodhshme, çdo mëngjes, çdo ditë, çdo vit.

Ai është aty për mua, në heshtje, me vepra që flasin shumë më tepër se fjalët.
Babi, faleminderit që ma nis ditën me kujdesin tënd. Faleminderit që më ke mësuar se dashuria nuk matet me dhurata të mëdha, por me gjeste të vogla, të përditshme, që vijnë nga zemra.
Faleminderit për gjithçka që bën për mua – edhe për ato që ndonjëherë nuk i vërej, por zemra i di dhe i ndjen.
Ti je forca ime, mësimi im, mirësia ime e përditshme.
Krenar sot e përherë për ty, babi im.”
Në fund, mbetet një e vërtetë e madhe:
Ai që nuk i nderon prindërit, hiqju atij. /HelveticALforum.ch




