Përgatiti Dahest LUMA, Prishtinë
Puthja e dorës në traditën shqiptare: simbol respekti dhe mirënjohjeje, jo nënshtrimi
Në një bashkëbisedim për median zvicerane 20min.ch, studiuesi PhD Dashnim Hebibi ka theksuar se puthja e dorës së prindërve në kulturën shqiptare duhet kuptuar si shprehje e respektit të thellë dhe mirënjohjes familjare, e jo si akt nënshtrimi, siç interpretohet ndonjëherë jashtë kontekstit kulturor shqiptar. Sipas tij, vlerësimi i drejtë i këtij gjesti kërkon njohje të traditës, historisë dhe strukturës së familjes shqiptare, e cila ndër shekuj ka qenë shtylla kryesore e organizimit shoqëror.
Në të gjitha trojet ku jetojnë shqiptarët në Ballkan – dhe jo vetëm në Shqipëri – puthja e dorës ka qenë një shenjë e njohur respekti ndaj prindërve dhe të moshuarve. Ky gjest lidhet ngushtë me rolin qendror që familja ka pasur në jetën shoqërore shqiptare. Në periudha të gjata historike, kur institucionet shtetërore kanë qenë të brishta ose të huaja, familja ka përfaqësuar bërthamën e mbrojtjes, edukimit, trashëgimisë kulturore dhe identitetit kombëtar. Brenda kësaj strukture, respekti ndaj prindit ka qenë normë themelore morale.
Veçanërisht figura e nënës zë një vend të veçantë në kulturën shqiptare. Në folklor, në këngët popullore, në rrëfimet tradicionale dhe në letërsi, nëna shpesh paraqitet si simbol i sakrificës, dashurisë së pakushtëzuar dhe qëndresës morale. Puthja e dorës së saj shihet si një akt falënderimi për kujdesin vetmohues, përkushtimin dhe edukimin e dhënë. Ky veprim nuk është formalitet, por një shprehje emocionale që përcillet brez pas brezi si pjesë e edukimit familjar dhe e formimit kulturor të fëmijës.
Sipas Hebibit, interpretimi i këtij gjesti si nënshtrim përbën një keqkuptim kulturor. Në traditën shqiptare, puthja e dorës nuk lidhet me marrëdhënie vartësie apo me hierarki pushteti, por me respektin dhe dashurinë brenda familjes. Ajo përfaqëson një kod mirësjelljeje të formuar ndër shekuj, i cili thekson rëndësinë e lidhjeve të forta familjare dhe të nderimit ndaj moshës dhe përvojës. Përmes këtij veprimi simbolik, i riu apo e reja dëshmon jo vetëm respekt ndaj prindit, por edhe nivelin e edukimit dhe kulturës familjare nga e cila vjen.
Rrënjët e kësaj tradite shpesh lidhen me lashtësinë ilire, pasardhës të të cilëve konsiderohen shqiptarët e sotëm. Pavarësisht zhvillimeve historike dhe ndikimeve të ndryshme kulturore, ky gjest ka mbetur pjesë e vazhdimësisë së jetës familjare shqiptare. Është e rëndësishme të theksohet se origjina e puthjes së dorës në traditën shqiptare nuk ndërlidhet me ceremonitë mesjetare të oborreve evropiane, ku qytetarët e nënshtruar (“subjects”) puthnin dorën e përfaqësuesve të shtresave të larta fisnike si shenjë vartësie. Në kulturën shqiptare, ky veprim ka kuptim krejt tjetër: ai shpreh mirënjohje, afërsi dhe lidhje të fortë emocionale.
Kultura e respektit në shoqërinë shqiptare është shprehur tradicionalisht edhe në forma të tjera të komunikimit të përditshëm. Përdorimi i thirrjeve respektuese për personat më të moshuar – si “nënë”, “babë”, “axhë”, “teze” apo forma të tjera nderimi – edhe kur nuk ekziston lidhje gjaku, dëshmon për një koncept të zgjeruar të familjes brenda komunitetit. Një grua në moshë të mesme ose të tretë shpesh i drejtohet me fjalën “nënë” nga persona që mund të mos e kenë takuar më parë, si shenjë respekti dhe kulture.
Po ashtu, në kulturën shqiptare ka qenë tradicionalisht e zakonshme që një i panjohur të shprehë dashamirësi ndaj një fëmije, duke e përqafuar, puthur në faqe apo duke i dhuruar një ëmbëlsirë si shenjë dashurie njerëzore. Në shumë raste, një prind shqiptar nuk do të reagonte me habi ndaj një gjesti të tillë, pasi këto forma afërsie janë konsideruar pjesë e një kulture solidariteti dhe ngrohtësie shoqërore. Këto elemente kanë ndihmuar historikisht në ruajtjen e mirëbesimit dhe unitetit brenda komunitetit.
Ky kod mirësjelljeje është formuar ndër shekuj edhe si përgjigje ndaj sfidave historike që ka kaluar kombi shqiptar. Përballë pushtimeve dhe sundimeve të ndryshme, ruajtja e unitetit familjar dhe solidaritetit shoqëror ka qenë thelbësore për mbijetesën kulturore. Përmes respektit ndaj prindërve dhe të moshuarve është siguruar transmetimi i vlerave, normave dhe identitetit nga një brez në tjetrin.
Edhe pse shoqëritë moderne kanë ndryshuar mënyrat e shprehjes së respektit dhe globalizimi ka sjellë forma të reja komunikimi, puthja e dorës vazhdon të mbetet për shumë familje shqiptare një simbol i mirënjohjes dhe lidhjes së fortë emocionale ndërmjet brezave. Ajo nuk është detyrim, por zgjedhje që buron nga edukimi dhe ndjenja.
Siç thekson PhD Dashnim Hebibi, kuptimi i drejtë i këtyre traditave është thelbësor për të shmangur stereotipet dhe për të ndërtuar një dialog më të qartë ndërkulturor mbi vlerat dhe praktikat tradicionale të komuniteteve të ndryshme. Në këtë kontekst, puthja e dorës në traditën shqiptare duhet parë si një shprehje e thellë respekti, mirënjohjeje dhe dashurie familjare – një simbol i një kulture që e vendos familjen dhe solidaritetin në qendër të jetës shoqërore.
Vegëza:
https://www.20min.ch/story/erziehung-respekt-lernen-kinder-durch-vorbild-nicht-forderung-103503339




