
Nga Dashnim HEBIBI, Zürich
Edhe pse kanë kaluar disa ditë nga 17 janari e shtune, promovimi i tre librave dhe ndarja e çmimit “Ikona e Diasporës Shqiptare”, aktiviteti madhor kulturor i mbajtur në Lagenthal, Zvicër, nga Instituti Shkencor Helvetik i Evropës Juglindore, me qendër në Cyrih, vazhdon të jetojë fuqishëm në kujtesën e të gjithë pjesëmarrësve. Ky aktivitet nuk u perceptua thjesht si një promovim librash, por si një ngjarje e veçantë kombëtare, ku fjala e dhënë, sinqeriteti dhe shpirti shqiptar u bashkuan në një atmosferë të rrallë uniteti.
Në këtë manifestim kulturor morën pjesë mbi 300 bashkatdhetarë, të ardhur nga të gjitha trevat shqiptare: Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Lugina e Preshevës, si dhe nga diaspora shqiptare në Gjermani, Austri e deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të gjithë u mblodhën për të nderuar bashkautorët Dr. Sc. Dashnim Hebibi dhe Florim Useini, si dhe për të marrë pjesë në një ngjarje që u shndërrua në festë të kulturës dhe identitetit shqiptar.

Gjatë mbrëmjes u promovuan librat “Udhëtim drejt rrënjëve” dhe “Rexhep Demiri – Dritëhijet e një rrugëtimi diplomatik” (Shtëpia Botuese “Libri im”, Pejë, 2026), vepra që pasqyrojnë rrugëtimin identitar, historik dhe diplomatik të figurave dhe përvojave shqiptare në diasporë. Një moment i veçantë ishte ndarja për herë të parë e çmimit “Ikona e Diasporës Shqiptare”, një çmim i veçantë i krijuar dhe dhënë nga Instituti Shkencor Helvetik i Evropës Juglindore, me qendër në Cyrih, Zvicër, për të nderuar figurat më meritorë të diasporës shqiptare që ruajnë identitetin, kulturën dhe traditat kombëtare kudo që jetojnë. Në këtë rast, çmimi iu dorëzua ambasadorit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Zvicër, z. Rexhep Demiri, një vlerësim që u mbajt sekret deri në çastin e fundit, duke dëshmuar se ende ekzistojnë njerëz që e mbajnë fjalën dhe dinë të nderojnë me dinjitet.

Për surprizë të të gjithëve, personazhi i librit, ambasadori Rexhep Demiri, nuk kishte asnjë dijeni për ndarjen e çmimit. Organizatorët dhe të gjithë mysafirët ruajtën sekretin me përkushtim dhe respekt, duke e mbajtur fjalën deri në momentin e shpalljes. Kur u zbulua, emocioni ishte i madh – një dëshmi e përzemërt e bashkësisë shqiptare që di të nderojë, të ruajë fjalën dhe të shpërfaqë mirësinë e saj në veprime konkrete. Autorët e librave, Dr. Sc. Dashnim Hebibi dhe Florim Useini, u bënë shembull i gjallë se veprimtarët dhe atdhetarët duhet të nderohen sa janë gjallë fizikisht, për kontributin e tyre në ruajtjen e identitetit, kulturës dhe historisë kombëtare.”
Një moment tejet domethënës dhe emocional ishte pritja e ngrohtë që organizatorët dhe të gjithë të pranishmit i rezervuan z. Darling Ismail Vlora. Që në çastin e mbërritjes së tij në sallë, atmosfera mori një dimension tjetër: njerëzit u ngritën në këmbë për ta përshëndetur, për ta përqafuar dhe për t’u çmallur simbolikisht me babain e kombit, Ismail Qemal Ismail Vlorën, përmes pasardhësit të tij të drejtpërdrejtë, i cili edhe në pamje fizike i ngjan dukshëm stërgjyshit të vet. Ishte një ndjesi e rrallë, ku historia u bë e prekshme dhe emocioni u shndërrua në respekt të heshtur.

Kjo pritje aq e përzemërt bëri që koha të harrohej: ora zyrtare e fillimit të manifestimit kaloi pa u ndier, pasi të gjithë dëshironin të bashkëbisedonin me z. Vlora, të shkëmbenin mendime, kujtime dhe ndjesi për historinë, kombin dhe rolin e diasporës shqiptare sot. Në këtë takim të hapur e miqësor, z. Darling Ismail Vlora ishte i shoqëruar nga miku i tij, z. Arsim Mulliqaj, publicist i njohur, me të cilin ndau biseda të ngrohta e reflektime me pjesëmarrësit, duke e kthyer pritjen në një dialog të gjallë kulturor e intelektual.
Mesazhi i veçantë nga z. Darling Ismail Vlora deri te emaili i z. Hebibi për organizatorët dhe të pranishmit thekson emocione dhe mirënjohje të thellë për nderin që iu rezervua gjatë këtij manifestimi:
“I nderuar PhD. Dashnim Hebibi,
Edhe pse kanë kaluar disa ditë nga aktiviteti kulturor që ju, bashkë me z. Florim Useini, organizuat në Lagenthal (Zvicër), në mbrëmjen e 17 janarit, për prezantimin e dy librave: ‘Udhëtim drejt rrënjëve’ dhe ‘Rexhep Demiri / Dritëhijet e një rrugëtimi diplomatik’ (Shtëpia Botuese ‘Libri im’, Pejë, 2026) dhe, në të njëjtën kohë, ndarjen për herë të parë të çmimit ‘Ikona e Diasporës Shqiptare’, e ndjej të nevojshme t’ju shpreh mirënjohjen time për nderin që më rezervuat duke më ftuar në mesin tuaj dhe, njëkohësisht, duke më dhënë kënaqësinë që të isha unë personi që do t’i dorëzonte çmimin ‘Ikona e Diasporës Shqiptare’, ambasadorit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Zvicër, z. Rexhep Demiri.

Në mesin tuaj u ndjeva i rrethuar me ngrohtësi, ngrohtësi të pastër shqiptare. Shtrëngova duar e bisedova me shqiptarë, të mbledhur nga të gjitha trojet tona, brenda dhe jashtë kufijve tanë zyrtarë. Folëm shqip e shijuam bashkë këngë e valle shqiptare e, mbi të gjitha, tinguj Lahute. Diaspora shqiptare ka qenë gjithmonë një element tejet i rëndësishëm në mbarrëvajtjen e veprimtarive kombëtare shqiptare. Ajo ka qenë herë inisiatore, herë mbështetëse e herë vendimmarrëse, por gjithmonë prezente, në çdo ngjarje historike që ka shoqëruar historinë e kombit tonë.
Në mbrëmjen e 17 janarit ju të gjithë, organizatorë, përfaqësues të trupit diplomatik, të ftuar e të pranishëm, demostruat rolin që diaspora, ndoshta ndryshe nga më parë, vazhdon të luaj akoma për të ruajtur traditat tona, gjuhën dhe historinë, nën at’Flamur kuq e zi, flamurin e Skënderbeut, Ismail Qemalit, Adem Jasharit, e gjithë atyre grave e burrave që luftuan dhe dhanë jetën për at’Flamur, që na bashkon të gjithëve, kudo që jetojmë. Ju falenderoj thellë nga zemra, ju dhe të pranishmit, për emocionet që ndjeva falë jush dhe nderimin që më shfaqët gjatë mbrëmjes dhe jo vetëm.
Ju që nderoni qofshi përherë të nderuar.
Darling Vlora
Itali, 31 janar 2026
Ngjarja u pasqyrua gjerësisht edhe nga media të ndryshme, ndërsa për ditë me radhë rrjetet sociale, veçanërisht Facebook-u, u mbushën me përshtypje dhe vlerësime pozitive nga pjesëmarrësit, të cilët e cilësuan këtë mbrëmje si një shembull se si duhet të nderohen veprimtarët dhe personalitetet sa janë gjallë fizikisht.
Kjo mbrëmje në Zvicër mbetet një dëshmi se kultura, libri dhe respekti për figurat kombëtare janë ura më e fortë që bashkon shqiptarët, kudo që ata jetojnë.
Ky manifestim në Lagenthal nuk ishte thjesht një promovim librash, por një udhëtim i thellë në kulturën, historinë dhe shpirtin shqiptar. Prania e z. Darling Ismail Vlora u bë frymëzim për të gjithë, veçanërisht për brezin e ri, që ishte shumë i pranishëm dhe i angazhuar, duke ndjerë lidhjen e fuqishme me rrënjët e tyre. Flamurin kombëtar ia dorëzuan vetë z. Vlora nga ansambli “Trojet” me qendër në Winterthur, nën drejtimin e presidentit Zeqë Gashi, dhe ai e pranoi me emocione të thella, një moment simbolik që tregoi krenarinë, respektin dhe lidhjen e fortë me historinë e kombit.

Dy orë e gjysmë promovim kaluan me embëlsi miqësie, kulture dhe respekti, duke treguar se modestia, puna dhe përkushtimi i njerëzve punëtor janë ato që e bëjnë një ngjarje të paharrueshme.

Në fund, kjo mbrëmje la një mesazh të qartë: trashëgimia, kultura dhe identiteti shqiptar janë të gjallë dhe vazhdojnë të frymëzojnë çdo brez, duke bashkuar diasporën dhe atdheun nën flamurin kuq e zi dhe duke e bërë krenari për të gjithë shqiptarët kudo në botë. / HelveticALforum.ch
Foto nga Daut LUBOJA




