DARDANË – Festat e nëntorit këtë vit po pasurohen me një sërë aktivitetesh kulturore, ndër të cilat spikat promovimi i librit të ri të autorit dhe studiuesit të njohur, Dr. Bajram Kosumi. Më 26 nëntor 2025, në ora 12:00, në Shtëpinë e Kulturës “Isa Kastrati” në Dardanë, Klubi Letrar “Nositi” organizon promovimin e veprës “Enciklopedia Imagjinare – Postroman”, një libër që tashmë ka zgjuar interesim të madh tek studiuesit dhe lexuesit e letërsisë shqipe.
Kjo vepër, e vlerësuar për frymën e re dhe qasjen origjinale, po konsiderohet si një nga botimet më të veçanta të viteve të fundit. Gjatë pjesës së parë të ngjarjes, tre referues do të paraqesin vlerësimet e tyre profesionale mbi rëndësinë dhe risitë që sjell ky postroman, ndërsa pjesa e dytë do t’i kushtohet pyetjeve dhe bashkëbisedimit të hapur me autorin.
Klubi Letrar “Nositi”, i cili vazhdon të jetë një ndër promotorët kryesorë të kulturës në Dardanë, organizon këtë aktivitet në kuadër të festave të nëntorit dhe në bazë të mundësive që ka. Ndihmesa e vazhdueshme e Drejtorisë së Kulturës dhe e zyrës së kryetarit të komunës, z. Kadri Rahimaj, ka bërë të mundur mbajtjen e aktiviteteve kulturore që pasurojnë jetën artistike të qytetit.
Një rol të rëndësishëm në mbështetjen e këtij klubi e kanë edhe Kamer dhe Mustafë Borovci nga ndërmarrja “Vëllezërit Borovci”, të cilët me përkushtim dhe respekt po kontribuojnë në afirmimin e fjalës së shkruar artistike.
Dardana, në prag të festave të Nëntorit, po shndërrohet në qendër të aktiviteteve kulturore që u japin kuptim ditëve të festës dhe forcë identitetit tonë kulturor.
Klubi Letrar “Nositi” dhe kryetari i tij, Nexhat Rexha, ftojnë të gjithë adhuruesit e letërsisë dhe kulturës që të marrin pjesë në këtë ditë të veçantë.
“Ju mirëpresim në këtë ngjarje të shënuar!”, njofton helveticALforum.ch




