Sikur të mos mjaftonte rritja e çmimit edhe në produktet bazë, viti 2026-të nisi me një tjetër rritje, e që ka të bëjë me faturat e ujit, por pritet që Qeveria në ardhje të vendos kontroll dhe të bëjë një zgjidhje që do të lehtësonte jetën e qytetarëve.
Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, në një intervistë për eo ka deklaruar se viti 2026 do të jetë po aq, në mos më sfidues se viti paraprak, për shkak të inflacionit të lartë dhe varësisë së madhe nga importet.
“Duhet të kuptohet e vërteta që kaloi një vit maratonik me zgjedhje dhe përfundoi me 28 dhjetor dhe numërimi i votave ka përfunduar, është lajm i mirë. Besoj që qytetarët e Kosovës e kanë dhënë vendimin e vet dhe mendoj se nuk kemi arsye për të fajësuar askënd. Janë mbi 51 për qind të fituara te partia fituese dhe besoj që tani është koha që të shikojmë drejt së ardhmes. Në vitin 2026 kemi shumë probleme të bartura nga viti 2025 dhe viti 2026 do të jetë po aq sfidues, ndoshta edhe më sfidues sesa viti paraprak. Nga fakti që pas konstituimit të institucioneve Kosovën e presin sfida të shumta politike edhe integruese, mbi të gjitha është presion diplomatik sa i përket marrëveshjes me Serbinë dhe Asociacionin, në aspektin ekonomik me të vërtetë po hyhet në një vit ku inflacioni është bartur në janar, kemi një ngritje të çmimit të produkteve esenciale në mënyrë shumë të lartë, jemi në 5.4 për qind të inflacionit që është shkalla më e lartë e inflacionit jo vetëm në krahasim me vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe në Evropë”, ka deklaruar Gërxhaliu.
Sipas tij, inflacioni në Kosovë ka arritur në 5.4 për qind, nivel ky më i larti jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë, duke e zbehur efektin e rritjes ekonomike të paralajmëruar prej rreth 4 për qind. Këtu ai përmend dhe paralajëmrimin për rritjen e çmimit të rrymës në muajin mars.
“Sado që thuhet që Kosova do të ketë rritje ekonomike katër për qind, besoj që kjo shkallë e inflacionit e shkrin peshën e rritjes ekonomike, sepse nëse mendojmë të flasim për rritje ekonomike atëherë duhet të jetë dyfishi i inflacionit dhe këtë nuk mund ta arrijë Kosova me vite të tëra. Kemi rritje të çmimeve, të shërbimeve komunale, në mars pritet ngritja e çmimit të energjisë elektrike, të gjitha këto do të jenë sfida të cilat do ta godasin qytetarin e Kosovës dhe krejt kësaj i shtohet edhe fakti që krahasuar me vendet evropiane shumë produkte esenciale janë më të shtrenjta në Kosovë sesa atje. Prandaj duhet ta pranojmë këtë realitet dhe dua të besoj se kjo fitore politike do të jetë një motiv shtesë që bashkërisht të punohet më tepër për zhvillim ekonomik, dialog të avancuar publik-privat, të jemi të orientuar drejt së ardhmes dhe jo gjithmonë të humbim kohë duke kërkuar arsye për dështim. Ky është një realitet që nuk mund ta ndryshojmë, qytetari ka nevojë për zhvillim ekonomik, për shtyrje të proceseve integruese, për kthimin e shpresës së humbur se në Kosovë mund të jetohet dhe mbi të gjitha për përmirësimin e imazhit të saj në arenën ndërkombëtare. Sepse të jesh ndër vite nën sanksione nga BE-ja, të mos kesh raporte të mira politike dhe gjeostrategjike me SHBA-në, është diçka që ka lënë gjurmë, prandaj sfidat e 2026-s do të jenë në shumë dimensione”, theksoi ai.
Gërxhaliu theksoi se Kosova mbetet e varur nga importet, duke pritur që në vitin 2025 të shënojë rekord me rreth 7 miliardë euro importe.
“Kosova është e varur nga importet, çka është më shqetësuese nuk jemi të varur vetëm nga importi i energjisë elektrike, por edhe i produkteve të tjera. Fakti që në vitin 2025 do të arrihet rekord i importeve prej shtatë miliardë euro. Kosova dhe Shqipëria në vitin 2025 kanë importuar bashkërisht 16 miliardë euro, shtrohet pyetja se a nuk mund të bëjmë më tepër që të mbështetet prodhimi vendor dhe ato të hyra që hyjnë nga turizmi në Shqipëri mos të jenë të destinuara për të blerë mallra, dhe ato remitanca që vijnë në Kosovë të mos dalin të gatshme për t’u importuar mallra dhe shërbime. Prandaj duhet mirëqenie, duhet të përcillen trendët e inflacionit dhe standardi i jetës. Nuk duhet të kemi rritje qoftë të pagës minimale e asaj mesatare, Kosova meriton stabilitet”, shtoi ekonomisti.
Ndërkohë, qytetari shprehet i shqetësuar për përballimin e jetesës dhe kërkon nga niveli qendror ulje të çmimeve.
“Me krahasuar me muajt e kaluar shumë është shtrenjtuar, duhet me e përballuar gjithsesi jetesa është kështu, qeveria duhet me marrë masa edhe pak me i ulë çmimet, të gjitha çmimet. Ne jemi tre anëtarë, e kam bashkëshorten shumë të sëmurë, prej 2021 nuk ka asgjë, pesë vite me prit”, potencoi qytetari, transmeton BS.




