Termat tumor dhe kancer përdoren shpesh për gunga apo fryrje në trup, por shpesh ngatërrohen dhe keqpërdoren, si nga publiku ashtu edhe nga profesionistë të shëndetësisë. Ndonjëherë, mjekët përdorin fjalë si tumor, masë, lezion apo njollë, kur në të vërtetë nënkuptojnë kancer. Kjo krijon paqartësi, prandaj është e rëndësishme të kuptohet dallimi.
Çfarë është një tumor?
Sipas fjalorit Oxford, tumor do të thotë “çdo fryrje jonormale në ose mbi një pjesë të trupit”. Tumoret mund të shfaqen pothuajse kudo: në yndyrë, muskuj, kocka, nerva apo gjëndra.
Jo të gjithë tumoret janë kancer dhe jo të gjithë kancerët formojnë tumore. Tumoret ndahen në:
Beninj (jo kancer)
Malinj (kancer)
Disa tumore beninje janë të padëmshme dhe nuk kërkojnë trajtim, si lipomat (grumbullime yndyre nën lëkurë) ose hemangiomat (rritje e enëve të gjakut). Tumore të tjera beninje mund të shkaktojnë probleme për shkak të vendndodhjes së tyre, si fibroidet e mitrës apo adenomat e hipofizës. Edhe pse nuk janë kancer, ato ndonjëherë kërkojnë operacion.
Çfarë është kanceri?
Kanceri zhvillohet kur qelizat normale pësojnë ndryshime gjenetike që u lejojnë të rriten pa kontroll dhe të shmangin mekanizmat mbrojtës të trupit. Një tipar kryesor i kancerit është aftësia për të pushtuar indet përreth dhe për t’u përhapur në pjesë të tjera të trupit (metastaza).
Kancerët në organe solide, si gjiri, lëkura apo mushkëritë, shpesh formojnë masa dhe quhen tumore malinje. Por jo të gjithë kancerët formojnë masa; për shembull, leucemia zakonisht jo.
Si zbulohen dhe trajtohen?
Si tumoret ashtu edhe kancerët mund të shkaktojnë gunga ose simptoma, në varësi të vendndodhjes. Diagnostikimi bëhet me imazheri (eko, CT, MRI) dhe me analizë të indit nën mikroskop për të përcaktuar nëse është beninj apo malinj.
Trajtimi mund të jetë i ngjashëm (si kirurgjia), por kanceri shpesh kërkon trajtim më urgjent dhe kompleks, duke përfshirë operacion, radioterapi dhe/ose kimioterapi.
Pse është e rëndësishme gjuha e saktë?
Ngatërrimi i termave mund të çojë në keqkuptime dhe frikë të panevojshme. Fjala “kancer” mbart ende stigma, ndaj është thelbësore që mjekët të jenë të qartë.
Shkurt: Jo të gjithë tumoret janë kancer dhe jo të gjithë kancerët janë tumore. Termat nuk janë të njëjtë dhe duhet përdorur saktë. / The Conversation – Syri.net




