POSTIMET E FUNDIT

Çdo i gjashti në Zvicër në konflikt me fqinjët: zhurma në krye të listës

Një studim i fundit tregon se, ndonëse jeta në Zvicër konsiderohet përgjithësisht e qetë dhe e rregullt, konfliktet mes fqinjëve nuk mungojnë. Rreth 15% e të anketuarve deklarojnë se përballen shpesh ose shumë shpesh me mosmarrëveshje në lagjen e tyre, duke treguar se tensionet e vogla janë pjesë e përditshmërisë për një pjesë të konsiderueshme të popullsisë, transmeton 20min.ch. Shkaku kryesor i këtyre konflikteve është zhurma, e cila përbën plot 45% të rasteve të raportuara. Kjo përfshin muzikë me volum të lartë, zhurma nga aktivitetet e përditshme apo edhe punime në orare të papërshtatshme.

Pas zhurmës, problemet më të zakonshme lidhen me përdorimin e përbashkët të hapësirave si lavanderitë (18%), pirjen e duhanit që shqetëson fqinjët (17%), si dhe papastërtinë dhe mbeturinat në ambientet e përbashkëta (16%). Tema më pak problematike rezultojnë të jenë çështje si kopshtaria apo organizimi i barbeque-ve.Studimi nxjerr në pah edhe dallime interesante rajonale.

Në të gjithë vendin zhurma mbetet problemi kryesor, por në Zvicrën frankofone njerëzit shqetësohen më shumë për papastërtinë sesa për përdorimin e lavanderisë. Në zonat rurale, kafshët shtëpiake janë një burim më i madh konfliktesh (13%) krahasuar me qytetet (9%), ku ky problem është më pak i theksuar. Gjithashtu, të dhënat tregojnë dallime sipas gjinisë dhe moshës. Gratë raportojnë më shpesh se ndihen të shqetësuara nga fqinjët (20%) krahasuar me burrat (11%).

Një trend i ngjashëm vërehet edhe tek grupmoshat: personat më të rinj (18–44 vjeç) raportojnë më shumë shqetësime sesa të moshuarit. Kur bëhet fjalë për zgjidhjen e konflikteve, shumica e njerëzve në Zvicër preferojnë komunikimin e drejtpërdrejtë. Rreth 72% zgjedhin të flasin personalisht me fqinjët për të zgjidhur problemin. Vetëm 17% përdorin komunikim me shkrim, ndërsa 14% përfshijnë palë të treta si administratori i ndërtesës. Përshkallëzimi në masa ligjore është relativisht i rrallë, me vetëm 9% të rasteve që përfundojnë në ankesa zyrtare apo procedura ligjore.

Megjithatë, grupmosha 45–49 vjeç duket se i drejtohet më shpesh rrugëve ligjore krahasuar me grupet e tjera. Interesant është fakti se konfliktet nuk ndodhin vetëm me fqinjët, por edhe brenda vetë familjes. Rreth 30% e të anketuarve pranojnë se përjetojnë shpesh përplasje në shtëpi. Shkaku kryesor është rrëmuja dhe mungesa e rregullit (47%), e ndjekur nga mosrespektimi i marrëveshjeve (26%), zhurma (23%) dhe sjellje të tjera të papërgjegjshme (22%).

Probleme më të rralla janë zënia e gjatë e hapësirave të përbashkëta apo marrja e ushqimit pa leje nga frigoriferi.Në përgjithësi, studimi tregon se, megjithëse konfliktet janë të pranishme, kultura e komunikimit dhe zgjidhjes paqësore në Zvicër mbetet e fortë. Kjo ndihmon që shumica e mosmarrëveshjeve të mos përshkallëzohen dhe të ruhen marrëdhënie relativisht të mira mes fqinjëve, transmeton 20min.ch, përcjell helveticALForum.ch

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB