Nga Laura Konda
Brenga, historia e vërtetë e Tonin Mirakajt
“Brenga” është romani i ri i autorit Pashko R. Camaj. Më parë ai ka shkruar romanin autobiografik “Porosia e kullës”. Këtë herë Camaj e ka bazuar historinë e tij te rrëfimi i Tonin Mirakajt, aktivist i njohur i organizatës “Vatra”, disa herë Kryetar i Këshillit të Kishës Katolike “Our Lady of Shkodra”, një njeri i respektuar në komunitetin shqiptaro-amerikan të New Yorkut. Tonin Mirakaj u arratis nga fshati Iballë i Pukës së bashku me familjen dhe me dy bashkëfshatarë të tjerë me familjet e tyre në vitin 1956. Ai ishte vetëm 22 vjeç, djali i madh i familjes, nëna i kishte vdekur, me vete kishte babain, vëllain dhe tre motra. Fillimisht, grupi i 17 të arratisurve, mbërrin në ish-Jugosllavi, ku trajtohen me një armiqësi të hapur nga UDB-ja dhe agjentë të saj në kampin e refugjatëve, por për fatin e tyre të mirë, nuk ia dorëzojnë forcave kufitare që ishin vënë në kërkim të tyre. Në se do t’i dorëzonin, në atdhe i priste burgu e ndoshta edhe vdekja. Pas disa vitesh me keqtrajtime në kampet e ish-Jugosllavisë, ata i transferuan për disa muaj në kampin e refugjatëve pranë Triestes në Itali, ku për herë të parë u trajtuan si njerëz e më pas i lejuan të realizonin ëndërrën e tyre amerikane, duke u vendosur më në fund në vitin 1961, në New York.
Pashko R. Camaj e mori shkëndijën për të shkruar këtë vepër nga një takim që pati me Tonin Mirakajn, i cili i sugjeroi të shkruante historinë e tij, që lidhet ngushtë edhe me një brengë që ai ka ruajtur thellë në kraharor për shumë vite me radhë. Tonini e kishte vuajtur për shumë vite faktin që shoku i tij fëmijërisë, Marku, pas arratisjes së tij, ka kaluar një kalvar persekutimesh çnjerëzore në burgun e Burrelit e më pas në kampin e punës në Spaç për gati 30 vjet, vetëm ngaqë një natë para arratisjes së Toninit i kanë parë duke biseduar bashkë. Një ndëshkim me vuajtje të përmasave biblike, vetëm nga shkaku i arratisjes së shokut. “Unë zgjodha lirinë, por liria ime u bë shkak për dënimin e tij”. Kjo është brenga e Toninit. Dhe Pashko R. Camaj ia plotësoi lutjen Tonin Mirakajt, duke shkruar “Brengën”.
Brenga, si një skenar dokumentari i Malësisë së viteve 1950
Më tepër se sa një roman do të thoja se “Brenga” i ngjan një skenari filmi, që shpalos skena tragjikepër syrin e lexuesit. Historia fillon me një miniskenë: në një fshat mes malesh me pamje piktoreske, dy shokë të ngushtë prej vitesh, kanë një miqësi të bukur, aq sa bashkëfshatarët i thërresin “binjakët”, apo “dy trupa një shpirt”, siç thotë Tonini. Ata takohen rregullisht dhe bisedojnë nën një gështenjë, një dru i lashtë që simbolizon lidhjen e tyre të ngushtë me dheun ku kanë lindur e ku kanë jetuar ndër breza paraardhësit e tyre. Jemi në dhjetëvjeçarin e parë pas çlirimit të Shqipërisë nga pushtimi Italian dhe ardhjes në fuqi të komunistëve.
Në Malësi ky pushtet nuk pati gëzuar ndonjëherë simpati. Prona private, e trashëguar brez pas brezi e që i siguronte jetesën malësorëve punëtorë të palodhur, u shtetëzua, duke i lënë ata në një varfëri të skajshme; aleanca e komunistëve shqiptarë me ata sllavë nuk u pa asnjëherë me sy të mirë nga malësorët, të cilët pas pushtimit otoman, kishin patur armiqësi shekullore me serbët, për arsye që njihen nga historia e Ballkanit. Pushteti i ri i komunistëve, që dolën fitimtarë nga lufta antifashiste dhe vendosën të ashtuquajutrën diktaturë e proletariatit, nuk shikohej aspak me simpati prej shumicës së malësorëve. Shumë syresh zgjodhën të largohen nga vendi, duke kaptuar male e duke shkuar në mërgim, por një pjesë e tyre lanë pas familjarë e miq që vuajtën pasojat e arratisjes së të afërmve. Ata që mbetën u konsideruan si armiq të pushtetit.
Një pjesë e malësorëve më të kamur, pronarë tokash, pyjesh e kullotash u cilësuan kulakë, një damkë që sillte me vete pasoja të frikshme për familjet e tyre. Kështu, Tonini i përkiste një familjeje kulake, i ati kishte vuajtur burgun si i tillë, shto këtu edhe faktin që një i afërm nacionalist kishte kapërcyer me kohë kufirin në Perëndim e cilësohej si armik nga pushteti i ri. Ndërsa një kushëri i tij, Kolë Bibë Mirakaj, kishte qenë Ministër i Brendshëm në vitin 1943. Këto mjaftonin për ta konsideruar familjen Mirakaj si të padëshirueshme e për rrjedhojë, në shënjestër të luftës së klasave. Marku, miku i Toninit, nga ana e tij, ishte fëmija i vetëm i dy prindërve që dikur kishin patur një jetë të thjeshtë në fshatin Iballë.
Tonini qëndroi natën e fundit para arratisjes me Markun, pa guxuar t’i tregojë për planin, pasi siç thonte i jati, “edhe muret kanë veshë”. Por ai i la një shenjë simbolike, kryqin, që të fakt Marku duket se në mënyrë simbolike e ngarkoi mbi shpinën e tij gjatë vuajtjeve dhe torturave që përjetoi në burgje për vite me radhë. Atë kryq ai nuk e lëshoi kurrë. Autori flet për dilemën e një djali të ri si Tonini për t’u larguar nga vendi, ai madje i ankohet të atit se “përse do të shkojnë te shkijet”, por më pas i ati e bind se nuk ka të ardhme për familjen e tyre në vendlindje për shkak të luftës së klasave. “Të jesh një Mirakaj me komunistët në pushtet do të thotë të jesh i vdekur”- i thotë i ati Toninit.
Dy jetë paralele dhe ideja e humanizmit që përshkon veprën
Autori përshkruan paralelisht e me ngjyra reale dy kalvare: nga njëra anë rruga plot peripecira e arratisjes së familjes së Toninit dhe e dy familjeve të tjera. Ata kaptojnë male, lumenj, në mes të të ftohtit të netëve e shiut, të uritur e të rreckosur. “Ata po shkonin drejt një drite që ende nuk e dinin nëse ishte liri, apo thjesht një formë tjetër e dhimbjes…Hëna është e ftohtë, prej saj nuk vjen asnjë lloj ngrohtësie, ndërsa kalojnë Malet e Mallkueme”, – e përshkruan me një paralelizëm të goditur autori udhëtimin e rrezikshëm. Frika i ndjek në çdo hap, sepse dihet fati i tyre në se kapen nga forcat e kufirit. Më në fund, pas disa ditësh, grupi i raskapitur prej 17 vetësh arrin të kalojë në anën tjetër të kufirit, por atje gjejnë një pritje aspak miqësore në Kampin e Emigrantëve të Podujevës.
Autori përshkruan paralelisht kalvarin e Markut, që e torturojnë me forma nga më çnjerëzoret për ta detyruar të pohojë se ka bashkëpunuar me Toninin për arratisjen, ose të paktën ka qenë në dijeni të planit. Përsëri, skenat e përshkruara i ngjajnë një dokumentari plot vuajtje. Marku nuk epet nga torturat. “Mund të keni trupin tim, mund të më rrihni, por shpirtin tim nuk mund ta keni kurrë,”- thotë ai.
Përmes personazhit të Markut, autori shpalos një ide themelore të romanit, humanizmin. Të burgosurit, edhe pse të rraskapitur, të sakatuar fizikisht e të uritur, nuk e humbën ndjenjën e humanizmit.
Historia njerëzore është e mbushur me kapituj të errët, ku pushteti, apo ideologjia kanë tentuar ta zhbëjnë thelbin e qenies njerëzore. Procesi i këtij dehumanizimi nuk synon vetëm dhimbjen fizike, ai synon asgjësimin e identitetit dhe mbi të gjitha, moralit. Por në shumë raste, individi, ndonëse i zhveshur nga çdo liri e jashtme, refuzon të dorëzojë lirinë e tij të brendshme. Kështu, edhe në momentet më të vështira, Marku nuk e ngarkoi kurrë me faj mikun e tij, që në mënyrë të pavetëdijëshme ishte bërë shkak për vuajtjet e tij. “E urrej dhe urrej veten që e urrej”, – thotë Marku në orët më të rënda që përjetoi gjatë torturave në Spaç. Një pohim i thjeshtë i dalë nga zemra, që të kujton thënien e personazhit të Dostojevskit “Unë i frikësohem vetëm një gjëje: që të mos jem i denjë për vuajtjet e mija.”
Një personazh që të le mbresë për humanizmin e tij është prifti Petro, që i qëndron pranë e i jep kurajo Markut në momentet e vështira. “Edhe në gropën më të errët, yjet janë të dukshme, por vetëm në se ngre sytë dhe kujton si të shohësh”, – i kujton Petroja Markut në orët e dhimbjeve fizike në Spaç.
Dy miq, dy jetë të ndryshme
Ndërsa Tonini ka ardhur në Shtetet e Bashkuara dhe ka filluar një jetë të re, duke punuar si shumë emigrantë të tjerë në vendin e lirisë dhe të emigrantëve, Marku i ka kaluar vitet më të mira të jetës në burg; gati 30 vjet. Ai ka humbur gjithshka, por jo krenarinë e malësorit. Asnjë lloj presioni nuk e detyroi atë pranonte një fakt të pavërtetë, se kishte patur dijeni për arratisjen e shokut të fëmijërisë. Në vitin 1984, pas përfundimit të dënimit, Marku së bashku me Petron lirohen dhe kthehen secili në vendlindjen e tyre për të rifilluar jetën e re në liri.
Tonini, edhe pse e ka patur vazhdimisht në mendje Markun, të cilit i ka shkruar letra pa marrë përgjigje, nuk ka qenë në dijeni të peripecive që ka kaluar miku i tij. Me hapjen e Shqipërisë në vitet ’90, ai mëson të vërtetën. Brenga që ka marrë me vete për fatin e panjohur të shokut të tij të fëmijërisë merr atëhere vërtet përmasat e një brenge të rëndë. Përse duhet të vuante Marku pasojat e arratisjes së tij? Por vetë Marku i shkruante Toninit në letrën që mbërriti vetëm në vitet ’90: “Në çastin më të errët të fajësova ty. M’u dhimbs dhe e urreva veten, sepse ti nuk e meritoje. Nuk ishte faji yt. Por dhembja ma kishte errësuar logjikën. Më fal.” Përsëri shfaqet humanizmi i Markut. Burgu dhe torturat nuk mundën ta shpërfytyronin atë njeri me karakter të fortë. Ai mbeti përherë i ndershëm e i njerëzishëm.
Në vendlindje pas disa dekadash
Autori e çon Toninin përsëri në vendlindje, ku dy shokët e fëmijërisë më të fund takohen dhe rrinë gjatë duke biseduar nën gështenjën e tyre. Por Tonini do të çlirohet plotësisht nga pesha e brengës së tij, pasi historia e tij dhe e Markut të përjetësohet në një libër. Ai thotë se “kjo histori është e rëndësishme të shkruhet për të gjithë ata djem e burra që humbën jetën minierave, burgjeve, gjatë kalimit të kufirit. Është për gratë dhe fëmijët që punuan në kampet e internimit, për letrat që nuk mbërritën kurrë dhe për këngët që u kënduan në heshtje”… Dhe amanetin e tij e mishëron ky roman-dokumentar i Pashko R. Camës, një dëshmi shumë e nevojshme për brezin e ri të shqiptarëve, që ata ta njohin të kaluarën dhe të vërtetat historike të vendit të tyre.
Faleminderit Pashko që na solle këtë rrëfim të zotit Tonin Mirakaj. Faleminderit Shtëpisë Botuese Onufri që po sjell një lloj letërsie që dokumenton të kaluarën, për të njohur me të brezin e ri të Shqipërisë.




