Kujdestarët shqiptarë të bletëve në zonën kufitare mes Shqipërisë dhe Greqisë po bashkëpunojnë me kolegët e tyre grekë për të zhvilluar sektorin e agroturizmit dhe për të prodhuar mjaltë cilësor dhe nënprodukte të tij. Iniciativa synon të nxisë ekonominë lokale dhe të tërheqë vizitorë në zonën ndërkufitare.
“Bletaria ka si qëllim zhvillimin e njerëzve, por bashkë me të edhe agroturizmi do të zhvillohet. Së bashku me agroturizmin, zhvillohet ekonomia lokale. Kjo është një gjë e mirë dhe e mirëpritur nga të gjithë bletarët shqiptarë”, thotë Jaçe Meçi, Kryetar i Shoqatës së Bletërritësve të Gjirokastrës.
Sipas ekspertes së bletarisë, Evangjelia Qirka, bashkëpunimi ndërkufitar do të përmirësojë cilësinë e mjaltit dhe të nënprodukteve të tij, duke i bërë më të kërkuar në treg. Ajo thekson se kjo iniciativë mbështet zhvillimin e turizmit bujqësor dhe rrit interesin për sektorin e bletarisë në të dyja anët e kufirit.
“Ky bashkëpunim mundëson zhvillimin e sektorit të bletarisë në të dyja anët e kufirit, në këtë mënyrë mjalti dhe nënproduktet e tij do të jenë më të mirë, më cilësorë dhe të kërkuar në treg. Në këtë mënyrë mbështesim dhe nxisim zhvillimin e turizmit dhe veçanërisht të turizmit bujqësor“, thotë Evangjelia Qirka.Në zonën e Gjirokastrës, bletaria shihet si një mundësi për të vazhduar traditën, por edhe si një burim i rëndësishëm i të ardhurave ekonomike për fermerët lokalë, duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të komuniteteve rurale, transmeton rtsh.




