POSTIMET E FUNDIT

Berisha: Protesta e opozitës, në 17 prill

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale, ka shpallur se më 17 prill opozita do të organizojë një protestë në Tiranë për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Ai e cilësoi opozitën “më të fuqishme se kurrë, më të vendosur se kurrë në misionin e saj”, duke theksuar se protesta e 22 marsit tregoi se shqiptarët nuk pajtohen me korrupsionin dhe kapjen e drejtësisë.

Me datën 17 prill, Shqipëria në Tiranë për dorëheqjen e Edi Ramës. Opozita qëndron më e fuqishme se kurrë, më e vendosur se kurrë në misionin e saj. Mos mendo se nuk do gjesh paqe kurrë, nuk do ketë stabilitet kurrë për ty, për organizatën tënde të Ballukëve kriminelë dhe kartelet e drogës në Shqipëri. Edi Rama ke vetëm një rrugë, dorëheqjen sa më parë. Me datën 17 prill, shqiptarët do të jenë në Tiranë për ta kërkuar këtë.”

Berisha akuzoi qeverinë për “terror ndaj mediave” dhe përpjekje për të mbuluar aferën Rama–Balluku, ndërsa paralajmëroi se “Edi Rama ka vetëm një rrugë, dorëheqjen sa më parë”.

Më pas Berisha u ndal te programi i Partisë Demokratike, duke premtuar se një nga aktet e para të qeverisë së ardhshme do të jetë vendosja e minimumit jetik.

“Shqipëria është vendi i vetëm në Evropë pa minimum jetik. Me një vendim qeverie ne zhdukim varfërinë ekstreme dhe nxjerrim nga rreziku një pjesë të madhe të qytetarëve”, u shpreh ai, duke shtuar se 49 përqind e shqiptarëve jetojnë në varfëri ose janë të kërcënuar prej saj, ndërsa 18 përqind në varfëri ekstreme.

Berisha theksoi se përqendrimi kryesor i PD-së do të jetë tek qytetarët, me rritjen e rrogave dhe pensioneve.

 “Sot pensionet janë një tallje, një cinizëm ndaj atyre që shkrinë jetën e tyre për këtë vend. Me aktin e parë të ardhjes në pushtet të PD, ndër veprimet e javës së parë do jetë vendosja e minimumit jetik. Shqipëria është vendi i vetëm në Evropë që nuk ka minimum jetik dhe ndër të paktat vende në botë. Kjo ka bërë që sot 49 përqind e shqiptarëve të jenë në varfëri ose të kërcënuar nga varfëria. Ka bërë që 18 përqind e tyre të jenë në varfëri ekstreme. Pra me një vendim të qeverisë ne zhdukim varfërinë ekstreme në Shqipëri, ne nxjerrim nga rreziku i varfërisë një pjesë të madhe të qytetarëve shqiptarë”, tha ai.

Një tjetër pikë e diskutuar në bashkëbisedimin e Berishës me komentuesit në rrjetet sociale ishte dhe çmimi i naftës, teksa tha se, “Nafta është një ndëshkim mbarë qytetarë. Ndikon në transport, në çmimin e çdo produkti, në koston e prodhimit bujqësor. Ne do të vendosim një regjim fiskal që bën të mundur që nafta në Shqipëri të shitet njëlloj si në Kosovë dhe Maqedoni, asnjë qindarkë më shtrenjtë”.

Ai paralajmëroi se paketa fiskale për uljen e çmimit të naftës do të prezantohet javën e ardhshme, ndërsa ftoi qytetarët dhe fermerët të reagojnë.

“Fermeri të dalë të bllokojë rrugët, qytetari të protestojë për çmimet që rriten. Vetëm kështu mund të ndalet ky ndëshkim”, u shpreh Berisha, duke e cilësuar revoltën qytetare si të domosdoshme për ndryshimin, transmeton rtsh.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB