Presidenti Bajram Begaj, gjatë fjalës së hapjes së ceremonisë së mirëseardhjes për Samitin e IV të Diasporës, e përcaktoi diasporën shqiptare si një forcë e pazëvendësueshme në rrugëtimin e Shqipërisë në BE.
Kreu i shtetit theksoi se për vite me radhë marrëdhënia mes shtetit dhe diasporës ka qenë më shumë emocionale, por sot kjo qasje ka ndryshuar dhe se lidhja e tyre është edhe më e fortë dhe strategjike për zhvillimin e vendit.
“Samiti zhvillohet në një moment kyç, kur më parë kaq afër anëtarësimit në BE. Shqipëria ndodhet në një fazë të rëndësishme të këtij procesi dhe në këtë rrugëtim diaspora shqiptare është e pazëvendësueshme. Ajo është forca që përcakton se sa larg mund të shkojë një komb.
Kur flasim për diasporën sot, flasim për ndikim global. Shqiptarët janë aty nga fushat e Inteligjencës Artificiale, te auditorët e universiteteve, sipërmarrjet e rëndësishme, te fushat e sportit dhe skenat e artit. Ju jeni ambasadorët tanë më të mirë. Ky potencial i diasporës duhet shfrytëzuar. Për vite me radhë, lidhja mes shtetit dhe diasporës ka qenë më shumë emocionale sesa strategjike. Koha e atij modeli ka mbaruar. Sot jemi në një hap tjetër, në një marrëdhënie të re, ku diaspora shihet si partner i vërtetë zhvillimi, ku lidhja me shtetin nuk është vetëm me zemrën, por edhe me ekonominë dhe të ardhmen tonë të përbashkët. Ky samit është pikërisht për këtë kalim: për atë se çfarë mund të bëjmë së bashku”, tha Begaj.
Presidenti e cilësoi diasporën si “mushkërinë ekonomike” të vendit për dekada me radhë, por theksoi se tashmë duhet kaluar nga roli mbështetës në atë të partnerit aktiv në zhvillimin e Shqipërisë.
Ai bëri thirrje që investimet dhe kapacitetet e diasporës të kthehen në kapitale zhvillimi në vend, duke e forcuar bashkëpunimin me institucionet shqiptare.
“Për dekada diaspora ka qenë “mushkëria” ekonomike për vendin dhe familjet e tyre. Por koha kur diaspora shihej vetëm për konsum po mbyllet. Ky samit kërkon që investimet tuaja të kthehen në kapitale zhvillimi dhe investime reale në vend, ku diaspora të jetë partnere e qeverisë dhe të investojë të ardhurat dhe mendjen e saj në vendin e saj, në Shqipëri.
Teksa shohim drejt anëtarësimit në BE në 2030, nuk duhet të harrojmë busullën tonë, identitetin tonë kombëtar. Duhet të investojmë më shumë në gjuhën shqipe, arsim dhe qendra kulturore në botë, në mënyrë që brezat e rinj të kenë një lidhje të gjallë dhe të fortë”, tha Begaj.
Duke folur për procesin e integrimit, Begaj nënvizoi se në rrugën drejt anëtarësimit në BE në vitin 2030, Shqipëria nuk duhet të humbasë identitetin e saj kombëtar.
Në përfundim, Presidenti theksoi se e ardhmja e shtetit me diasporën duhet të jetë histori lidhjesh, duke e bërë atë pjesë organike të zhvillimit të vendit.
“Historia jonë ka qenë shpesh histori largimesh; e ardhmja duhet të jetë histori lidhjesh. Kombi ynë nuk e ka luksin të jetë i ndarë. Ta bëjmë diasporën pjesë organike të sistemit tonë. Diaspora është zëri ynë në Europë, në ekonomi jeni ura jonë me botën. Ta kthejmë këtë pasuri në një strategji që sjell rezultate konkrete në dije, shkencë dhe kërkim. Diaspora të kthehet në shtëpinë tonë të përbashkët, lini gjurmën tuaj”, përfundoi Begaj, transmeton rtsh.




