-1.6 C
Zurich
Friday, January 2, 2026
spot_img
spot_img

Begaj: Krenar për shërbimin e ushtrisë në misionet ndërkombëtare

Duhet ti lexosh

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj përshëndeti në një lidhje direkte online efektivët e Forcave të Armatosura shqiptare të angazhuar në misione dhe operacione jashtë vendit.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti Begaj uroi ushtarët, nënoficerët dhe oficerët shqiptarë të angazhuar në misione jashtë vendit për festat, duke shprehur mirënjohjen dhe vlerësimin e tij për shërbimin e tyre larg familjeve, në funksion të paqes, sigurisë dhe lirisë në botë.

Kreu i Shtetit theksoi se angazhimi i Forcave të Armatosura në misione në Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë, Bullgari, Letoni, Detin Egje, Irak, Sinai, Sudanin e Jugut, si dhe në strukturat mbështetëse për Ukrainën, është dëshmi e qartë e përkushtimit të Shqipërisë ndaj paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.

“Atmosfera festive ju ka gjetur larg familjeve tuaja, por me një mision të rëndësishëm: të jeni në krye të detyrës dhe në shërbim të atdheut, në shërbim të paqes, të sigurisë dhe lirisë në mbarë globin. Ju mbani lart flamurin e Shqipërisë dhe ne ndihemi krenarë për shërbimin tuaj”, u shpreh Presidenti Begaj.

Kreu i Shtetit theksoi se paqja dhe siguria nuk kanë çmim dhe garantimi tyre duhet të jetë i domosdoshëm.

“Sfidat gjeopolitike dhe të sigurisë janë komplekse dhe kërkojnë që ne t’u përgjigjemi atyre sipas kërkesave jo vetëm duke rritur kontributin, por, mbi të gjitha, me një Forcë të Armatosur të aftë, me kapacitete mbrojtëse, moderne, profesionale dhe të ndërveprueshme”, u shpreh Begaj.

Presidenti siguroi se Shqipëria do të vijojë të shtojë kontributet në misione dhe operacione jashtë vendit dhe do të jetë pjesëmarrëse kudo ku Aleanca të kërkojë.

“Marrja e komandës së batalionit shumëkombësh të Rezervës Operacionale të KFOR-it për vitin 2026 është dëshmi e qartë e përkushtimit tonë ndaj mbrojtjes kolektive, ndaj paqes, ndaj dhe sigurisë. Shpreh bindjen se drejtimi i kësaj strukture të rëndësishme do të jetë një tjetër arritje e Forcave tona të Armatosura”, u shpreh presidenti Begaj, transmeton atsh.

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme