Presidenti Bajram Begaj ka uruar 113-vjetorin e krijimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, duke vlerësuar kontributin dhe sakrificat e efektivëve ndër vite.
Begaj theksoi se Forcat e Armatosura kanë treguar atdhedashuri, besnikëri dhe disiplinë në shërbim të vendit, duke përmbushur me sukses misionin e tyre për mbrojtjen dhe sigurinë kombëtare.
“Sot, në ditën e themelimit të Forcave të Armatosura, nderojmë me respekt kontributin, sakrificat dhe shërbimin e vyer të të gjithë efektivëve të FARSH që me atdhedashuri, besnikëri dhe disiplinë i kanë shërbyer atdheut në këto 113 vite.
Forcat e Armatosura, me angazhimin, përkushtimin dhe profesionalizimin e tyre, kanë arritur me sukses të jenë në lartësinë e detyrës për sigurimin e pavarësisë dhe mbrojtjes së vendit”, shkruan Begaj.
Presidenti Begaj nënvizoi rolin e rëndësishëm të Shqipërisë në misionet ndërkombëtare të NATO-s, Bashkimit Europian dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara, duke i cilësuar këto angazhime si burim krenarie dhe kontribut të çmuar në sigurinë kolektive.
“Pjesëmarrja në misione dhe operacione të NATO-s, BE-së dhe OKB-së na bën krenarë dhe kontribuues me vlera në sigurinë kolektive.
Mirënjohje për çdo efektiv, vajza dhe djem, gra dhe burra të Forcave të Armatosura për shërbimin që i bëjnë atdheut! Gëzuar 113-vjetorin FARSH”, shkruan Begaj.
Forcat e Armatosura u krijuan më 4 dhjetor 1912, pak ditë pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Krijimi i Forcave të Armatosurave erdhi si një nevojë e natyrshme e një shteti sovran, të pavarur dhe që kërkonte të mbronte kufirin e saj, transmeton rtsh.




