Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka zhvilluar një takim të rëndësishëm me Charles McLaughlin, Ndihmës Special të Presidentit Donald Trump dhe Drejtor të Lartë për Evropën dhe Rusinë në Shtëpinë e Bardhë, si dhe me Mark Fleming, Drejtor të Zyrës për Çështjet e Evropës Perëndimore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit.
Sipas Hamzës, në këtë takim u diskutua për zhvillimet politike dhe ekonomike në vend, si dhe për domosdoshmërinë që institucionet e Kosovës të punojnë në forcimin e marrëdhënieve strategjike me Shtetet e Bashkuara. Ai theksoi se Kosova ka nevojë për një agjendë të qartë zhvillimore, të orientuar drejt rritjes ekonomike dhe forcimit të partneriteteve ndërkombëtare.
“Kosovës i duhet mbështetja e qeverisë amerikane në rrugëtimin drejt anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Evropian,” ka deklaruar Hamza në një postim në Facebook, ku ndau detaje të takimit.
Ai theksoi se për PDK-në dhe për të personalisht, interesi shtetëror mbetet mbi çdo gjë, duke përfshirë rritjen ekonomike, investimet strategjike dhe riparimin e marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë.
Takimi vjen në një periudhë kur dinamika e dialogut me aleatët dhe pozicionimi i Kosovës në arenën ndërkombëtare po marrin një rëndësi të shtuar, ndërsa PDK-ja synon të forcojë rolin e saj në raport me politikën e jashtme dhe zhvillimin ekonomik të vendit./RTK




