POSTIMET E FUNDIT

Bayerni me një dorë te trofeu

Shpresat në Mynih janë rritur ndjeshëm, pasi kapiteni i Bayern Munich u rikthye në stërvitje më herët nga sa ishte parashikuar.

Portieri veteran pësoi një çarje të fibrës muskulore në pulpë gjatë fitores 3-0 ndaj Werder Bremen, duke munguar jo vetëm në pjesën e dytë të asaj sfide, por edhe në triumfin 3-2 ndaj Eintracht Frankfurt.

Në vend të tij u aktivizua Jonas Urbig, ndërsa dyshimet për prezencën e Neuer në “Der Klassiker” ishin të forta.

Të hënën, Neuer zhvilloi një seancë individuale rreth 30-minutëshe në fushë. Edhe pse pa ngarkesë të plotë, ishte sinjali i parë pozitiv që nga dita e dëmtimit. Stafi mjekësor do të vendosë në ditët në vijim nëse 38-vjeçari është gati për rikthim të plotë pikërisht në ndeshjen më të zjarrtë të sezonit në Bundesliga.

Statistikat e këtij sezoni flasin për rëndësinë e tij: 18 paraqitje në kampionat, pesë ndeshje pa pësuar gol. Në UEFA Champions League, ai ka luajtur shtatë takime.

Ndërkohë, gara për titull duket se po anon qartë nga bavarezët. Pas barazimit 2-2 të Dortmundit ndaj RB Leipzig, diferenca është zgjeruar në tetë pikë dhe Bayerni është në rrugën e duhur drejt një tjetër titulli kampion në Gjermani.

Megjithatë, Dortmundi mbështetet te forma e fortë në shtëpi: 11 ndeshje pa humbje në Bundesliga, me nëntë fitore dhe dy barazime. Për verdhezinjtë, vetëm fitorja i mban gjallë shpresat, sado të vakëta, për titullin.

Të shtunën në mbrëmje do të mësohet nëse kapiteni i Bajernit do të jetë gati për “Der Klassiker”, apo nëse rikthimi i tij do të duhet të presë edhe pak.

Një gjë është e sigurt: me ose pa Neuer, Bayerni e sheh vijën e finishit gjithnjë e më pranë./BS

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB