Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka pritur në një takim përfaqësues nga Italia, Roberto Sanin, kryetar i grupit të shumicës në Këshillin Komunal të Trentos, dhe Maurizio Camin, drejtor i organizatës “Trentino con il Balcani”, ku në fokus ishte forcimi i bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe rajonit të Trentino-s.
Gjatë takimit, palët diskutuan mbi planet dhe projektet konkrete që synojnë të realizojnë në Kosovë, me theks të veçantë në zhvillimin lokal dhe shkëmbimin e përvojave institucionale. Ministri Krasniqi vlerësoi lartë mbështetjen e vazhdueshme nga partnerët italianë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të decentralizuar.
“Programi i bashkëpunimit të decentralizuar, i mbështetur nga Provinca Autonome e Trentos në Kosovë, ka krijuar shumë raporte institucionale mes komunave të Kosovës dhe atyre në Trentino”, ka deklaruar Krasniqi.
Ky bashkëpunim ndër vite ka ndihmuar në ndërtimin e kapaciteteve lokale, përmirësimin e shërbimeve publike dhe fuqizimin e lidhjeve ndërmjet komuniteteve. Përfaqësuesit nga Trentino shprehën gatishmërinë për të vazhduar mbështetjen dhe për të zgjeruar projektet në fusha të ndryshme.
Takimi u konsiderua një hap i rëndësishëm drejt thellimit të marrëdhënieve ndërinstitucionale dhe avancimit të projekteve që ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e komunave në Kosovë, transmeton rtk.




