Në zyrat e Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) u zhvillua një takim pune me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) nga Shqipëria. Takimi synoi forcimin e bashkëpunimit rajonal në fushën e komunikimeve elektronike dhe adresimin e sfidave të përbashkëta për qytetarët gjatë përdorimit të shërbimeve në roaming.
Gjatë diskutimeve u fokusua vlerësimi i ecurisë së zbatimit të marrëveshjes së roamingut ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe mundësitë për përmirësimin e qasjes dhe cilësisë së shërbimeve për përdoruesit në zonat kufitare. Një theks i veçantë u vendos në optimizimin e mbulimit gjatë kalimeve ndërkufitare, sidomos mes qyteteve Kukës dhe Prizren.
Përveç kësaj, u diskutuan zhvillimet e pritshme lidhur me integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në regjimin “Roam Like at Home (RLAH)” të Bashkimit Evropian, duke theksuar rëndësinë e harmonizimit të politikave dhe standardeve për të ofruar shërbime më të mira për qytetarët.
ARKEP dhe AKEP konfirmuan angazhimin për bashkëpunim të vazhdueshëm dhe shkëmbim të përvojave, me qëllim sigurimin e shërbimeve të komunikimeve elektronike më cilësore, më të përballueshme dhe më të aksesueshme për qytetarët e të dy vendeve, transmeton rtk.




