Procesi i votimit për qytetarët e Republikës së Kosovës që jetojnë në Zvicër po zhvillohet rregullisht në përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të vendit. Sipas njoftimit zyrtar të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Bern, votimi ka filluar në orën 07:00 dhe do të zgjasë deri në orën 19:00.
Ambasada bën të ditur se qytetarët e regjistruar për votim në Zvicër kanë mundësi ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në tri qendra: Bernë, Gjenevë dhe Cyrih. Procesi po zhvillohet në përputhje me procedurat dhe standardet e përcaktuara, duke garantuar një mjedis të rregullt dhe të qetë për votuesit.
Përfaqësitë diplomatike kanë ftuar të gjithë qytetarët e regjistruar që të shfrytëzojnë këtë të drejtë demokratike dhe të dalin për të votuar brenda orarit të paraparë, deri në orën 19:00.
Votimi në diasporë përbën një pjesë të rëndësishme të procesit demokratik të Republikës së Kosovës, duke u dhënë mundësi bashkatdhetarëve që të kontribuojnë drejtpërdrejt në vendimmarrjen politike të vendit, transmeton helveticALforum.ch ( Foto nga Ambasada)




