POSTIMET E FUNDIT

Bashkatdhetarët në Zvicër vazhdojnë të forcojnë urat e integrimit, duke e konsideruar këtë vend si atdheun e tyre të dytë

Përgatiti Dashnim HEBIBI

Në përmbyllje të muajit të shenjtë të Ramazanit, Kryesia e Xhamisë “Drita” në Emmenbrücke ka ndërmarrë një iniciativë të veçantë për të shprehur mirënjohjen ndaj të gjithë bashkëpunëtorëve dhe mbështetësve që kontribuan në organizimin e festës së Fitër Bajramit. Në kuadër të këtij turi falënderues, Kryetari i xhamisë, z.Fadil Asani zhvilloi një takim të rëndësishëm e shumë falënderues me z. David Unternährer, drejtues i Pilatus Arena. 

Gjatë këtij takimi, ai e falënderoi përzemërsisht z. Unternährer dhe ekipin e tij për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar. Falë këtij bashkëpunimi të ngushtë dhe të sinqertë, u bë e mundur që ceremonia e faljes së Fitër Bajramit të organizohej në kushte të shkëlqyera, duke garantuar komoditet dhe dinjitet për të gjithë pjesëmarrësit.

Një theks i veçantë iu dha edhe reagimeve shumë pozitive nga komuniteti. Kryesia e xhamisë ka pranuar një numër të madh mesazhesh, email-esh dhe telefonatash falënderuese, ku pjesëmarrësit kanë shprehur vlerësimin e tyre për organizimin e nivelit të lartë, ambientin e përshtatshëm dhe mikpritjen e ofruar. Si shenjë respekti dhe falënderimi për këtë bashkëpunim të suksesshëm, Kryetari i xhamisë i dorëzoi z. Unternährer një dhuratë simbolike, duke nënvizuar rëndësinë e partneritetit dhe të mirëkuptimit ndërmjet institucioneve dhe komuniteteve të ndryshme. Kjo ngjarje është një dëshmi e qartë e harmonisë dhe bashkëjetesës që karakterizon shoqërinë zvicerane.

Nuk është aspak rastësi që shqiptarët në Zvicër e konsiderojnë këtë vend si atdheun e tyre të dytë. Përmes përkushtimit, respektit të ndërsjellë dhe kontributit aktiv në jetën shoqërore, ata vazhdojnë të ndërtojnë ura të forta bashkëpunimi dhe mirëbesimi. Kryesia e Xhamisë “Drita” shprehu krenarinë dhe kënaqësinë e saj për organizimin e suksesshëm të këtij Ramazani dhe të festës së Bajramit, duke theksuar se angazhimi i përbashkët është çelësi i arritjeve të tilla. Zvicra thuajse për çdo shqiptarë, pavarësisht se nga cila trevë e atdheut vijnë, e krahasojnë dhe e duan si të jetë atdheu i tyre i dytë.

Në fund, një falënderim i sinqertë u drejtohet të gjithë atyre që kontribuan, në mënyrë direkte apo indirekte, për ta bërë këtë organizim një shembull të shkëlqyer të bashkëpunimit dhe unitetit, transmeton sektori për Informim i Xhamisë Emmenbrücke, percjell helveticALForum.ch. Në fund të falënderimit, kryetari i xhamisë, z.Fadil Asani në emrin e tij dhe në emër të kryesisë së Xhamisë “Drita” dhe anëtarëve të vet në Emmenbrücke tha:

“Kujtojmë një thënie të Profetit:

“Ai që nuk i falënderon njerëzit, nuk e falënderon Allahun.”

HelveticALForum.ch

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB