2.7 C
Zurich
Tuesday, December 16, 2025
spot_img
spot_img

Banka e Shqipërisë mbledh Komitetin e Pagesave: SEPA dhe “TIPS Clone” transformojnë tregun

Duhet ti lexosh

Transformimi teknologjik i ekonomisë shqiptare dhe integrimi i sistemeve të pagesave me standardet evropiane ishin kryefjala e mbledhjes së 11-të vjetore të Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave (KKSP), e zhvilluar sot në Bankën e Shqipërisë.

Nën drejtimin e Zëvendësguvernatores së Parë, Luljeta Minxhozi, tryeza mblodhi bashkë përfaqësues nga Ministria e Financave, Banka Botërore, sektori bankar dhe institucionet financiare, për të diskutuar mbi të ardhmen e parasë dhe transaksioneve në Shqipëri.

Në fjalën e saj të hapjes, Zëvendësguvernatorja Minxhozi e cilësoi operacionalizimin e transaksioneve SEPA (që prej 7 tetorit) si një nga sukseset më të mëdha strukturore të sistemit financiar vendas.

“Aderimi në SEPA sjell përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët dhe bizneset: pagesa në euro me të njëjtat standarde si në BE, shpejtësi, kosto të ulëta dhe rritje të transparencës,” theksoi Minxhozi, duke shtuar se kjo rrit konkurrueshmërinë e sektorit bankar përmes teknologjive të avancuara.

Krahas SEPA-s, Banka e Shqipërisë ka përditësuar infrastrukturat kombëtare (AIPS dhe AECH) duke implementuar standardet ndërkombëtare ISO 20020. Këto ndryshime rregullatore synojnë nxitjen e pagesave elektronike dhe uljen e kostove për publikun.

Open Banking dhe TIPS Clone

Një tjetër pikë kyçe e diskutimit ishte modernizimi përmes “Open Banking”, një model i ri që tashmë po zbatohet nga dy institucione të licencuara. Ky sistem u mundëson individëve të aksesojnë llogaritë dhe të kryejnë pagesa përmes palëve të treta, duke thyer monopolin tradicional të bankave.

Gjithashtu, Minxhozi prezantoi projektin strategjik “TIPS Clone”. Ky projekt synon krijimin e një platforme kombëtare për pagesat e shpejta (instant payments), në përputhje të plotë me standardet evropiane, duke shërbyer si shtyllë kryesore për nismën “Cashless Albania”.

Luftë ‘cash-it’ për një ekonomi moderne

I pranishëm në takim, Zëvendësministri i Financave, Endrit Yzeiraj, shprehu mbështetjen e plotë të qeverisë për këto nisma. Ai e cilësoi projektin “Cashless Albania” si një transformim të thellë ekonomik dhe shoqëror.

“Kjo nismë ndihmon rritjen e formalizimit dhe aksesit financiar. Masat tona, si ulja e kufirit për pagesat cash midis bizneseve, synojnë modernizimin e ekonomisë,” u shpreh Yzeiraj, duke vlerësuar punën e Bankës së Shqipërisë në promovimin e inovacionit digjital.

Mbledhja vijoi me prezantime teknike mbi zbatimin e projekteve të reja dhe ndarjen e eksperiencave të suksesshme evropiane në fushën e pagesave digjitale, transmeton rtsh.

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme