Banka e Shqipërisë ka hapur dyert për publikun me ekspozitën jubiliare “Paraja rrëfen: 100 vjet jetë dhe ngjarje”, një nismë kulturore që sjell në vëmendje historinë e saj njëqindvjeçare dhe rrugëtimin e monedhës shqiptare.
Ekspozita shënon dy momente kyçe, themelimin e bankës më 1925 dhe hedhjen në qarkullim të monedhës së parë kombëtare më 1926.
Në fjalën e tij, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, vuri theksin te roli i bankës qendrore si një institucion i qëndrueshëm në historinë e vendit.
Ai e cilësoi ekspozitën si një udhëtim unik në historinë monetare dhe institucionale të Shqipërisë, duke theksuar se “historia e parasë është një mësuese e kujdesshme, që na kujton se stabiliteti nuk është i përhershëm dhe se krizat mund të rikthehen”.
Sejko nënvizoi se qëllimi i kësaj nisme është të afrojë publikun me ekonominë dhe bankën qendrore, duke e bërë më të kuptueshme për qytetarët përmes objekteve, rrëfimeve dhe dokumenteve historike. Ai shtoi se komunikimi i hapur dhe transparenca janë ura besimi mes bankës dhe shoqërisë, ndërsa falënderoi të gjithë bashkëpunëtorët dhe partnerët që kanë kontribuar në realizimin e ekspozitës.
“Është kënaqësi dhe nder për mua që sot të hapim së bashku ekspozitën ‘Paraja rrëfen’, e cila vjen në një moment me simbolikë të veçantë,” u shpreh ai, duke nënvizuar se ekspozita nuk synon vetëm të tregojë historinë e bankës qendrore, por edhe të përditshmërisë së shoqërisë shqiptare.
“Mënyrës si jemi paguar, si kemi kursyer, si kemi përballuar kriza, si kemi rindërtuar ekonomi, si kemi aspiruar për stabilitet dhe një të ardhme më të parashikueshme.”
“Banka ka vepruar nën pothuajse të gjitha regjimet monetare: nga standardi i arit, te kontrolli i fortë i planifikimit të centralizuar, e deri te kornizat moderne të politikës monetare dhe synimit të stabilitetit të çmimeve,” tha Guvernatori, duke shtuar se institucioni ka ruajtur rolin e tij si një shtyllë e qëndrueshme edhe në rrethana të vështira.
Guvernatori theksoi se ekspozita nuk i sheh periudhat historike si kapituj të mbyllur, por si mësime të vlefshme për të ardhmen.
“Historia monetare është një mësuese e kujdesshme: na kujton se stabiliteti nuk është i përhershëm; se krizat mund të rikthehen; se inflacioni, paqëndrueshmëria financiare apo pasiguria në pritshmëri kanë kosto reale mbi familjet, bizneset dhe të ardhmen e vendit.”
Ai vuri në dukje se në dekadat e fundit bankat qendrore kanë zgjeruar komunikimin me publikun për të krijuar ura besimi dhe kuptimi.
“Ky është edhe qëllimi i ekspozitës sonë: të krijojmë një hapësirë ku historia të flasë me gjuhë të qartë dhe ku ekonomia të mos mbetet vetëm për specialistët,” u shpreh Guvernatori, duke falënderuar punonjësit, ekonomistët, studiuesit dhe artistët që kanë kontribuar në dokumentimin e këtij rrugëtimi.
Guvernatori njoftoi se ekspozita do të udhëtojë edhe në Prishtinë, në bashkëpunim me Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.
“Këto shkëmbime kulturore dhe institucionale janë të rëndësishme jo vetëm për të ndarë histori të përbashkëta, por edhe për të nxitur bashkëpunimin rajonal në fusha që prekin drejtpërdrejt qytetarët,” tha ai.
Në kuadër të kësaj periudhe jubilare, Banka e Shqipërisë prezantoi edhe një vepër studimore të profesorit të ndjerë Aristotel Pano, kushtuar 100 viteve të sistemit monetar dhe bankës qendrore në Shqipëri.
Ky botim, sipas Guvernatorit, është një vazhdimësi e përpjekjes për të dokumentuar dhe strukturuar ngjarjet kryesore të historisë monetare dhe bankare të vendit.
Në mbyllje të fjalës së tij, Guvernatori falënderoi të gjithë ata që kanë kontribuar në realizimin e ekspozitës, duke veçuar partneritetin me Institutin Italian të Kulturës në Tiranë dhe bashkëpunëtorët ndërkombëtarë. “Ju ftoj ta vizitoni me kureshtje ekspozitën, t’i lexoni rrëfimet, të shihni detajet, të pyesni e të diskutoni. Nëse ajo arrin të zgjojë interes, të nxisë pyetje e biseda mbi historinë tonë monetare, atëherë e ka përmbushur misionin e saj,” përfundoi ai.
Ekspozita, e realizuar në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës, është vendosur në Selinë Qendrore nr. 2 të Bankës së Shqipërisë, një godinë me vlera arkitektonike dhe historike për Tiranën dhe rajonin. Përmes objekteve, dokumenteve, imazheve dhe rrëfimeve, vizitorët udhëtojnë në tri faza të mëdha të historisë monetare të vendit, të formësuara nga ndryshimet politike, zhvillimet gjeopolitike dhe ngjarjet ekonomike, transmeton rtsh.




