Projektet e Grupit të Bankës Botërore në Shqipëri, përfshirë “Mjedis i Pastër dhe i Qëndrueshëm për Detin Blu” dhe “Klima e Qëndrueshme dhe Zhvillimi Bujqësor”, i vendosin njerëzit në qendër të zhvillimit dhe synojnë të krijojnë mundësi më të mira për qytetarët. Këto iniciativa nuk përqendrohen vetëm në investime infrastrukturore, si zgjerimi i shërbimeve të furnizimit me ujë, ruajtja e ekosistemeve bregdetare apo zhvillimi i bujqësisë, por gjithashtu synojnë të forcojnë komunitetet lokale dhe të nxisin zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.
Pas vizitës në Shqipëri, Sameh Wahba, drejtor rajonal i Praktikës në Grupin e Bankës Botërore, theksoi se bashkëpunimi me partnerët lokalë është thelbësor për ndërtimin e komuniteteve më të forta dhe krijimin e mundësive të reja për qytetarët, duke kontribuar në një planet të jetueshëm dhe të qëndrueshëm.
“Jam shumë i kënaqur që jam në Shqipëri për të parë nga afër ecurinë e projekteve që kemi në bashkëpunim me qeverinë dhe partnerët tanë zhvillimorë. Gjatë qëndrimit këtu kam takuar zyrtarët kryesorë, përfshirë ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, ministrin e Turizmit, Mjedisit dhe Sportit, Blendi Gonxhja, si dhe drejtuesit e ujësjellës-kanalizimeve. Sa i takon ujësjellës kanalizimeve, po punojmë për zgjerimin e ofrimit të shërbimit për popullatën. Gjithashtu, po punojmë për ruajtjen e peizazheve të bukura që ka vendi dhe për reduktimin e ndotjes ujore”, tha Wahba.
Ai shtoi se iniciativa “Mjedis i Pastër dhe i Qëndrueshëm për Detin Blu” është një projekt transformues që synon të zvogëlojë ndotjen në lumin Vjosë dhe të ruajë ekosistemin bregdetar.
Projekti parashikon ndërhyrje në zgjerimin e infrastrukturës sanitare, promovimin e menaxhimit më të mirë të mbetjeve dhe ekonomisë qarkulluese, për të mbrojtur brezin bregdetar, i cili është një nga asetet më të rëndësishme të turizmit në Shqipëri.
Po ashtu, Wahba theksoi se projektet për investime në hapësira publike përqendrohen në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.
“Gjithashtu, gjatë kësaj vizite takova fermerët e ullirit në Berat, si pjesë e programit tonë ‘Klima e Qëndrueshme dhe Zhvillimi Bujqësor’, i cili synon të bashkojë fermerët e këtij sektori me përpunuesit, universitetet dhe institucionet kërkimore, për të krijuar një produkt cilësor dhe konkurrues në tregjet e huaja” u shpreh ai.
Projekte të tilla synojnë të përmirësojnë jetën e qytetarëve duke i dhënë akses më të mirë në shërbime bazë, duke mbrojtur mjedisin dhe duke krijuar mundësi për zhvillim në sektorë kyç, përfshirë bujqësinë dhe turizmin, transmeton oranews.




