POSTIMET E FUNDIT

Avni Hafuzi – Filantropi që Ndërton Ura mes Historisë dhe Kombit

Nga Budapesti – Një urë historie, një urë miqësie dhe një zë i përkushtuar për çështjen kombëtare

Nga Dahest LUMA, Shkup

Në një vizitë me rëndësi të veçantë në kryeqytetin hungarez, PhD Dashnim Hebibi, president i Instituti Shkencor Helvetik me qendër në Zvicër, së bashku me z. Rafet Ademi, veprimtar i njohur dhe anëtar i bordit të institutit, po zhvillojnë një seri takimesh në Budapest. Ata janë mysafirë të filantropit dhe veprimtarit të çështjes kombëtare, njëherit konsull nderi i Shqipërisë në Hungar, z. Avni Hafuzi, preshevarit që nuk di se çka është lodhja, një personalitet i respektuar në rrethet shqiptare dhe hungareze, si dhe më gjerë në Evropë.

Qëndrimi në Budapest po shënohet me takime të rëndësishme dhe bashkëbisedime me karakter kulturor, historik dhe kombëtar. Sipas njoftimit të bërë nga vetë z. Hafuzi, dita e sotme ishte e mbushur me diskutime me peshë.

Një bashkëbisedim i drejtpërdrejtë – me shpirt dhe pa filtra

Në një prononcim të drejtpërdrejtë nga Budapesti, PhD Dashnim Hebibi e cilësoi takimin me z. Avni Hafuzi si një moment të veçantë, modest në formë, por me përmbajtje të thellë e domethënëse.

“Pa filtra e pa kamera moderne – vetëm me telefon dhe me shpirt”, u shpreh ai, duke vënë në pah natyrën e sinqertë të bashkëbisedimit, që tejkalon formalitetet dhe fokusohet në substancë.

Z. Avni Hafuzi vlerësohet si një figurë që prej vitesh ka kontribuar në forcimin e lidhjeve kulturore dhe kombëtare mes shqiptarëve dhe popujve të tjerë evropianë. Angazhimi i tij në veprimtari bamirëse dhe në nisma që promovojnë bashkëpunimin ndërkulturor e ka bërë atë një urë të gjallë lidhëse mes komuniteteve.

Filantropia shqiptare dhe historia e një ure simbol

Një nga temat qendrore të diskutimit ishte historia e financimit të Széchenyi Chain Bridge, simbolit arkitektonik që bashkoi Budën dhe Pestin dhe që shënoi një kthesë vendimtare në zhvillimin ekonomik e urban të Hungarisë në shekullin XIX.

Ky projekt madhor u bë i mundur falë mbështetjes së bankierit dhe filantropit Georgios Sinas, përfaqësues i një familjeje me rrënjë shqiptare, e cila luajti një rol të rëndësishëm në modernizimin e Evropës Qendrore. Kontributi i familjes Sina në infrastrukturë, arsim dhe kulturë mbetet një dëshmi e ndikimit të heshtur, por të fuqishëm, të familjeve me origjinë shqiptare në zhvillimet e kohës.

Historia e urës së Budapestit nuk është vetëm histori arkitekture; ajo është histori vizioni, sakrifice dhe investimi në të ardhmen. Në këtë kontekst, ajo shndërrohet edhe në metaforë të lidhjeve që shqiptarët kanë ndërtuar ndër shekuj në hapësirën evropiane.

Takimi në Budapest nuk ishte thjesht një rikujtim i së kaluarës, por një reflektim mbi rolin që diaspora shqiptare ka sot në forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, në promovimin e identitetit kombëtar dhe në mbështetjen e projekteve me vlerë kulturore e shkencore.

PhD Dashnim Hebibi theksoi rëndësinë e dokumentimit dhe promovimit të figurave dhe familjeve shqiptare që kanë lënë gjurmë në historinë evropiane, duke e konsideruar këtë një detyrim moral dhe shkencor. Sipas tij, njohja e këtyre kontributeve forcon vetëdijen kombëtare dhe afirmon rolin e shqiptarëve në rrjedhat e mëdha historike.

Vizita dhe takimet në Budapest përfaqësojnë jo vetëm një agjendë institucionale, por edhe një mision simbolik: ndërtimin e urave të reja bashkëpunimi, mbi themelet e historisë dhe vlerave të përbashkëta.

Z. Hebibi e falënderoi Z. Hafuzi për veprën e tij madhore, për punën e palodhur që ka bërë dhe që vazhdon ta bëjë me përkushtim të jashtëzakonshëm. Kjo urë, tashmë e veçantë dhe mbresëlënëse, ka tërhequr shumë turistë, ndërsa financues e saj është një shqiptarë – një fakt që na bën krenarë. Këto i mësuam nga vetë Z. Hafuzi, i cili së shpejti do të na njohë me edhe më shumë detaje rreth bashkëkombasit tonë, Z. Sina.

Z. Hafuzi njihet për vepra konkrete, jo për fjalë boshe apo krekosje. Gjithçka e ka realizuar dhe po e realizon nga xhepi i tij, me një mision të qartë: që gjurmët tona kombëtare të njihen dhe të respektohen kudo. Të përshkruash figurën e tij në pak rreshta është e pamundur, sepse biografia e tij është e mbushur me aktivitete dhe vepra të rëndësishme – nga përkujtimi i Skënderbeut në Eger, te vendosja e veprave të Nënë Terezës në shumë kisha në Hungari, Rumani dhe së shpejti edhe në vende të tjera, si dhe angazhimi i tij i palëkundur për skamnorët, kulturën dhe sportin. Një jetë kauzës sonë kombëtare edhe ate nëpër periudha të ndryshme.

Bankieri dhe filantropi Georgios Sina ka lënë gjurmë të thella në historinë e Europës Qendrore, jo vetëm për financimin e kësaj ure historike, por edhe për mbështetjen e projekteve madhore kulturore dhe shkencore. Ndër veprat më të rëndësishme që ai financoi është edhe Akademia Hungareze e Shkencave, një institucion kyç për zhvillimin e shkencës dhe dijes në Hungari.

Së shpejti do të publikohen edhe informacione të tjera historike, falë kontributit të madh të filantropit Avni Hafuzi, i cili punon me përkushtim të jashtëzakonshëm dhe pa u ndalur – si ora zvicerane me miq të tij hungarez.

Shkurt e shqip, Filantropi Avni Hafuzi nuk është thjesht një kontribuues – ai është vetë histori në veprim. Për më shumë detaje rreth bashkëbisedimit me z. Avni Hafuzi që është duke u marë me vite të tëra për çështjen kombëtare edhe nga Budapesti dhe takimeve të zhvilluara atje, pritet publikimi i plotë i reportazhit të zgjeruar në ditët në vijim, transmeton helveticALforum.ch

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB