-0.5 C
Zurich
Thursday, January 8, 2026
spot_img
spot_img

AUTORJA E VOGËL SHQIPTARE CHANEL BASHHYSA BOTON LIBRIN E SAJ TË PARË NË ITALI 

Duhet ti lexosh

Përgatiti: Angela Kosta, Itali

Gjatë ditëve të festave të krishtlindjeve, në universin e pafund të fjalëve dhe krijimtarisë, ku shpesh letërsia ndërtohet mbi përvojat e të rriturve, doli në treg libri i autores së vogël Chanel Bashhysa, një vajzë 10 – vjeçare, lindur në Aleksandri, e cila na habit dhe emocionon me përrallën e parë: “Michelle dhe ëndrra e saj si princeshë”, botuar nga shtëpia botuese Kubera Book Edizioni në Itali. Libri i saj nuk është thjesht një përrallë për fëmijë: është një vepër e shkruar nga një fëmijë për fëmijët dhe të rriturit që dinë të dëgjojnë e lexojnë me shpirt e zemër.  

Është zëri i një autoreje të re e të vogël, e cila me delikatesë dhe intuitë të thellë, arrin të prekë tema aktuale si: varfëria, shpresa, transformimi dhe vlera e ëndrrave.

Në vazhdim të përrallës, Michelle gjen miqësinë e vërtetë, një tjetër aspekt i rëndësishëm i lumturisë së saj. Ajo takon fëmijë që luajnë dhe kërcejnë, krijon lidhje të ngushta miqësore, mëson të vallëzojë dhe në fund, në kulmin e ëndrrës, performon në teatër, duke marrë duartrokitje të shumta dhe mirënjohje.

Çdo kapitull i përrallës është ndërtuar me kujdes dhe ndjeshmëri: ditëlindja e saj, pritja për ardhjen në jetë të motrës së vogël, bujaria e miqve dhe familjarëve, ndarja e gëzimeve. Eventet dhe momentet më të zakonshme bëhen të jashtëzakonshme, sepse shihen me sytë dhe vizionin e optikës së atyre që ëndërrojnë.

Dhe në fund vjen zgjimi. Ëndrra mbaron, por (ashtu sikurse në përrallat më të bukura), ajo që mbetet nuk është trishtimi, por mirënjohja. Michelle (e së bashku me të edhe Chanel) na lë një mësim e zë të fuqishëm: edhe nëse zgjohemi nga ëndrra, askush nuk mund të na marrë atë çka kemi përjetuar në zemër.

Me këtë libër kaq të bukur, me veprën e saj të parë, Chanel Bashhysa, edhe pse e re në moshë, tregon një pjekuri narrative të jashtëzakonshme. Shkrimi i saj është i pastër, i çiltër dhe evokues. Zgjedhja e fjalëve, ndërtimi i ngjarjeve, koherenca e personazheve dhe harmonia e përgjithshme e veprës tregojnë një ndjeshmëri letrare të rrallë për moshën e saj ende të vogël.

Michelle, vogëlushja protagoniste, jeton në thjeshtësi dhe mungesë të ardhurash. 

Realiteti i saj i përditshëm shënohet nga varfëria dhe brishtësia, por edhe nga aftësia për të shpresuar. Fillimi i përrallës na çon në një shtëpi pa çati, në një dhomë me ushqim të pakët, në një kohë që duket krejt e zymtë nga mjegulla dhe melankolia. Por pikërisht nga ajo tokë “e thatë”, Michelle gjen një libër të fshehur nën tokë.  

Pikërisht ky është element magjik, por edhe simbolik: njohuria, fantazia dhe imagjinata, të cilat kur ruhen me dashuri, arrijnë ta ndryshojnë sadopak jetën.

Narracioni merr fluturimin kur, në ëndërr, Michelle zgjohet në një kështjellë të bukur. 

Atje gjithçka transformohet: nëna e saj bëhet mbretëreshë, babai mbret, kurse ajo vesh një fustan rozë shkëlqyes, simbol i bukurisë e madhështisë së rikthyer.  

Me habi dhe hijeshi, autorja e re Chanel përshkruan çdo detaj, duke e transportuar lexuesin në një botë ku çdo vajzë mund të ndihet e dashur, e veçantë dhe e denjë për t’u ulur në një fron. Por kjo nuk është vetëm një mbretëri luksoze: është një vend i dashurisë, dhe i përkatësisë së identitetit.

Dua të theksoj se tejet i rëndësishëm është edhe kontributi i ilustrueses Silla Maria Campanini, e cila e shoqëron tekstin me ëmbëlsi dhe dorë magjike, si dhe redaktimi nga Angela Kosta, figurë e njohur me përvojë në promovimin e letërsisë rinore e ndërkombëtare. 

E megjithatë, zemra vibruese e veprës është Chanel: pafajësia e saj, fuqia e lehtë, aftësia për të imagjinuar një botë më të mirë, që nis nga errësira por gjen dhe shpërthen dritën e fortë dominuese.

Libri “Michelle e ëndërra e saj si princeshë” është shumë më tepër se sa një lexim i thjeshtë: është një ftesë për reflektim e për të besuar tek ëndrrat, për të mos harruar bukurinë e gjërave të vogla, për të vështruar me kujdes fëmijët, sepse shpesh në ta fshihen shkrimtarë, poetë, artistë e filozofë, të aftë të na tërheqin në botën e tyre të çudirave. 

Përralla e autores Chanel Bashhysa meriton të lexohet, të përhapet e të përkthehet edhe në gjuhë të tjera të huaja. Por mbi të gjitha meriton të dëgjohet, sepse është zëri autentik i fëmijërisë që, pa bujë, na mëson vlerat e vyera të së ardhmes.

helveticALforum.ch

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme