POSTIMET E FUNDIT

Automekaniku Mitat Biljali – preshevari që po shkëlqen në zemër të Zvicrës

Nga Dashnim HEBIBI, Zürich

Höri, Zvicë, 28 shkurt 2026 – Një mjeshtër i mirë do të thotë veturë me më shumë jetëgjatësi. Kur automjeti mirëmbahet me profesionalizëm, përpikshmëri dhe ndershmëri, ai jo vetëm që funksionon më mirë, por edhe zgjat më shumë në kohë. Kujdesi i duhur teknik parandalon defektet e mëdha, rrit sigurinë në rrugë dhe kursen shpenzime të panevojshme. Prandaj, zgjedhja e mjeshtrit të duhur nuk është thjesht çështje komoditeti, por investim në siguri, qëndrueshmëri dhe qetësi për ju dhe familjen tuaj.

Në zemër të kantonit të Cyrihut, në komunën Höri të Zvicra, punon prej më shumë se 35 vitesh një mjeshtër i nderuar i automobilizmit: Mitat Biljali, me prejardhje nga Presheva. Emri i tij është bërë sinonim i përpikërisë, ndershmërisë dhe profesionalizmit, veçanërisht kur bëhet fjalë për veturat e markës Volkswagen, por edhe veturat e tjera. Garazha e tij është plot me klientë. 

Mjeshtërinë e ka fituar dhe përsosur në Zvicër, ku ka ndërtuar një karrierë të gjatë e të suksesshme. Për më shumë se tri dekada, ai ka qëndruar besnik profesionit të tij, duke punuar me ndërgjegje të pastër dhe përkushtim të rrallë. Nuk është nga ata që kërkon reklamë — puna e tij flet vetë.

Screenshot

Që në takimin e parë, të bën përshtypje pastërtia dhe rregulli në punëtorinë e tij. Çdo vegël ka vendin e vet, çdo detaj trajtohet me kujdes. Mitati është nga ata mjeshtër që nuk hezitojnë ta nxjerrin motorin e veturës për ta rregulluar me themel. Teksa e sheh duke punuar, kupton sa e ndërlikuar është zemra e një veture — sa shumë pjesë bashkëveprojnë që ajo të funksionojë si duhet.

“Një defekt i vogël mekanik mund të kushtojë shumë, madje edhe jetën,” thotë ai gjatë bisedës sonë. Dhe kjo nuk është thjesht një fjali profesionale, por një këshillë e sinqertë nga një njeri që e do punën e tij dhe respekton jetën.

Mitati nuk punon me çmime të larta, por me çmime reale dhe të ndershme. Ai beson se cilësia nuk duhet të jetë luks, por standard. Ajo që e dallon është përpikshmëria: atë që e merr në dorë, e përfundon me përgjegjësi të plotë.

Për familjet që udhëtojnë gjatë, madje deri në 20 orë rrugë, siguria e veturës është jetike. “Mos e ngisni veturën shpejt,” këshillon ai. “Shpejtësia nuk është e mirë. Rregullat duhen respektuar jo pse paguajmë gjoba, por sepse në pyetje është jeta jonë dhe e tjetrit.”

Sipas tij, mbi të gjitha duhet t’u kushtohet rëndësi gomave dhe frenave. Natyrisht, e gjithë vetura duhet të jetë në gjendje të rregullt, por këto janë themelore për sigurinë në rrugë. Ai është i drejtpërdrejtë: nëse një pjesë duhet ndërruar, ta thotë menjëherë. “Nga një e keqe e vogël vjen një e keqe e madhe,” thekson ai. Prandaj mirëmbajtja e rregullt është çelësi i sigurisë.

I sjellshëm, i edukuar dhe familjar, Mitati gëzon respektin e klientëve të tij. Duart e tij të arta janë garanci për këdo që kërkon një veturë të sigurt dhe të mirëmbajtur. Ai punon me zemër dhe e do thellësisht këtë profesion.

Pas më shumë se 35 vitesh pune të pandërprerë, ai shprehet i kënaqur me rrugëtimin e tij dhe synon të pensionohet me të njëjtin profesion që e ka nderuar ndër vite. “Me ndërgjegje të pastër dhe profesionalizëm, gjithmonë do të kesh punë,” thotë me bindje.

Dhe vërtet, mjeshtra si Mitat Biljali nuk kanë nevojë për reklamë — ata kanë fituar besimin.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB