9.6 C
Zurich
Thursday, December 18, 2025
spot_img
spot_img

Arti dhe kultura në Dardani

Duhet ti lexosh

Nga Prof. Dr. Luan Përzhita

Gërmimet dhe studimet arkeologjike, në Kosovë në dekadat e fundit po sqarojnë cdo ditë e më shumë historinë antike të ilirëve dardanë që banonin në qendër të Ballkanit. Një drejtim i këtyre zbulimeve kanë treguar se arti dhe kultura tek dardanët ka qenë shumë e zhvilluar dhe herë herë është përfaqësuar dhe ndër popujt e tjerë të botës antike. Por jo vetem arti por edhe qarkullimi monetar, si një fenomen ekonomik i përgjithshëm, ka qenë i shtrirë pothuajse në tërë territorin e Dardanisë. Për herë të parë, shek. IV p.Kr., është qyteti, Damastioni që pret monedhën prej argjendit. Në këtë periudhë (shek.IV-I p.Kr.) te dardanët filluan të qarkullojnë monedha me prejardhje nga treva të ndryeshme; Teba (400-390), Apollonia (Thraki) 350 p.K. Maqedononia, Athina (177-176), Iliria shek. III-I p.Kr., Pelagonia, Paonia etj,. Në shekullin II p.K., shfaqet në qarkullim denari romak, i cili do të jetë më vonë dhe paraja kryesore në Dardani.

Me ardhjen në pushtet të Oktavian Augustit, monedhat kryesore, ishin prerje të perandorëve romakë ose anëtarëve të familjeve të tyre, por përveç Senatit, e drejta e emetimit të parasë iu dha edhe provincave, qyteteve dhe njësive të ngjashme administrative të cilat prodhonin kryesisht monedha bronzi dhe bakri, të destinuara për tregtinë lokale, kjo si një domosdoshmëri që lidhej me likuidimin e pagesave të personelit të administratës romake, si dhe për funksionimin më të mirë të minierave, bujqësisë dhe të gjitha aktiviteteve ekonomike.

Në qarkullim kishte edhe disa prerje të tjera të vogla bronzi (quadrances), të emetuara gjatë mbretërimit të Trajanit dhe Hadrianit. Këto monedha kishin në faqe kokën e perandorit, ndërsa në shpinë një personifikim femëror me mbishkrimin Metalla Ulpiana, siç ishte monedha e emetuar në minierat e zonës së Prishtinës dhe tipi tjetër me mbishkrimin “Dardanici”, që vjen nga minierat e Kopaonikut. Këto të fundit kishin të paraqitur figurën e një hyjneshe, e cila mendohet të jetë Hyjnesha Dardane. Po ashtu, me interes është dhe zbulimi në Lipjan i një prej depove më të mëdha me centenionalet e Konstantinit të Madh dhe anëtarëve të familjes së tij, si dhe medaljoni i rrallë i perandorit Prob. Sasia e monedhave në qarkullim në këto territore u rrit gradualisht deri në mesin e shekullit IV m.Kr., periudhë kur fillojnë të shfaqen në Dardani monedha të perandorëve romakë të Lindjes.

Arti dhe kultura pasqyrojnë një dukuri tjetër të kësaj periudhe në Dardani. Nisur nga materiali plastik zbuluar te dardanët është konstatuar se, krahas prodhimit të importit që është prezent që nga shekulli I m.Kr., prodhimi lokal i skulpturave që lidhet me kultin, shfaqen në shekullin e II m.Kr. Gjatë shekullit të III dhe në fillim të shekullit IV, në qytetin e Naisit ishin ngritur atelie të nivelit të lartë, të specializuara për prodhimin e veprave të plota në skulpturë.

Nga fundi i shekullit II dhe deri në shekullin IV, me vlerë paraqitet dekoracioni plastik i aplikuar në stelat e varreve, që paraqet elemente të artit dardan të përhapur në këtë rajon. Mozaiku polikrom i Orfeut rrethuar me shtazë, mozaikët në Nerodime me shtatë mendimtarë grekë, monumenti i Hyjneshës Dardane me dy labirinthe apo, nekropolet e pasura të Ulpianës, të Municipium DD dhe të Vendenis në të vërtetë, i takojnë fondit të kulturës materiale provinciale romake, por që kanë fituar tashmë veti të reja. Objektet e vlefshme artizanale me vlera artistike nga nekropolet dhe vendbanimet e kësaj periudhe pasqyrojnë nivelin e zhvillimit kulturor. Artistët në punimet e tyre kanë dhënë figura te skalitura njerëzish, me prejardhje nga arti tradicional dardan, ku ndër tiparet e tyre dalluese janë veshjet popullore dhe stolitë.

Në shekullin III- IV ndryshimet bëhen më të larmishme në disa lloj stolish si dhe në veshjet tradicionale të popullsisë dardane, siç është rasti i kapitelit të zbuluar në Çifllak i cili paraqet në dy anët e tij pamjen e një vajze dardane. Stelat e varreve kanë ruajtur mjaft elemente autoktone, si në anën arkitektonike ashtu dhe stilistike të tyre ku veçojmë kombinimet e hardhisë së rrushit me gjethet e lerthit që gjenden në bustin e Hyjneshës Dardane nga Kllokoti, në monumentet e Perëndeshës dardane nga Rumania apo në shtatoren e Hyjneshës nga Theranda. Studiuesit nënvizojnë se në stelat:.. dallohen elemente vendëse, gjuha vulgare latine dhe onomastika, si dhe emrat ilirë siç janë Longarus, Bato, Monunius, Etuta, Andia, Anna, Cinna, Dasius/Dassius, Epicaris, Tata/Tatta etj,.

Në Dardani ndër perënditë dhe kultet më të njohura ishin Jupiteri, Minerva, Furtuna (mbrojtëse e familjes Furija në Ulpianës), Merkuri dhe Diana; perënditë që vinin nga lindja, siç ishin Mitra, Izida, Serapisi dhe Jupiteri Dolihen dhe perënditë helene Nemezisi, Orfeu, Hekata, Asklepi, Higia dhe Telesfonti, të zbuluara në qendrat kryesore si në Nais, Skup, Ulpianë, Muncipium D.D dhe në treva të tjera dardane. Jupiterit i kushtohet një mbishkrim nga Peja: I(upiter) O(ptimo) M(agno)/ P(ublius) Ael(ius) Cel(erinus?)/ sinus/ dec(urio) l(ibens) p(osuit), që është një nga perënditë më të privilegjuara nga dardanët, fenomen ky i ngjashëm edhe me provincat e tjera fqinje, si për shembull në Dalmaci. Epiteti, me të cilin shoqërohet më shumë emri i Jupiterit, është Maximus, por ndonjëherë ndeshet edhe Dolichenus apo Capitolinus.

Ndërkohë që në Ilirinë e Jugut, dedikimet mbi Jupiterin janë më të pakta në krahasim me Dardaninë dhe Dalmacinë. Kemi vetëm një shembull nga Bylisi, ku Jupiteri shoqërohet me epitetin Sabasios dhe një tjetër nga territori i kolonisë së Dyrrachiumit. Jupiterit i dedikohen dy altarë nga Suhareka, por në këtë rast nuk paraqiten emra të tjerë përveç se IOM në atë të gjetur në zonën e Reqanit, dhe IOM /…]RTAI në atë të gjetur në Samodrazhë. Përveç këtij altari, Suhareka na ofron edhe shumë fragmente të tjera arkitektonike. Ndërsa një mbishkrim nga Istogu dokumenton një tjetër perëndi shumë të rëndësishme për dardanët e periudhës romake, Merkurin, i cili gjithashtu, është dokumentuar edhe më parë në zonën e Pejës. Edhe në këtë rast, personazhi që bën dedikimin, i përket një personi që e ka fituar qytetarinë në kohën e Trajanit, pasi edhe ai ka cognomen Ulpius.

Një tjetër informacion me vlerë, përsa i takon jetës religjoze në Dardani gjatë periudhës romake, na pasqyrohet nga mbishkrimi i Zllakuqanit në Klinë. Bëhet fjalë për një altar që i kushtohet perëndeshës egjiptiane Isis: Daeae/Isidis/Eufro/nius/votum, që dëshmon praninë e kulteve orientale në territorin e Dardanisë gjatë shekullit III p.Kr., kjo me sa duket për shkak të ushtarëve me origjinë lindore në ushtrinë romake, stacionuar që nga periudha e Hadrianit në provincat e Ilirikut. Vihet re se në Dardani është respektuar pak a shumë pjesa më e madhe e panteonit romak, duke përfshirë dhe perënditë e tjera me origjinë lindore si Mitra dhe Dielli që i takojnë shekullit III.

Natyrisht, mendojmë se në përhapjen e këtij kulti në Kosovë, rol parësor luajti Via Lissus-Naissus. Isis është e pranishme edhe në Ilirinë e Jugut. Disa mga emrat e përmendur në mbishkrimet latine janë Aurelio, Dassio dhe Claudius Maximu. Nga këta të tërheq vëmendjen emri Dassius, i cili është dokumentuar edhe më parë në territorin e Kosovës, më konkretisht në një stelë kushtuar një ushtari romak, gjetur pranë Prishtinës. Njëkohësisht janë vërejtur perëndi të ndryshme, siç është rasti në fshatin Bajicë ku është zbuluar një altar kushtuar hyjit Sivano Deo, i cili nderohej nga fiset ilire, respektivisht dhe ato dardane.

Prezenca e kultit të perëndeshes dardane“Dea Dardanica” është dëshmuar nga ana epigrafike në qendrat e ndryeshme të pjesës qendrore dardane, si në altarët me dekurim plastik të Gllamnikut të sotëm, dhe në Smirë të Vitisë afër Gjilanit.

Monumenti nga Smira, përkatësisht labirinthet e relievuara në faqet anësore, njëri rrethor dhe tjetri katërkëndësh, i përbërë nga një kompozicion më i gjerë me domethënie të thellë filozofiko-religjioze, paraqet sfondin e krijuar shpirtëror e mendor të dardanëve që përqendrohet te funksione të shumta të Perëndeshës dardane. Edhe busti i njohur i Gruas nga Kllokoti (II-III) duket të jetë po ashtu personifikim i kësaj perëndeshe, pasi ka ngjashmëri me paraqitjet figurative të Deas nga monumentet e Rumanisë. Nga mbishkrimi i gjetur në Banja e Kushumlisësë sotme përmendet se në trevën e Dardanisë është ngritur një tempull Dea Dardanica para fundit të shekullit II. / GDielli

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme