Ekspozita “Gjurmët në Medalione” në Ambasadën e Kosovës në Bern shënon Festën e Flamurit me art, muzikë dhe krenari kombëtare
Bernë, 28 Nëntor 2025 – Ambasada e Republikës së Kosovës në Bern, në kuadër të aktiviteteve për nder të 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, daljes së parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ditëlindjes së heroit Adem Jashari – organizoi mbrëmë ekspozitën artistike “Gjurmët në Medalione” të artistes Valbona Gashi Shala.

Mbrëmja solemne u hap me interpretimin e ndjeshëm të Himnit të Kosovës nga Gentiana Tafilaj, e cila me zërin e saj të pastër i dha fill një atmosfere të përkushtuar e të respektueshme. Festiviteti u pasurua më tej nga kori “Lulekuqet” nga Berna, që solli emocione të forta me këngë heroike dhe me interpretimin e Himnit Kombëtar.
Një moment i veçantë i aktivitetit ishte edhe performanca me lahutë e Oliver Dushit, i cili me këngët kushtuar Skënderbeut ngjalli ndjenjën e krenarisë dhe të lidhjes së pandashme me rrënjët kombëtare.
Të pranishmit i përshëndeti ambasadori Mentor Latifi, ndërsa zv. ambasadorja Shukrije Ramadani foli për artin e Valbona Gashi Shalës, duke shpjeguar frymëzimin, simbolikën dhe mesazhet që artistja përcjell përmes veprave të saj.

Ekspozita “Gjurmët në Medalione”, e realizuar me një stil të veçantë dhe me theks në identitetin historik e kulturor, u prit me interesim të madh nga pjesëmarrësit, njofton Ambasada e Reublikës së Kosovës në Bernë.

Atmosfera e mbrëmjes u vlerësua si një moment i rëndësishëm i bashkimit dhe i afirmimit të kulturës shqiptare në diasporë. Punimet e artistes Valbona Gashi Shala do të qëndrojnë të ekspozuara edhe nesër, gjatë festës së ansamblit “Trojet”, duke u dhënë mundësi vizitorëve të tjerë të njihen me krijimtarinë e saj.

Ky aktivitet shënoi jo vetëm një festë kombëtare, por edhe fuqizimin e artit dhe kulturës shqiptare në zemër të Evropës, transmeton helveticALforum.ch




