POSTIMET E FUNDIT

Arsim Bajrami thirrje për unitet politik dhe ofron kandidaturë konsensuale për President

Anëtari i rregullt i Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, prof. dr. Arsim Bajrami, i është drejtuar me një letër të hapur liderëve të partive kryesore politike në vend, duke bërë thirrje për unitet politik në funksion të zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës. Njëkohësisht, ai ka shprehur gatishmërinë e tij për të qenë kandidat konsensual për këtë post, nëse një gjë e tillë do t’i shërbente stabilitetit institucional dhe shmangies së krizave politike.

Në letrën drejtuar kryeministrit dhe kryetarit të Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, si dhe kryetarëve të Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, Bajrami thekson nevojën për tejkalimin e dallimeve partiake me qëllim shmangien e krizave të panevojshme institucionale, rrezikut të shpërndarjes së Kuvendit dhe mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.

Sipas tij, Republika e Kosovës po përballet me sfida komplekse gjeopolitike dhe të sigurisë, të cilat kërkojnë maturi shtetërore, unitet politik dhe përgjegjësi të lartë institucionale. Në këtë kontekst, ai nënvizon se roli kushtetues i Presidentit duhet të jetë unifikues, mbi-partiak dhe në shërbim të unitetit politik e qytetar.

Bajrami rikujton përvojën e tij shumëvjeçare në të gjitha fazat kyçe të shtetndërtimit të vendit, që nga vitet ’90, përfshirë kontributin në hartimin e akteve themelore kushtetuese, angazhimin politik dhe juridik gjatë luftës së Ushtria Çlirimtare e Kosovës, si dhe pjesëmarrjen në negociatat ndërkombëtare në Rambuje dhe në procesin e Vjenës për pavarësinë e Kosovës.

Ai thekson se ka njohuri të thelluara për sistemin kushtetues, juridik dhe institucional të vendit, si dhe për mekanizmat e funksionimit të institucioneve në planin vendor dhe ndërkombëtar. Po ashtu, ai vlerëson se ndër vite ka ndërtuar bashkëpunim korrekt institucional dhe dialog konstruktiv me të gjitha subjektet politike.

Në fund të letrës, Bajrami shpreh bindjen se i plotëson kushtet profesionale, politike dhe morale për një kandidaturë konsensuale, duke vënë theksin në përkushtimin ndaj unitetit kombëtar, forcimit të rendit kushtetues dhe përmbylljes së procesit të shtetndërtimit, në shërbim të qytetarëve dhe perspektivës evropiane të Republikës së Kosovës./BS

Ai vlerëson gjithashtu qëndrimin e Prof. Dr. Murat Jasharit dhe familjes Jashari, duke e cilësuar atë si dinjitoz, parimor dhe në frymën e përgjegjësisë kombëtare. Njëkohësisht, Bajrami shpreh gatishmërinë për angazhim të vazhdueshëm në mbrojtje të karakterit çlirimtar të luftës së UÇK-së dhe kundër çdo përpjekjeje për demonizimin apo rishikimin selektiv të historisë nga Dhomat e Specializuara.

Me këtë thirrje publike, Arsim Bajrami pozicionohet si një figurë që synon të kontribuojë në ndërtimin e një konsensusi të gjerë politik, në një periudhë që ai e cilëson si vendimtare për stabilitetin institucional dhe të ardhmen euroatlantike të vendit. /BS

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB