2.6 C
Zurich
Tuesday, November 18, 2025
spot_img
spot_img

Arian Leka me “anën e fshehur” të Shqipërisë në Festivalin Botëror!

Duhet ti lexosh

Libri i shkrimtarit shqiptar Arian Leka, ”Ana e fshehur e kopshtit socialist shqiptar”, u përurua këtë javë në edicionin e 13-të të Festivalit Botëror të Letërsisë në Zagreb.

Vepra tërhoqi vëmendjen e publikut dhe kritikës për rrëfimin e veçantë, që ndërthur mjeshtërisht historinë personale të autorit me ngjarje kyçe të historisë së Shqipërisë. I botuar nga shtëpia botuese prestigjioze “Fraktura” libri përmban 20 ese të shkruara në anglisht nga autori në harkun e 10 vjetëve (2015-2025) si dhe një intervistë të gjatë në formë dialogu në distancë me përkthyesen e njohur Željka Somun. Përveç autorit dhe përkthyeses në vepër përfshihet edhe fotografi Michel Setboun, punimet e të cilit, kalojnë përtej ilustrimit, duke i dhënë dimension viziv këtij botimi.

Paneli përurues u hap me një hyrje nga drejtori i Festivalit, z. Seid Serdareviæ, i cili vlerësoi krijimtarinë e autorit duke u shprehur se “këto tekste sjellin një rrëfim origjinal e të thellë, ku kujtesa dhe përvoja personale e Arian Lekës ndalen në ngjarje vendimtare të historisë së Shqipërisë së djeshme. Prej tyre, autori ndërton reflektime që lidhen edhe me shoqërinë shqiptare të sotme, duke i dhënë tekstit një dimension më të gjerë se thjesht një kujtim apo evokim i një epoke.”

Më pas skena iu la temës “Shkrimtari dhe lexuesi i tij”, ku autori zhvilloi një bisedë të gjallë me përkthyesen e veprës, Željka Somun e cila u shpreh se “përmes këtij libri Leka sjell atë që shpesh mbetet e fshehur – jetët e zakonshme që kanë formuar historinë e Shqipërisë, ku Arian Leka e përfshin veten në përvojat e një shoqërie që ka kaluar nga diktatura drejt tranzicionit.” Shkrimtarja dhe profesoresha Korana Svilar, që moderoi bisedën, në ndërhyrjet e saj demonstroi se si letërsia e fuqishme mund të jetë një urë lidhëse midis kujtesës personale dhe kolektive, por edhe midis kulturave dhe se përmes këtij libri lexuesit i ofrohet mundësia të zhytet në zërin unik të Lekës, brenda të cilit ndërthuren historia, poezia dhe mendimi kritik ndaj së tashmes.”

Autori hodhi dritë mbi aspekte pak të njohura të realitetit shqiptar, duke ndarë kujtime nga Durrësi i fëmijërisë, përjetimet nën diktaturë, reflektime mbi shoqërinë e sotme shqiptare. Vëmendja e audiences u ndal në stilin e veçantë të autorit që, duke marrë shkas nga ndodhi të vogla të përditshmërisë shqiptare, rajonale dhe europiane, krijon metafora e simbolika e veçantë, ku përvojat e ashpra të jetës zbuten përmes gjuhës dhe përfytyrimeve poetike të autorit, për të krijuar një portret emocional dhe autentik të një periudhe të ndërlikuar historike për shqiptarët.

Një dialog interesant u zhvillua edhe mbi çështjen e kulturës dhe arsimit në shoqëritë autoritare. Zeljka Somun preku “paradoksin shqiptar”, duke thënë se, “ndonëse regjimet totalitare synojnë të mbajnë qytetarët të paarsimuar dhe larg kulturës, në Shqipërinë e Enver Hoxhës ndodhi e kundërta.” Arian Leka theksoi se anomalia qëndron në faktin se, edhe pse arsimi u masivizua dhe u zhvillua, vendi mbeti represiv. Sipas tij, arsimi, që solli progres, u përdor si mjet kontrolli, jo çlirimi, si instrument indoktrinimi, jo si nxitës i mendimit të pavarur. Shkollat kontrolloheshin përmes programeve pa pluralizëm mendimi, ndërsa “dijet ndryshe” të Perëndimit, sidomos në fushat humanistike, ishin të ndaluara. Kjo, sipas Lekës, shërbeu për të zvogëluar aftësinë e rezistencës, pasi qëllimi i autoritarizmit është të prodhojë njerëz të disiplinuar. Në bisedë u përfshi edhe Korana Slivar, e cila e aktualizoi temën duke e lidhur me format e kontrollit të dijeve dhe praninë e propagandës në kohët moderne. Leka solli përvojat e tij, duke vënë në dukje se regjimet populiste sot, ngjashëm me shoqëritë nën diktaturë, nuk mbështesin mendimtarë kritikë, por besnikë ndaj urdhërave. Ai shpjegoi “paradoksin shqiptar” në kulturë dhe arsim i shërbeu pushtetit për të përfituar nga “ekonomia e prestigjit”: Enver Hoxha fitoi të drejtën të pretendonte për superioritet moral ndaj pushteteve paraardhëse dhe ndaj praktikave kapitaliste, duke e paraqitur programin e tij për arsim “falas” si shenjë progresi e barazie sociale dhe duke e paraqitur modelin shqiptar si “histori suksesi”, pavarësisht izolimit të vendit dhe mungesës së lirive. Leka kujtoi idetë e Marcel Mauss mbi detyrimet që lindin nga dhurata, duke theksuar se ato mbeten aktuale në sistemet politike të sotme, të cilat prodhojnë qytetarë të varur nga “dhuratat” politike, shtetërore.

Diskutimi mes autorit, përkthyeses Željka Somun dhe shkrimtares Korana Svilar nuk ishte vetëm një prezantim letrar, por një udhëtim mbi rrugën që bëri libri deri në botim, njohja me krijimtarinë e Arian Lekës dhe përgatitja e lexuesit kroat për letërsinë e Arian Lekës, mbi sfidat e përkthimit në Europën Juglindore etj. Duke iu përgjigjur pyetjes së publikut se pse ai i referohet aq shpesh detit në krijimtari, Leka iu përgjigj, mes të tjerash se “ …ishte e vërtetë se armiqtë vinin nga det, por edhe kultura dhe miqtë vinin po nga deti…, prandaj vazhdoj ta shoh detin.”

Përurimi i librit Ana e fshehur e kopshtit socialist shqiptar në Teatrin Kombëtar të Kroacisë e vendos letërsinë shqiptare në një skenë të re ndërkombëtare, duke e bërë krijimtarinë e Arian Lekës një zë të rëndësishëm të kujtesës dhe rrëfimit historik në Ballkanin bashkëkohor dhe ndër autorët shqiptarë më të ndjekur e të vlerësuar në skenën ndërkombëtare të letërsisë. Ajo vë në qendër jo vetëm një shkrimtar të njohur shqiptar, por edhe një qasje të re ndaj historisë dhe letërsisë së rajonit, pasi libri i Lekës, siç u theksua në takim “përfaqëson një zë të dallueshëm në dialogun kulturor të sotëm, ku e shkuara shihet si mjet për të kuptuar të tashmen.

Shtëpia botuese Fraktura e shoqëron librin me tekstin në paskopertinë, ku theksohet dimensioni simbolik dhe emocional i veprës. Festivali Botëror i Letërsisë mbetet një arenë prestigjioze, që ka mirëpritur emra të shquar si Svetlana Aleksijeviè, Jon Fosse, Annie Ernaux, Olga Tokarczuk, David Grossman e shumë të tjerë, duke forcuar dialogun mes letërsive botërore. Gjatë festivalit, Leka dha intervista për “Jutarnji list”, “Express Weekly”, “Fraktura – najbolja literatura” dhe Televizionin Publik kroat, duke zgjeruar jehonën e veprës.

Nga pasthënia e botimit: Përmbledhja e eseve të njërit prej shkrimtarëve më të rëndësishëm bashkëkohorë shqiptarë ofron një vështrim në historinë sociale dhe emocionale të një intelektuali që është rritur dhe ende jeton në Shqipëri. Leka flet me mprehtësi dhe hollësi për imazhin e Perëndimit, identitetin dhe forcat e padukshme që formësojnë shoqërinë shqiptare. Ky libër hedh dritë mbi atë që ka qenë e padukshme dhe e panjohur, duke zbuluar historinë shoqërore dhe emocionale të një intelektuali dhe artisti që ka jetuar në Shqipëri gjatë sundimit të Enver Hoxhës dhe vazhdon të jetojë aty edhe sot. Në gjysmën e dytë të shekullit XX, Shqipëria ishte një nga shtetet më të izoluara dhe të kontrolluara në Europë.

Sot, kur pothuaj trefish më shumë shqiptarë jetojnë jashtë vendit sesa brenda tij, përmbledhja e eseve Ana e fshehur e kopshtit socialist shqiptar ofron një vështrim mbi atë që ka qenë e padukshme dhe e panjohur, duke na përballur me përvojën emocionale dhe sociale të intelektualit dhe artistit të rritur në regjimin totalitar e të mbetur pjesë e realitetit shqiptar.

Daša Drndiæ: “Arian Leka është një autor jashtëzakonisht interesant i letërsisë bashkëkohore shqiptare – poet dhe eseist. Maturia krijuese dhe stili i tij shumëplanësh shfaqen qartë në tekstet që janë përkthyer në pesëmbëdhjetë gjuhë të ndryshme. Në këtë përmbledhje esesh, Leka analizon me thellësi gjuhën dhe kulturën e vet, si dhe mënyrën si shqiptarët kanë perceptuar Perëndimin dhe “Të tjerët”, duke i shtyrë lexuesit të rishqyrtojnë paragjykimet mbi Shqipërinë. Lexuesi i interesuar për tranzicionin në ‘burgun më të bukur në botë’ nuk ka pse kërkon në enciklopedi apo analiza shoqërore për rënien e totalitarizmit: gjithçka gjendet në këtë libër. Këtu kuptohet më mirë dëshira njerëzore për të qenë i lirë dhe vetvetja, përballë sfidave që solli rënia e një ideologjie në Shqipëri. Me ngrohtësi dhe qartësi, ky tekst do t’ju mjaftojë për të dashur atë që s’e keni njohur e për të harruar atë që e keni ditur gabim.”

Në esetë brilante të këtij shkrimtari shqiptar ka kambana melodioze: tregime të shkurtra të ndriçuara nga errësira dhe një rrëfim i madh i formësuar nga shpresa. Një stilist që shfleton kujtimet pa u frikësuar të ndriçojë një epokë të vdekur të vendit të tij. Me qetësi monastike dhe forcë intelektuale, përmes Adriatikut e Jonit e deri në malet verilindore, toka e vjetër çlirohet dhe hapet një gëzim i ri. Trishtimin e lëmë pas dhe besimin në një jetë të re e marrim si udhërrëfyes.

Nisur nga konstatimi që Shqipëria është një nga të paktat vende në Europë që i është mohuar lidhja me detin, Leka përdor një gjuhë të zhdërvjellët për të paraqitur forcat që kanë ndikuar në jetën dhe ndërgjegjen e shqiptarëve, duke dekonstruktuar realitetin tonë të përbashkët. Si ndodhi që Mare Nostrum (deti ynë) u shndërrua në Mare Monstrum (det përbindësh)? Dhe pse hartat meteorologjike kombëtare fshijnë vende e qytete, sikur moti të shndërrohej në kategori politike?

Libri Ana e fshehur e kopshtit socialist shqiptar dhe esetë e tjera tregon se nuk duhet të shqetësohemi për atë që është e fshehur, por për atë që nuk duam të shohim.” Përktheu nga kroatishja: Astrit Beqiraj, transmeton gtema.

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Artikujt e fundit