POSTIMET E FUNDIT

Ardita Sinani ngre zërin për Luginën e Preshevës në Samitin e Diasporës në Tiranë

Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka shfrytëzuar pjesëmarrjen e saj në Samitin e IV të Diasporës në Tiranë për të ngritur një nga çështjet më të ndjeshme për shqiptarët në rajon: diskriminimin e vazhdueshëm ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës nga Serbia.

Në ceremoninë hapëse të këtij samiti të rëndësishëm mbarëshqiptar, që po mbahet në Pallatin e Kongreseve, Sinani u mirëprit nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj. Ajo e cilësoi pjesëmarrjen si një nder të veçantë, duke theksuar rëndësinë e përfaqësimit të Preshevës në një forum të tillë me përmasa kombëtare.

Gjatë qëndrimit të saj në Tiranë, Sinani zhvilloi takime edhe me figura të tjera të larta politike, përfshirë kryeministrin Edi Rama, kryetarin e Kuvendit Niko Peleshi, si dhe ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha.

Samiti, i cili zgjat tre ditë, mbledh përfaqësues politikë dhe institucionalë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Lugina e Preshevës dhe diaspora shqiptare. Në këtë kuadër, Sinani do të jetë pjesë e njërit prej 18 paneleve të planifikuara, ku pritet të trajtojë drejtpërdrejt sfidat me të cilat përballen shqiptarët në Luginë.

Ajo theksoi se përgjegjësia e përfaqësimit është e madhe, duke e cilësuar Luginën e Preshevës si një hapësirë të vogël në hartë, por me peshë të jashtëzakonshme historike dhe kombëtare. Sipas saj, diskriminimi që vjen nga Beogradi është i vazhdueshëm dhe shpesh i heshtur, por me pasoja të rënda për popullsinë shqiptare.

“Gjatë këtij Samiti, do të punoj që këtë diskriminim të heshtur ta kthejmë në një forcë të përbashkët dhe të zhurmshme,” është shprehur Sinani, duke bërë thirrje për veprime konkrete dhe bashkërendim më të madh institucional.

Në përmbyllje, ajo e cilësoi situatën në Luginën e Preshevës si një nga plagët më të mëdha të shqiptarëve sot, duke kërkuar që kjo çështje të marrë vëmendjen dhe mbështetjen e merituar në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, transmeton rtk.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB