Nga Dashnim HEBIBI
Ardit Arifaj, ish-luftëtar i lirisë, i cili në ditët më të mira të rinisë veshi uniformën çlirimtare për të kontribuar në luftën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, sot vazhdon të mbetet shembull i përkushtimit dhe vlerave atdhetare. Ai jeton me familjen e tij në kantonin e Cyrihut, ku njihet jo vetëm si veprimtar aktiv, por edhe si bamirës i heshtur dhe sportist i palodhshëm.
Me prejardhje nga rrethina e Deçanit, Arditi ka ruajtur gjithmonë lidhjet e tij me vendlindjen dhe idealet e saj. Për të mbajtur trupin dhe mendjen në formë, ai ushtron rregullisht dhe e ka kthyer disiplinën sportive në stil jetese. Synimi i tij është i qartë: të kujdeset për trupin, shëndetin dhe energjinë e tij, por edhe t’i motivojë të rinjtë që të ndjekin të njëjtën rrugë.

Foto kujtimi me liderin e AAK-së, z.Ramush Haradinaj
Sipas Arditit, sporti është shëndet, jetë dhe një mbështetje e madhe për zhvillimin e karakterit, prandaj ai i fton vazhdimisht të rinjtë të jenë aktivë dhe të punojnë për veten.
Në një foto që ka ndarë së fundmi me miqtë e tij, Arditi e shoqëron me humor e thjeshtësi, duke e përshkruar veten me fjalët:
“Tiger i Deçanit, baco, hahah!”,
një përshëndetje e sinqertë për të gjithë zemërmirët dhe atdhetarët.
Ardit Arifaj mbetet një figurë që frymëzon – me rrugëtimin e tij, me vlerat që përçon dhe me mesazhin e tij të qartë:
Të jetosh me dinjitet, të punosh për veten dhe për shoqërinë, e të mos harrosh kurrë rrënjët e tua.




