Kartela të Realizmit të Dënuar”: Terenc Toçi.
Nga Visar Zhiti
Terenzio Tocci, nga Strigari i Zef Serembes në Kalabri, Itali, ku dhe u shkollua, në Shën Mitër, në kolegjin iluminist të De Radës. Kishte sindromin e bukur të dheut amë, të lirisë së tij dhe erdhi në Shqipëri. Ngriti Flamurin në Mirditë, një vit më parë se Ismail Qemali të shpallte pavarësinë e vendit, shkëputjen nga perandoria e mbetur otomane. Kryengritës nga natyra, i edukuar me frymën e fisit të vet, që nxirrte vazhdimisht kryengritës të çartuar që i pushkatonin, Terenc Toçi laurohet për Jurisprudencë në Universitetin e Urbinos në fillim të shekullit XX, punon në Romë, merret me “çështjen ballkanike” dhe vendos të luftojë me armë për vendin e të parëve. Ishte lidhur me djalin e Garibaldit, përbashkuesit të Italisë, garda e të cilit kishte qenë arbëreshe, dhe kurdisin një plan: Terenci do të vinte në Shqipëri, në Veri, do të kryesonte Kuvendin e Besës në Orosh për të krijuar një qeveri të përkoshme, kurse djali i Garibaldit, Riçoti, do të zbarkonte në bregdetin shqiptar me vullnetarë italianë, që do të sillnin armë. 30.000 kryengritës shqiptarë ishin gati tashmë, por ndihma nga bregu tjetër po vononte padurueshëm.
Plani qe penguar… Qeveria italiane… Evropa… s’dihej si e qysh.
Arbëreshit i hipin xhindet, inatin shqiptar e zbraz dhe në gazetat italiane. E ç’të bëjë tani për Shqipërinë? Themelon në Romë “La Rivista dei Balcani” dhe shkon në Shkodër, hap tjetër gazetë me emër mali “Taraboshi”, mbron Shqipërinë duke u sulur mbi këdo, edhe mbi Romën, megjithëse Italinë e mendonte aleaten e natyrshme të dheut amë.
Nën shembullin e Pashko Vasës boton dhe ai “Shqipëria dhe shqiptarët”. E thërrasin në Itali, ushtar në frontet e Luftës së Parë Botërore. Nxjerr revistën e re “Italia dhe Shqipëria”. Bashkohet me Ahmet Zogun. Merr detyrën e Prefektit në Korçë, pastaj drejtor i Zyrës së Shtypit në Tiranë, deputet i Shkodrës, Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Egjipt, kryetar i Kazacionit, Sekretar i Përgjithshëm i Republikës Shqiptare.
Katër vajzat e tij studionin në Tiranë. Dhe beson te fashizmi, ashtu si Croce dhe D’Anunzio, “rilindësit garibaldianë”. E mendonte dhe si zgjidhje për Shqipërinë dhe çështjen kombëtare. Pushtimi italian e bashkoi Kosovën, po ëndërronte Çamërinë, ndërsa e dënoi sulmin ndaj Greqisë. Me nazistët gjermanë nuk u përzie, por erdhën partizanët dhe ai s’iku, s’kishte pse, se me këdo që vinte, ai punonte veç për Shqipëri.
Kështu tha dhe në gjyq, kur e nxorën të lidhur bashkë me personalitete të tjera aty te kinema “Savoja”, që ishte bërë Teatri Kombëtar, në një nga lozhat e së cilës vëzhgonte me monokël diktatori i ri Enver Hoxha. “Pushkatim!” – ulërinte partizani i bërë gjeneral, Bedri Spahiu, i cili kishte pushtuar dhe vilën e Terencit, duke e mbyllur në bodrum familjen e tij. Po biblioteka e tij, mijëra vëllime, botime edhe të shekullit XIV, edhe pergamena, çdo të bënin me të fitimatrët?
Të 17 vetat e gjyqit i hipën në një kamion të mbetur nga lufta. Ishte prill ’45. Dhe një gropë e madhe, e pamëshirshme si krimi. Në muzg qëlluan mbi ta, breshër plumbash…
…dhe mbas 50 vjetësh, kur kishte rënë perandoria komuniste, u gjetën skeletet e tyre. Skeletet e historisë…
PËRTEJ KARTELËS…
– Terenc Toçi në SHBA –
Në fillim të shekullit XX, diaspora shqiptare në Shtetet e Bashkuara u bë qendra më e rëndësishme e çështjes kombëtare, e pavarësise së Shqipërisë. Në këtë mjedis të ri politik e shoqëror mund të themi se u përshfaqën dhe tre figura që për nga formimi, prejardhja dhe vizionet ndryshonin, por që i bashkonte e njëjta frymë, çlirimi i atdheut dhe krijimi i një shteti modern europian. Shkëlqyen Imzot FAN NOLI, perëndimori FAIK KONICA dhe… Në vitet kur mbërriti Toçi në SHBA, Fan Noli ishte tashmë figurë qendrore në koloninë shqiptare të Bostonit, drejtues i shoqërisë “Besa-Besë”, organizator komunitar dhe orator që po formësonte mendësinë politike të emigrantëve.
Noli shquhej për vizionin e tij demokratik, iluminist dhe për aftësinë për të mobilizuar njerëzit.
Konica do te drejtonte dhe gazetën “Dielli” dhe ishte një nga mendjet më të skalitura të diasporës. Elegant, kritik dhe i rreptë ndaj mungesave të shoqërisë shqiptare, Konica punonte për të krijuar një filozofi shtetformuese moderne. Njohës i thellë i historisë së atdheut dhe Ballkanit, ai sillte në SHBA përvojën e gjatë intelektuale nga Franca, Belgjika e Anglia.
Terenc Toçi mbërriti në SHBA më 1908–1909 në një mision të qartë: t’i bashkohej diasporën shqiptaro-amerikane për çështjen e lirisë së Shqipërisë. Përfaqësues i ëndrrës Toçi arbëreshe të Rilindjes, i sillte diasporës së re një vizion historik, europian dhe kulturor. Toçi u vendos në qendrat e Bostonit dhe të New Yorkut, aty ku Noli dhe Konica ushtronin aktivitetin e tyre.
Ka të dh;ena se Toçi mbante ligjërata mbi historinë, rolin e arbëreshëve, domosdoshmërinë e autonomisë. Noli, i cili kërkonte të ngrinte vetëdijen politike të kolonisë, e përkrahu frymën e këtij misioni.
Edhe me Faik Konicën, Toçi pati kontakte korrekte dhe të respektuara. Konicës i interesonte që diaspora të merrte një rol më aktiv në çështjen shqiptare, gjë që misioni i Toçit e ndihmoi drejtpërdrejt.
Kjo bashkëveprimësi përgatiti rrugën për krijimin e Federatës Panshqiptare “VATRA” më 1912, një arritje e madhe, me largpamësi mbi një shekullore…
Diaspora shqiptare në SHBA u aktivizua më fuqishëm në mbështetje të çlirimit të atdheut, që do të ndikonte drejtpërdrejt në ngjarjet e vitit 1911 dhe 1912.
VIT HISTORIK DHE 1911
– Kryengritja e Mirditës dhe Flamuri në Orosh –
Pas kthimit nga SHBA, Terenc Toçi shkoi në Shqipëri ku punoi për organizimin e malësorëve veriorë kundër sundimit osman.
Më 26 prill 1911, në Orosh të Mirditës, ai kryesoi një kuvend të madh të bajraktarëve dhe krerëve të krahinës.
Në atë kuvend:
– u ngrit përsëri Flamuri Kombëtar Shqiptar,
– u shpall një qeveri e përkohshme,
– Toçi u emërua drejtues i qeverimit të ri.
– Ky akt është një nga manifestimet më të hershme të vullnetit politik për autonomi dhe parapriu shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në 1912.
Më pas Toçi u rikthye në Itali, ku vazhdoi rolin e përfaqësuesit të interesave shqiptare në qarqet arbëreshe dhe italiane.
Në kohën e monarkisë së Zogut I, ai u bë pjesë e administrates së shtetit shqiptar, duke shërbyer si: jurist, këshilltar, ndërmjetësues me diasporën arbëreshe. Ai mbeti zë i besueshëm për çështjet juridike dhe kulturore.
KUR VRANË NJË ARBËRESH
– vitet e pushtimit dhe 1945 tronditëse –
Gjatë pushtimit fashist (1939–1943), Toçi pranoi disa detyra në administratën civile të Shqipërisë nën dominimin italian. Roli i tij ishte kryesisht administrative dhe kulturor, pa pushtet real politik.
Pas çlirimit, regjimi komunist e arrestoi dhe e gjykoi për kolaboracionizëm, sipas standardeve të kohës.
Terenc Toçin më mire e kanë kuptuar historianët e huaj si ata italianë se sa bashkatdhetarët, që u kushtoi jetën. Ata shpjegojn:e se Terenzio Tocci bëhej me këdo në shërbim të Shqipërisë, nuk e zgjidhte ai regjimin apo nuk e sillte ai pushtuesin, etj, etj. Më 14 prill 1945, ai u dënua me vdekje dhe u ekzekutua në moshën 65 vjeçare. Një mbyllje e hidhur dhe kriminale për një jetë kushtuar atdheut.
Por sot Terenc Toçi zë vend të rëndësishëm në panteonin e figurave historike me ndihmesën për shtetformimin shqiptar.
NË VEND TE EPILOGUT
– Libra, shtëpia, sheshi në Romë dhe filmi –
Janë botuar monografi për Terenc Toçin si në gjuhën shqipe dhe atë italiane, nga historianë italianë.
Unë kam patur rastin të çojmë një botim të ri të editorit “Toena”, me botuesin Fatmir Toçi, i njëjti mbiemër, te shtëpia e vajzës së Terenc Toçit. Na mirëpriti, u gëzua trishtueshëm, trauma e babait të pushkatuar mbetej e përhershme. Terenc Toçi familjen e kishte marre në Shqipëri dhe vajzat i edukoi në shkollë shqipe në Tiranë. Shtëpia e tyre ishte vila e bukur përballë Radio-Televizioni shqiptar, që tani e ka blerë Konsulli i Nderit, Ekrem Bardha, një vazhdues i ditëve tona i patriotizmit shqiptar në SHBA. Te porta e vilës është dhe një pllakë që dëshmon historikun e saj.
Ndërkaq në Fan të Mirditës është vendosur dhe busti i tij si ngritës i Flamurit Kombëtar.
Po unë kam marrë pjesë dhe në përurimin në një shesh të Romës të një rotonde që iu vu emri; “Terenzio Tocci”. U fol për atë si për një hero arbëresh të shekullit të kaluar deri në mbarimin e Luftës II Botërore.
Në rrethrrotullimin e zonës Mostacciano, pllaka e mermertë me emrin e tij ishte e mbuluar me dy flamuj, atë Shqiptar dhe atë Italian.
Pasi u dëgjuan dy himnet kombëtare të Italisë dhe të Shqipërisë, nipi i Terenc Toçit, që mbante po emrin e gjyshit të tij, falenderoi të pranishmit që kishin ardhur në ditën më të bukur të jetës së tij, bashkinë për vendimin e marrë, praninë e ambasadës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë.
Kujtoj që folën autoritete lokale, presidentja e komisionit të marredhënieve me jashtë nga Komuna e Romës, e cila theksoi se shqiptaro-italiani Toçi të bën për vete me bëmat e tij të guximshme në dobi të vendit dhe të njerëzve.
Më pas ndoqëm dokumentarin kushtuar arbëreshit Terenc Toçi “Mirazhi Adriatik” të regjisorit Gilberto Martinelli, autor i shumë filmave mbi raportet historike dhe diplomatike të Italise me vendet e tjera. Jetën e Terenc Toçit ai trajtoi si të një njeriu të lirë me një fund paradoksal tragjik.
Në shënimet e mia gjej se si titullar i Ambasadës së Shqipëri në Shtetin e Vatikanit, unë tregova atje për jetën e Terenc Toçit, vlerën e saj sot, si një urë miqësie dhe bashkëpunimi mes vendeve tona. Kultura katolike e arbëreshit tonë e bëri atë që të mos shikonte armiq në jetën e tij, por kundërshtarë me të cilët mund të bashkëpunonte… I vetmi arbëresh që kundëremigroi, erdhi t’i shërbejë çështjes kombëtare në dheun amë me penë dhe armë. Ngriti Flamurin kombëtar një vit para shpalljes së Pavarësisë, në Mirditën në 1911 ku kishte përgatitur kryengritjen kundër pushtimit otoman. Shtova se Terenc Toçi mori pjesë në Kongresin e Triestes më 1913 dhe pastaj në Shqipërinë e pavarur mori detyra të ndryshme, prefekt në Korçë, deputet, ministër i ekonomisë. Gjatë pushtimit fashisto-nazist të vendit ishte në Këshillin e Lartë Korporativ, etj. Sipas tij, përsërita, ai punonte me këdo në dobi te Shqipërisë dhe kur erdhën komunistët në pushtet, nuk iku nga Shqipëria, por priti të vazhdonte detyrat që mund t’i besoheshin. E pushkatuan në vitin 1945 me 16 të tjerë të dënuar me vdekje si kolaboracionistë. Historia duhet të pajtohet me veten, – përfundova, – të bashkëpunojmë për paqen për një të ardhme më të mirë për Shqipërinë Euroatlantike.
Dhe sot mund të thuhen më shumë për Terenc Toçin dhe në SHBA…/GDielli




