
Ansambli TROJET ka shënuar një tjetër sukses të merituar në aktivitetet kulturore në Zvicër. Pas një pune të palodhur dhe përkushtimi të madh, ansambli tregoi seriozitetin dhe dashurinë për këngën dhe vallen shqipe, pavarësisht obligimeve të tjera që kanë anëtarët e tij.
Më 16 nëntor, Ansambli TROJET mori pjesë në festivalin mbarëkombëtar “Ilirët Jehojnë” në Lausanne, ku arriti rezultate të mira. Presidenti i ansamblit, Z. Zeqë Gashi, shprehu krenarinë për anëtarët e grupit: “Anëtarët tonë të Ansamblit TROJET na bënë krenarë. U pritëm me duartrokitje dhe morëm dy vlerësime të rëndësishme, që tregojnë punën dhe shpirtin artistik të gjithë grupit.”
Në këtë festival, Marisa Murtezi fitoi vendin e parë me këngën “Baresha”, ndërsa interpretimi instrumental i Arbnor dhe Rrezart Kuqi u vlerësua për ndjeshmërinë dhe bukurinë artistike. Një falënderim i veçantë shkon për Bacën Shaqë, i cili përfaqësoi lahutën me dinjitet dhe pasion, edhe pse juria nuk e vlerësoi aq sa meritonte.
Korodrama “Gjurmë në Heshtje”, nën udhëheqjen e koreografes së njohur Suzana Drenica, arriti vendin e tretë, duke dëshmuar forcën dhe harmoninë e valltarëve të ansamblit. Publiku e priti grupin me zemër dhe energjia e sjellë në skenë ishte e jashtëzakonshme.
Udhëtimi me autobus ishte gjithashtu një festë, për të cilin ansambli i shpreh falënderime mikut të tyre, Amir Murati, për vozitjen e këndshme dhe të sigurt.
Një falënderim i madh shkon edhe për udhëheqësit artistik Donjetën, Ensarin dhe Leotrimin, të cilët punojnë me përkushtim dhe dashuri me tri grupmoshat e ansamblit.
Ansambli TROJET tregoi se është më shumë se një ansambël – është identitet, rrënjë dhe e ardhmja jonë kulturore.
Urime të gjithëve! Krenarë me ju!, transmeton helveticALforum.ch.
