
Nga Dashnim HEBIBI
Winterthur, 29 nëntor 2025 – Gjithandej në botë po organizohen dhe janë duke u organizuar manifestime të shumta për 28 Nëntorin, festën më të madhe kombëtare të shqiptarëve, një ditë që simbolizon jo vetëm Pavarësinë dhe Flamurin, por edhe trashëgiminë tonë kulturore dhe shpirtërore, të pasur me histori dhe vlera. Për programin e Ansamblit “TROJET” në Winterthur, që do të ketë manifestimin e madh kombëtar, isha i njoftuar disa ditë më parë dhe e di me siguri se me sa përkushtim dhe pasion është përgatitur kjo mbrëmje e veçantë, ngase isha në ushtrimet që bënin me shumë zemër.

Secili anëtar, nga kryetari deri tek më i riu, e ka marrë këtë organizim si një detyrë personale dhe si një festë të tyre – siç thotë populli, “me loçkë zemre, sepse thuajse çdo kush ishte me familje me bashkëshorten, vajzën, djalin, rejën, dhëndrrin, nipin e mbesën. Ky ansambël është si një sofër e një familje”.

Mbrëmë, vonë, paralajmërimi im për këtë ngjarje u konfirmua me një manifestim të jashtëzakonshëm në platformën e mërgimtarëve helveticALforum.ch.
Sallën e Hotel Zentrum Töss në Winterthur e mbushën bashkatdhetarë nga të gjitha trevat shqiptare të Zvicrës, duke sjellë energji, entuziazëm dhe emocione të forta për nder të 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit dhe të Pavarësisë. Tingujt e muzikës, vallet, arti dhe tradita shqiptare e bënë këtë natë një përjetim të paharrueshëm. Salla ishte e dekoruar me kujdes, ndërsa flamuri kuq e zi valonte krenarisht mbi skenë, duke simbolizuar unitetin dhe krenarinë kombëtare.

Edhe pse e paralajmërova se do të jetë një reportazh i gjatë, është e pamundur të përshkruhet plotësisht ajo që ndjeu zemra dhe shpirti i secilit të pranishëm. Kryesia e Ansamblit, me kryetar Zeqë Gashi, sekretar Taip Zeqiri dhe të gjithë anëtarët, pritën mysafirët me ngrohtësi të veçantë. Ushqimet tradicionale u siguruan nga vetë familjet e bashkatdhetarëve e konkretisht nga kryesia dhe anëtarët, ndërsa zërat e fëmijëve sollën një atmosferë të veçantë dhe shëruese për shpirtin. Një falënderim i madh shkon për donatorët, të cilët treguan shpirt dhe përkushtim ndaj mërgatës dhe kulturës shqiptare. Ishte e pranishme edhe RTSH nga Tirana, e cila dokumentoi pjesëmarrjen dhe programin e pasur kulturor.

Në mesin e qindra bashkatdhetarëve, mbrëmja u nderua edhe nga përfaqësues të institucioneve shqiptare:
Ambasadori i RMV-së në Zvicër, Shkëlqesia e Tij Rexhep Demiri
Zv. Ambasadorja e Kosovës në Bernë, znj. Shukrije Ramadani
Zv. Konsullja e Kosovës në Cyrih, znj. Ardita Mustafa
Gjithashtu, të pranishëm ishin personalitete të shquara të komunitetit shqiptar në Zvicër: Prof. Dr. Xhavit Lipaj, Sejdi Gega, Gani Bytyçi, Naser Ulaj (kryetar i LAPSH-it për Cyrihun), Florim Useini, Nadi Zendeli, Amarildo Sterkaj, Kristian Cuku, si dhe shumë figura të tjera të respektuara nga fusha të ndryshme të jetës shoqërore dhe kulturore. Prezenca e tyre nënvizoi rëndësinë e kësaj ngjarjeje për mërgatën shqiptare dhe për ruajtjen e identitetit tonë kombëtar.

Programi festiv filloi me inaugurimin e ekspozitës personale të artistes Valbona Gashi, “Gjurmët në Medalion”, një udhëtim artistik që flet për kujtesën, identitetin dhe rrënjët shpirtërore shqiptare. Për ekspozitën folën ambasadori Rexhep Demiri, Gani Bytyçi, Sejdi Gega, Prof. Dr. Xhavit Lipaj dhe Dr. Sc. Dashnim Hebibi, ndërsa autorja falenderoi të gjithë të pranishmit dhe Këshillin Organizativ për mbështetjen. Ekspozita krijoi një fillim magjik për natën, duke përgatitur publikun për programin e pasur të artit dhe kulturës shqiptare.

Kur u mbush salla e dëgjuam një zë brilant duke recituar dhe pas dy minutave u paraqit në skenë me Ansamblin Trojet, veprimtari i njohur nga Dardania, z. Shqipdon Lipaj ku dha emocione te të gjithë pranishmit me recitimin e tij shumë të bukur. Pas ekspozitës, skena iu dha artit dhe traditës së pastër shqiptare me një program të pasur të Ansamblit “TROJET” dhe artistëve të ftuar:

Kori i grave “Lyra” nga Cyrihu
Motrat Luljeta & Drita Fetahu
Vëllezërit Arbnor & Rrezart Kuqi
Marisa Murtezi
Melisa Tafili
Eliza Zeqiri

Padyshim se vlerësohet puna madhore e udhëheqësit artistik që bartin gjithë përgjegjësinë për pjesën artistike në koncert, Donjeta@ Ensat@Leotrimi që kanë punuar shumë në valle si dhe respekt të veçant për tre grupmoshat që janë si vëllezër e motra mes veti. E këtë e kam pa edhe vetë me sy në një mbrëmje që ushtronin. Ata e kanë pasionin e valles dhe çdo hap që e bëjnë e kanë me kujdes. Krenari.

Ekzekutimi i Himnit Kombëtar ngriti në këmbë të gjithë të pranishmit, duke krijuar një moment emocional dhe të paharrueshëm. Moderatorja, zonja Sherife Ejupi Zeqiri, me veshje kombëtare, moderoi me profesionalizëm ku, hapi programin dhe ftoi kryetarin e Ansamblit, z. Zeqe Gashi, për një fjalë përshëndetëse. Me emocion dhe krenari, z. Gashi falenderoi fëmijët, mysafirët dhe pjesëmarrësit, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së gjuhës dhe traditave tona për gjeneratat e ardhshme. Ai përshëndeti korin diplomatik dhe të gjithë të pranishmit, duke e bërë këtë mbrëmje një moment të veçantë bashkimi kombëtar.

Ambasadori i RMV-së, Rexhep Demiri, vlerësoi mbrëmjen duke theksuar: “Sonte shqiponjat po këndojnë dhe vallezojnë, sepse shqiponja fluturon vetëm në lartësi dhe kaltërsi.

Rinia jonë është e shëndetshme dhe po ruan gjuhën dhe traditën kombëtare, duke i kënduar dhe recituar dëshmorëve, atdheut dhe të ardhmes.” Ambasadori Demiri është shumë i dashur për të gjithë mërgimtarët dhe e njohin që të gjithë dhe duan edhe foto kujtimi, ku tregon edhe kjo foto e një fëmije mërgimtarë që bëri foto kujtimi me ambasadorin e dashur, z.Rexhep Demiri. Ambasadori Demiri, me modestinë e tij, ka bërë që në çdo manifestim të jetë i ftuar dhe i respektuar maksimalisht.

Programi vazhdoi me koreodramën “Gjurmët në Heshtje” dhe vallen “Suitë Kosovare” nga grupi i të rriturve. Eliza Zeqiri interpretoi këngën “Lindur në mërgim”, këngë e përgatitur me profesionalizëm nga mjeshtri i madh, Edmond Zhulali, ndërsa Grupi i të vegjëlve performoi Vallën e Tiranës me recitime dhe këngë. Marisa Murtezi dhe Melisa Tafili sollën “Vaj dhe Mall për Çamërinë”, ndërsa Grupi i mesëm interpretoi vallen “Mollavë”. Vëllezërit Arbnor & Rrezart Kuqi performuan “N’ball të Arbërit”, ndërsa Motrat Luljeta & Drita Fetahaj kënduan “Gegë e Toskë” dhe “Kuq e Zi”.

Emocione të mëdha edhe lahutisti i njohur Baca Shaqë.
Zv. Ambasadorja e Kosovës, znj. Shukrije Ramadani, përshëndeti Këshillin Organizativ dhe uroi të gjithë të pranishmit për festën, duke bërë thirrje që fëmijët të regjistrohen në shkollat plotësuese shqipe për të ruajtur dhe kultivuar gjuhën dhe traditën kombëtare.
Manifestimi përfundoi me programin e lirë festiv, duke lënë tek të gjithë një ndjenjë krenarie, bashkimi dhe pasurie kulturore. Pjesëmarrësit vlerësuan lartë performancën e Ansamblit “TROJET” dhe dolën nga salla të mbushur me emocione pozitive.

Këto manifestime janë jashtëzakonisht të rëndësishme për mërgatën shqiptare, për ruajtjen e identitetit dhe traditës tonë. Muaji nëntor dhe deri në mes të dhjetorit do të shohë shumë aktivitete të ngjashme, që kërkojnë jo vetëm punë të madhe, por edhe mbështetje materiale dhe institucionale. Mërgata shqiptare pret bashkëpunim të sinqertë dhe mbështetje reale për këto iniciativa, jo vetëm me fjalë.
Mos harroni: më 6 dhjetor në Winterthur, në të njëjtën sallë, do të mbahet një tjetër manifestim i rëndësishëm për shkollën plotësuese shqipe, organizuar nga LAPSH për kantonin e Cyrihut. Të jemi të gjithë të pranishëm për të përkrahur dhe kultivuar traditën dhe kulturën tonë kombëtare, duke ndërtuar bashkë një të ardhme të ndritur për gjeneratat e reja. Kryetari Zeqë Gashi dhe gjithë kryesia e Ansamblit “TROJET” çdo sekondë të kësaj mbrëmjeje e përjetuan me pasion dhe përkushtim maksimal, duke dashur që çdo moment të shkonte sa më mirë. Me mbi 700 bashkëkombas e bashkëkombëse të pranishëm në sallë, çdo detaj, çdo përpjekje dhe çdo performancë u realizua me kujdes të veçantë, duke krijuar një mbrëmje të paharrueshme, të mbushur me emocion, krenari dhe dashuri për traditën dhe flamurin kombëtar.

Por kjo mbrëmje nuk ishte thjesht një festë – ishte një dëshmi e gjallë e përkushtimit të mërgatës për të ruajtur gjuhën, kulturën dhe traditat tona kombëtare. Kontributi i Ansamblit “TROJET” dhe i komunitetit shqiptar është një pasuri e jashtëzakonshme që duhet të përkrahet realisht dhe me vendosmëri nga institucionet dhe shtetet tona, jo vetëm me duartrokitje dhe fjalë të bukura. Vetëm me mbështetje konkrete mund të sigurohet që trashëgimia kulturore e shqiptarëve të jetojë, të frymëzojë dhe të forcojë identitetin e gjeneratave të ardhshme.
Kjo mbrëmje në Winterthur është një shembull se si arti, kultura dhe tradita bashkohen për të ndërtuar urat e lidhjes me atdheun dhe për të mbajtur gjallë shpirtin kombëtar – një fluturim krenarie, si shqiponja që valon lart mbi Flamurin Kuq e Zi.Është për t’u vlerësuar lart puna e madhe dhe përkushtimi i këtij ansambli, i cili për muaj të tërë ka punuar me zemër për këtë festë. Të gjithë të rinjtë dhe të rejat e Ansamblit “TROJET” janë të rritur në mërgim, por gjuhën dhe traditat e të parëve nuk i harrojnë kurrë – përkundrazi, i mbajnë gjallë me krenari dhe me dashuri.
Fjalë të kryetarit të Ansamblit “TROJET”, z. Zeqë Gashi, për HelveticALforum
Dëshirojmë t’i falënderojmë nga zemra Grupin Artistik, veçanërisht Donjeta Gashin, Ensar Morinën dhe Leotrim Gashin. Angazhimi dhe puna e tyre gjatë gjithë vitit kanë qenë të jashtëzakonshme dhe kanë kontribuar drejtpërdrejt në suksesin tonë të përbashkët.
Mbrëmë ata paraqitën një program që do të mbetet i paharrueshëm për shumë mysafirë. Gjatë këtij viti kemi mësuar valle të reja, kemi bërë një hap të rëndësishëm përpara në ruajtjen dhe promovimin e kulturës sonë kombëtare.
Një falënderim i madh shkon edhe për të gjithë anëtarët tanë. Po ashtu, dua ta bëj të dukshme punën e atyre që qëndrojnë prapa krejt këtij suksesi: tre personat që gjatë gjithë vitit kanë punuar me fëmijët, i kanë udhëhequr dhe ua kanë mësuar koreografitë tona tradicionale. Angazhimi i tyre është arsyeja pse kultura jonë vazhdon të jetojë në mërgim. Ata janë shtylla artistike e Ansamblit “TROJET”.
Ju falënderoj të gjithëve me zemër për punën, mundin, kohën dhe dashurinë që keni dhënë – sepse vetëm së bashku mund ta mbajmë gjallë gjuhën, traditat dhe shpirtin tonë kombëtar”.
Dy fjalë për Ansamblin “Trojet” nga Prof.Dr.Xhavit LIPAJ;
Të nderuar bashkatdhetarë,
i nderuari Ambasador, z. Rexhep Demiri,
të nderuar përfaqësues të Konsullatës,
i nderuari kryetar i Ansamblit “Trojet”, z. Zeqë Gashi,
i nderuari sekretar, z. Taip Zekiri, të nderuar mysafirë dhe miq të kulturës shqiptare
Sot, në këtë mbrëmje të organizuar me përkushtim nga Ansambli “Trojet”, ne kremtojmë 28 Nëntorin, ditën e flamurit, ditën e lirisë dhe identitetit tonë kombëtar. Kjo datë është nyja ku lidhen sakrifica dhe ëndrra, historia dhe e ardhmja; një pikë referimi ku ndërtohet vetëdija jonë kolektive.
Flamuri ynë, i lindur nga gjaku, guximi dhe vizioni i brezave, nuk është thjesht simbol shtetëror. Ai është përkufizimi i shpirtit shqiptar, i qëndresës, i dinjitetit dhe i rrugëtimit tonë shekullor.
Në këtë kuptim, kultura nuk është luks, është mburojë e identitetit. Ajo ruan të vërtetën e një kombi, lidh brezat dhe na bashkon edhe kur jemi larg atdheut. Diaspora, me mundin dhe përkushtimin e saj, është një shtyllë e gjallë e ruajtjes së kësaj trashëgimie.
Prandaj, kontributi i Ansamblit “Trojet” është shumë më tepër se artistik: është mision kombëtar. Është akt i gjallë i mbajtjes gjallë të traditës, gjuhës dhe kujtesës sonë historike.
Duke falënderuar organizatorët, artistët dhe të gjithë ju që mbani gjallë kulturën tonë, dua të theksoj se sonte nuk po festojmë vetëm një datë historike, por qëndrueshmërinë e një kombi dhe krenarinë tonë të përbashkët”.
Fjala e Dr.sc.Dashnim HEBIBI për mbrëmjën festive e organizuar nga Ansambli “Trojet”
I nderuar President i Ansamblit “Trojet”, z. Zeqë Gashi i respektuar Taip,
Kryesia dhe anëtarë të ansamblit, shumë i respektuar:
Shkëlqesi, Ambasador i RMV në Zvicër, z.Rexhep Demiri
Zv. Ambasadorja e Kosovës në Bernë, znj. Shukrije Ramadani
Zv. Konsullja e Kosovës në Cyrih, znj. Ardita Mustafa
Të nderuar zonja e zotërinjë,
Sonte, organizimi i kësaj feste më të madhe të kombit tonë na jep shpresë se brezi i ri kurrë nuk do ta harrojë se kush është. Brezi i ri do të vazhdojë të dojë flamurin kombëtar kuq e zi dhe të dojë atdheun e të parëve tanë.
Nuk dua të flas shumë, por nuk mund të fsheh emocionet që më mbushin, kur shoh këtë rini që ka lindur larg atdheut dhe që këndon për atdhetarët, që vallezon si valltarët më të mirë të Shqipërisë.
Ky organizim, pa ndihmën e dy shteteve tona e që ishte edhe para luftës së fundit, tregon se veprimtarët tanë nuk ndalen. Por ka ardhur koha që shtetet tona të mendojnë me të vërtetë për diasporën, jo vetëm për të marrë votat.
Të nderuar, jemi mbledhur sonte për të festuar 28 Nëntorin, që është më shumë se një datë.
Është zemra e historisë sonë kombëtare:
- 1443 – Skënderbeu ngre flamurin në Krujë dhe nis qëndresa shqiptare.
- 1912 – Ismail Qemali shpall Pavarësinë në Vlorë dhe lind shteti shqiptar.
- 1955 – Lind Adem Jashari, simbol i sakrificës për lirinë e Kosovës.
- 1997 – UÇK-ja del publikisht për herë të parë.
- 1998 – Miratohet Kushtetuta e re e Shqipërisë.
Një datë, shumë ngjarje, një komb i vetëm. 28 Nëntori – dita që na bashkon, na nderon dhe na bën krenarë përjetësisht. Lavdi dëshmorëve të kombit nëpër histori! Rroftë kombi ynë! Nderime për miqtë tanë ndërkombëtarë! Urime të gjithë shqiptarëve!”
Ashtu siç thashë edhe në fillim të reportazhit, është e pamundur të përshkruhet plotësisht gjithçka që është parë me sy dhe është ndier me shpirt. Por si përmbyllje, duhet thënë me plot gojën: ju lumtë kryesia, ju lumtë z. Gashi, z. Zeqiri dhe të gjithë ju që qëndroni pas kësaj vepre madhështore. Keni bërë një punë të jashtëzakonshme.




