Site icon HelveticALForum

Ansambli “Trojet” nderon kryetarin e LAPSH-it për Cyrih, z. Naser Ulaj

Përgatiti Dashnim HEBIBI

Një mbrëmje mirënjohjeje, kulture dhe bashkimi në Winterthur

Të premten, më 24 tetor, në qytetin e Winterthur-it, ansambli i njohur “Trojet” zhvilloi një takim të ngrohtë me anëtarët e tij, ku u ndanë mirënjohje dhe falënderime për të gjithë ata që kontribuojnë në ruajtjen e traditës, kulturës dhe identitetit kombëtar shqiptar në mërgatë.

Në këtë mbrëmje të veçantë, në mesin e shumë të ftuarve e dashamirëve të kulturës, u nderua edhe kryetari i LAPSH-it për Cyrih, z. Naser Ulaj, për mbështetjen e vazhdueshme ndaj aktiviteteve kulturore dhe edukative të komunitetit shqiptar në Zvicër.

Një ansambël që punon me shpirt, jo për pagesë

Në fjalën përshëndetëse, drejtuesit e ansamblit “Trojet” theksuan se asnjë nga anëtarët nuk përfiton pagë për punën që bën, por të gjithë kontribuojnë me shpirt e përkushtim, duke ia kushtuar kohën dhe energjinë e tyre gjeneratave të reja.

Presidenti i ansamblit, z. Zeqë Gashi, njihet për pozitivitetin, përkushtimin dhe ndershmërinë e tij. Ai vlerëson meritokracinë, punën dhe dashurinë për kulturën shqiptare. Së bashku me familjen e tij, është bërë një shtyllë e fortë e ansamblit, duke ruajtur miqësi dhe respekt të ndërsjellë me gjithë kryesinë dhe prindërit që kanë fëmijët pjesë të “Trojeve”.

Një mbrëmje dashamirësie dhe bashkimi

Mbrëmja u zhvillua në atmosferë festive e miqësore, ku u ndanë disa mirënjohje simbolike për kontributet e veçanta të anëtarëve dhe bashkëpunëtorëve.
Ndër ta, u veçua z. Naser Ulaj, i cili u vlerësua për mbështetjen e tij të vazhdueshme ndaj aktiviteteve kulturore dhe për rolin e tij aktiv në forcimin e bashkëpunimit mes LAPSH-it dhe organizatave kulturore shqiptare në Zvicër.

Në një prononcim për sam24.info, z. Ulaj u shpreh:

“Jemi të nderuar për këtë vlerësim. Ansambli ‘Trojet’ po bën një punë të madhe për ruajtjen e gjuhës dhe traditës sonë kombëtare. Ne duhet të punojmë edhe më shumë për të forcuar LAPSH-in dhe për ta bërë mërgatën shqiptare edhe më të bashkuar për të mirën e përbashkët.”

Kultura si ura që bashkon shqiptarët

Ky aktivitet dëshmoi edhe njëherë se kultura dhe arti janë ura të forta që bashkojnë shqiptarët kudo që jetojnë.

Ansambli “Trojet”, me aktivitetet e tij të pandërprera, po luan një rol të rëndësishëm në ruajtjen e identitetit, edukimin kombëtar të fëmijëve dhe afrimin e brezave të rinj me traditën.

Në fund të mbrëmjes, të gjithë pjesëmarrësit ndanë momente të gëzueshme dhe ndjenja mirënjohjeje për punën që bëhet me dashuri e përkushtim në shërbim të komunitetit./SAM24.info

Exit mobile version