
Përgatiti Dashnim HEBIBI, Zürich
Një tjetër emër shqiptar i shtohet me dinjitet hartës së vlerësimeve ndërkombëtare kulturore. Angela Kosta është shpallur fituese e Çmimit Ndërkombëtar në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar Menotti Art – Spoleto (Itali), me motivacionin “Të Komunikojmë me Europën”, duke u nderuar njëkohësisht me titullin Ambasadore e Kulturës dhe Dr. Honoris Causa.
Ky vlerësim prestigjioz jepet nga institucione dhe organizma me peshë evropiane, si Bashkimi Evropian (Luksemburg, Bruksel & Romë), Parlamenti Evropian – Bruksel, Menotti Art Festival International, Shoqata e të Rinjve Evropianë, Instituti Evropian, Fondacionet T.A.U. dhe A.U.G.E, ndër të tjera.

Ceremonia zyrtare e ndarjes së çmimit do të zhvillohet më 05 shkurt, ora 15:30, në Pallatin e Kongreseve të Marriot Grand Hotel Flora në Romë, në një event që mbledh personalitete të artit, kulturës dhe institucioneve evropiane.
Angela Kosta ka shprehur mirënjohjen e saj të veçantë për Presidentin e Çmimit Europarlamentar, Profesor Luca Filipponi, si dhe për Zv. Presidenten Sabrina Morelli, duke e cilësuar këtë vlerësim si një nder të jashtëzakonshëm dhe një përgjegjësi për të vazhduar promovimin e dialogut kulturor evropian.

Ky çmim përfaqëson jo vetëm një arritje personale, por edhe një kontribut të rëndësishëm në përfaqësimin e kulturës shqiptare në arenën ndërkombëtare, duke dëshmuar se arti dhe komunikimi kulturor janë ura të forta lidhëse mes popujve dhe Evropës së bashkuar.




