POSTIMET E FUNDIT

Angela Kosta me suksesin e radhës – emërohet Ambasadore e Kulturës nga Media Hellenike Network në Los Angeles

Përgatiti Dashnim HEBIBI, Zvicër

Një tjetër lajm i gëzueshëm vjen për kulturën shqiptare dhe për figurën e njohur të letrave shqipe, shkrimtaren dhe poeten Angela Kosta. Ajo është nderuar së fundmi me një titull të ri ndërkombëtar, duke u emëruar Ambasadore e Kulturës nga Media Ellenike në Los Angeles (SHBA), një vlerësim që dëshmon edhe një herë kontributin e saj të vazhdueshëm në promovimin e kulturës dhe letërsisë shqiptare në arenën ndërkombëtare.

Angela Kosta, e lindur në Elbasan dhe prej vitit 1995 me banim në Itali, njihet si një personalitet shumëdimensional në botën e letrave. Ajo është shkrimtare, poete, gazetare, përkthyese, kritike letrare, eseiste dhe një promovuese e palodhur e kulturës dhe krijimtarisë artistike. Gjatë karrierës së saj, Kosta ka botuar 11 libra dhe 2 antologji në gjuhën italiane, ku përfshihen përkthime të poezive të 72 poetëve nga vende të ndryshme të botës, duke krijuar ura të rëndësishme komunikimi mes kulturave.

Veprimtaria e saj publicistike është gjithashtu shumë e gjerë. Angela Kosta shkruan dhe bashkëpunon me gazetën “Calabria Live”, me revistën e artit dhe shkencës “Nova”, është redaktore në revistën “Orfeu” në Prishtinë dhe kontribuon në disa media e revista të tjera si “Nacional”, “Destinacioni”, “Përqasje Italo-Shqiptare”, revista “Atunis” në Belgjikë, “Obelisk” dhe platforma të tjera kulturore ndërkombëtare.

Përveç krijimtarisë letrare, ajo mban edhe një sërë rolesh të rëndësishme në organizata ndërkombëtare kulturore dhe artistike. Angela Kosta është Zv. Presidente e Organizatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve në Korenë e Jugut, bashkëthemeluese e Shoqatës së Shkrimtarëve “Coach Tamikio L. Dooley”, Ambasadore e Shkrimtarëve dhe Artistëve (SAPS) në Poloni, si dhe Ambasadore e Paqes dhe Humanitetit në vende të ndryshme të botës. Ajo është gjithashtu Ambasadore e Kulturës në gazetën “The Daily Global Nation” në Bangladesh dhe anëtare e disa organizatave prestigjioze letrare dhe artistike në Itali, SHBA, Greqi, Hungari dhe Kanada.

Kontributi i saj është vlerësuar me shumë çertifikata nderi dhe mirënjohjeje nga institucione dhe organizata kulturore në Shqipëri, Kosovë, Itali, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermani, Indi dhe në shumë vende të tjera të botës. Poezitë e Angela Kostës janë përkthyer dhe botuar në mbi 30 gjuhë të huaja, duke arritur tek lexues në Itali, SHBA, Rusi, Belgjikë, Greqi, Kinë, Kore të Jugut, Bangladesh, Marok, Poloni, Portugali, Brazil, Kirgistan, Izrael, Algjeri dhe shumë vende të tjera.

Në një reagim publik pas marrjes së këtij vlerësimi të ri, Angela Kosta shprehu mirënjohjen e saj për këtë nderim:
“Jam shumë e nderuar të marr njoftimin zyrtar për emërimin si Ambasadore e Kulturës nga Media Ellenike në Los Angeles (SHBA). Falënderoj me shumë mirënjohje Presidentin Demetrios Kannavos për këtë vlerësim.”

Ky sukses i radhës është një tjetër dëshmi e rolit të rëndësishëm që Angela Kosta luan në promovimin e kulturës shqiptare në botë, duke u bërë një urë lidhëse mes krijuesve shqiptarë dhe mediave e institucioneve ndërkombëtare, si dhe një ambasadore e vërtetë e vlerave artistike dhe kulturore shqiptare.

helveticALForum.ch

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB