BERLIN, 08.10.2026– Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Sasho Klekovski, siç mëson helveticALforum.ch ka nisur ditën e parë të vizitës së tij zyrtare në Berlin të Gjermanisë. Gjatë kësaj vizite dhe të gjitha takimeve të nivelit të lartë, ministri Klekovski ishte i shoqëruar nga Ambasadori i vendit tonë në Gjermani, Prof. Dr. Ylber Sela. Në kuadër të agjendës së ditës së parë, delegacioni i kryesuar nga ministri Klekovski dhe ambasadori Sela zhvilloi takime të rëndësishme me përfaqësues të lartë të Aleancës Gjermane të Shëndetësisë (GHA), Komitetit Lindor të Ekonomisë Gjermane (Ost-Ausschuss) dhe Dhomës Gjermane të Tregtisë dhe Industrisë (DIHK). Fokus i bisedimeve ishte zgjerimi i bashkëpunimit ekonomik dhe strategjik në sektorin e mjekësisë.

“Kompanitë gjermane tashmë janë ndër investitorët kryesorë në RMV. Tani duam që ky bashkëpunim të shtrihet edhe në shëndetësi. Gjermania është partneri ynë për një shëndetësi moderne,” ka deklaruar ministri Klekovski gjatë takimeve. Gjatë takimit të përbashkët me kryetarin e Bordit Drejtues të GHA-së, Roland Geda, u diskutuan tri shtylla kryesore:
1. Sfidat dhe nevojat kapitale të sistemit shëndetësor në RMV.
2. Asistenca teknike dhe programet e përbashkëta për edukimin e kuadrit mjekësor.
3. Mundësitë e reja të rrjetëzimit dhe partneriteteve direkte ndërmjet institucioneve dhe bizneseve të të dyja vendeve.

Ministri Klekovski shprehu mirënjohje të veçantë për mikpritjen e ngrohtë të nikoqirëve gjermanë, si dhe vlerësoi lart rolin proaktiv të Ambasadës së RMV-së në Gjermani dhe Ambasadorit Prof. Dr. Ylber Sela për organizimin e shkëlqyer dhe koordinimin e suksesshëm të kësaj vizite me peshë për shëndetësinë e vendit, njofton Ambasada e RMV në Gjermani, përcjell helveticALforum.ch.










