Nga Dashnim HEBIBI
Bernë, nëntor 2025 – Në kryeqytetin zviceran, Bernë, Ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Shkëlqesia e Tij, z. Rexhep Demiri, po vlerësohet gjerësisht si një diplomat që ka sjellë frymë unifikimi, përkushtimi dhe paqeje në mesin e mërgatës në Zvicër. Ai është një personalitet i njohur dhe i respektuar nga të gjithë bashkatdhetarët, një njeri me vizion, që kudo e kurdoherë përfaqëson shtetin me dinjitet, qetësi dhe mençuri diplomatike.
Ambasador i paqes dhe bashkëpunimit
Shkëlqesia e Tij, Ambasadori Demiri, njihet si njeri i vullnetit, i frymëzimit dhe i bashkimit. Ai është diplomat në karrierë, i drejt, i qetë, gjithmonë i buzëqeshur, një njeri që rrezaton mirësi dhe sinqeritet. Për të gjithë, ai është simbol i paqes dhe i bashkëpunimit ndërmjet popujve.
Në ambasadën që drejton në Bernë, dera është gjithmonë e hapur për të gjithë ata që punojnë e kontribuojnë për të mirën e përbashkët, për idealet e paqes, për ata që duan të forcojnë miqësinë ndërmjet komuniteteve dhe shtetit mik zviceran.
Ambasadori Demiri është një figurë që gëzon respekt të madh për mënyrën e përfaqësimit të shtetit të tij – gjithmonë me kulturë, dinjitet dhe profesionalizëm të lartë. Ai e di se përfaqësimi diplomatik nuk matet me orë pune, por me përkushtim e dashuri ndaj njerëzve.
Një punë që nuk njeh orar
Në ambasadën e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bernë, Shkëlqesia e Tij është ndër të parët që hap derën e zyrës dhe ndër të fundit që e mbyll atë. Por puna e tij nuk ndalet as atëherë kur ndizen dritat e natës. Ai vazhdon aktivitetet, sepse beson se vetëm me punë dhe përkushtim kryhet detyra diplomatike me dinjitet.
Ambasadori Rexhep Demiri – simbol i përkushtimit, bashkimit dhe frymës së paqes në Zvicër
Tek dera e ambasadës, ishin disa persona – shtetas të Maqedonisë së Veriut – që presin për shërbime konsullore, dhe në mesin e tyre dëgjohen edhe fjalë në gjuhën maqedonase. Ambasadori i përshëndet me respekt dhe i siguron se stafi i tij do të kryejë punët me korrektësi e pa vonesa. Për të, respekti fillon me punë e përkushtim profesional dhe mikpritjeje. Ai u ofron të gjithëve trajtim të barabartë dhe të veçantë, sidomos të moshuarve, grave shtatzëna dhe personave me aftësi të kufizuara, për të cilët gjithmonë tregohet me kujdes e humanizëm të veçantë.
Përkrahje për arsimin dhe për gjuhën shqipe
Ambasadori Demiri e di mirë se në kuadër të LAPSH “Naim Frashëri” në Zvicër mësojnë fëmijë nga të gjitha trojet shqiptare, përfshirë edhe ata me prejardhje nga Maqedonia e Veriut. Për këtë arsye, ai ka qenë dhe mbetet gjithmonë pranë shkollës dhe mësuesve të saj, duke i përkrahur pa rezervë në çdo iniciativë.
Në shumë takime, aktivitete kulturore dhe arsimore, Ambasadori është parë si përkrahës i arsimit, i ruajtjes së gjuhës amtare dhe i promovimit të traditave në mërgatë.
Së fundmi, ai priti në një takim miqësor Prof. Naser Ulajn, kryetar i LAPSH “Naim Frashëri” për kantonin e Cyrihut, i cili njëkohësisht është edhe mësues në Shkollën Plotësuese Shqipe “Naim Frashëri” dhe mësues në shkollën zvicerane. Në takim mori pjesë edhe PhD Dashnim Hebibi, ish-mësues i LAPSH-it, anëtar nderi i kësaj shkolle për kantonin e Cyrihut dhe veprimtar i njohur në diasporë.
Takim i ngrohtë dhe frymëzues në Ambasadë
Takimi u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë, miqësore e konstruktive. Ambasadori Demiri, me thjeshtësi dhe modesti, i priti mysafirët personalisht. Me të kuptuar se ishin afër ambasadës, ai zbriti poshtë për t’i pritur dhe i përcolli vetë deri në zyrë, duke u uruar mirëseardhje të përzemërt.
Në fillim të takimit, ai përgëzoi Prof. Ulajn për përkushtimin e tij mbi 30-vjeçar në arsim dhe ruajtjen e identitetit kombëtar në diasporë, si dhe për mirënjohjen që kohët e fundit i ishte ndarë nga institucionet arsimore zvicerane të kantonit të Cyrihut.
Në vazhdim, Ambasadori Demiri kujtoi me emocion vitet e rinisë, kur edhe vetë kishte qenë nxënës i shkollës plotësuese shqipe “Naim Frashëri” rreth vitit 1996 në kantonin e Luzernit. Ai foli me respekt për mësuesit e tij të asaj kohe dhe theksoi se përvoja në atë shkollë i kishte dhënë bazën e dashurisë për arsimin dhe kulturën shqiptare.
Në zyrën e tij, Ambasadori kishte një kalendar me fotografi të fëmijëve maqedon dhe shqiptarë në Zvicër, për të cilët tha me emocion: “Këta janë zëri i së ardhmes sonë.”
Puna e LAPSH-it dhe sfidat në diasporë
Prof. Ulaj, në takimin me ambasadorin, prezantoi shkurtimisht punën e LAPSH “Naim Frashëri”, projektet që janë zhvilluar dhe planet për të ardhmen. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit institucional ndërmjet tri shteteve shqiptare – Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut – pasi në shkollat plotësuese marrin pjesë nxënës nga të gjitha këto treva, përfshirë edhe Luginën e Preshevës.
Gjithashtu, ai përmendi edhe disa pengesa që janë shfaqur kohët e fundit në organizatë, por shprehu besimin se me mirëkuptim dhe përkushtim do të tejkalohen, sepse qëllimi i përbashkët është të përfitojnë fëmijët dhe brezat e rinj që rriten larg vendit të të parëve.
Ambasadori Demiri u shpreh se është i vetëdijshëm për sfidat dhe mundësitë e diasporës, duke theksuar se numri i mërgatës nga Maqedonia e Veriut nuk është i vogël, dhe të gjithë janë të lidhur shpirtërisht me vendin e tyre. Ai siguroi se kontributi i tij personal dhe institucional për këtë komunitet nuk do të ndalet kurrë.
Mirënjohje për Prof. Naser Ulajn dhe emocionet e një vlerësimi
Në fund të takimit, pas një gote me ujë mikpritjeje dhe bisedave të përzemërta, Ambasadori Demiri ndau një mirënjohje të veçantë për Prof. Naser Ulajn, në shenjë vlerësimi për punën e tij shumëvjeçare në dobi të komunitetit dhe arsimit.
I emocionuar, Prof. Ulaj falënderoi Ambasadorin, duke thënë me ndjenja të thella mirënjohjeje:
“Kjo mirënjohje do të më frymëzojë edhe më shumë në punën time. I vlerësuari të vlerëson. Shumë faleminderit“.
Pas disa fotografive të kujtimit, Prof. Ulaj dhe PhD Dashnim Hebibi falënderuan Ambasadorin Demiri për takimin, për mikpritjen dhe për përkrahjen e vazhdueshme që u jep mësuesve dhe komunitetit në Zvicër.
Ambasadori, me fisnikërinë që e karakterizon, i shoqëroi personalisht mysafirët deri jashtë ndërtesës, duke u dhënë dorën dhe duke thënë me buzëqeshje:
“Mysafirët nuk përcillen vetëm nga zyra – duhet t’i përcjellësh me zemër.”
Një shembull për t’u ndjekur
Takimi u mbyll në atmosferë të ngrohtë e miqësore, me urimet më të mira për suksese të përbashkëta. Ambasadori Rexhep Demiri po vlerësohet gjithnjë e më shumë për punën e tij të palodhur, përkushtimin dhe modesti të rrallë.
Për të, dita nuk zgjat tetë orë pune, por gjashtëmbëdhjetë – sepse dashuria për vendin dhe njerëzit nuk matet me orë, por me zemër.
Në fund të takimit, Prof. Ulaj dhe PhD Hebibi e uruan Ambasadorin me fjalët:
“U pafshim në gëzime e suksese, Shkëlqesia Juaj! Ju falënderojmë për përkushtimin, dashamirësinë dhe punën tuaj që frymëzon të gjithë mërgatën në Zvicër.”
