POSTIMET E FUNDIT

Ambasadori Michel Tarran: 70% e rrjeteve kriminale në Shqipëri rekrutojnë të miturit përmes platformave online

Ambasadori i OSBE në Shqipëri, Michel Tarran, deklaroi se rreth 70% e rrjeteve kriminale në vend përdorin të miturit për aktivitetet e tyre të paligjshme.

I ftuar në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, në kuadër të fushatës “S’ka Shkurt”, një nismë e ndërmarrë në bashkëpunim me Ministria e Drejtësisë, Tarran theksoi se fenomeni i përfshirjes së të rinjve në kriminalitet nuk është problem vetëm i Shqipërisë, por një shqetësim global.

Ai nënvizoi se rrjetet sociale po përdoren gjithnjë e më shumë si kanal rekrutimi nga grupet kriminale, në një kohë kur të rinjtë kalojnë orë të gjata online, shpesh larg leximit apo aktiviteteve edukative. Për këtë arsye, sipas tij, ndërhyrja dhe ndërgjegjësimi duhet të fokusohen pikërisht në këto platforma, për të krijuar një kontakt të drejtpërdrejtë me të rinjtë.

“Është problem jo vetëm në Shqipëri. Jemi këtu për të treguar si janë marrë me projekte të ndryshme me sukses në vende të tjera.

Problemi i kriminalitetit të të rinjve, zhvillohet fatkeqësisht gjithnjë e më shumë. Aq më shumë është me rrezik që gjithnjë e më të rinj janë të angazhuar në jetën kriminale. E kemi nisur këtë fushatë së bashku me Ministrinë e Drejtësisë e shpresojmë të prekim të rinjtë dhe kemi qëllim t’u tregojmë  cili është rreziku i vërtetë dhe jeta normale se si mund ta arrish një jetë të bukur pa u bërë pjesë e rrjeteve kriminale që mbase i tundojnë se brenda natës mund të arrijnë një mirëqenie të caktuar ekonomike.

Në Shqipëri dhe Francë apo gjithë botën tashmë është tendenca se të rinjtë kalojnë kohë të gjatë në rrjetet sociale, duke mos lexuar libra, duke mos parë libra.

Për këtë arsye ne mendojmë se aty duhet të nisim për të patur rezultate, sepse është kontakti i drejtpërdejtë me të rinjtë. Tendenca e të rinjve, angazhihen në kriminalitet dhe janë rekrutuar nga rrjetet kriminale, duke përdorur si kanal dhe rrjetet sociale. Ka statistika që tregojnë se 70% e rrjeteve kriminale përdorin të miturit në Shqipëri për aktivitetet e tyre”, deklaroi ambasadori.

Sipas tij, vihet re një tendencë në rritje e angazhimit të të rinjve në rrjete kriminale, shpesh të joshur nga premtimi për fitime të shpejta dhe një stil jete luksoz.

“Kjo jetë që duket e bukur dhe e lehtë nuk është realiteti. Ekziston një mundësi për të gjithë që të ndërtojnë një jetë të denjë pa u bërë pjesë e krimit”, u shpreh ambasadori.

Fushata “S’ka Shkurt” synon t’u tregojë të rinjve rreziqet reale të përfshirjes në paligjshmëri dhe të promovojë alternativa pozitive. Pjesë e kësaj nisme janë bërë edhe figura publike si kampionia Luiza Gega, si dhe aktorë, influencues dhe gazetarë, me qëllim përcjelljen e mesazheve ndërgjegjësuese tek brezi i ri, transmeton rtsh.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB