Bernë, Zvicër – Me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe një prej momenteve më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar, Ambasadori i Maqedonisë së Veriut në Konfederatën Helvetike, Shkëlqesia e Tij Rexhep Demiri, ka përcjellë një mesazh të ngrohtë urimi për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë.

Në urimin e tij zyrtar, ambasadori Demiri vlerësoi rëndësinë historike dhe simbolike të kësaj date, duke e cilësuar si një “ditë të shenjtë të identitetit dhe sakrificave kombëtare”. Ai theksoi se 28 Nëntori shënjon momente kyçe në procesin e shtetformimit dhe në përpjekjet e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi.
“Të nderuar bashkëatdhetarë, kjo datë simbolizon momente themelore në konsolidimin e identitetit tonë kombëtar dhe në përpjekjet e popullit shqiptar për liri, pavarësi dhe shtetformim,” u shpreh ambasadori, duke kujtuar vizionin, vendosmërinë dhe sakrificat e brezave që kontribuan në rrugëtimin historik të kombit.
Ai nënvizoi gjithashtu se 28 Nëntori përbën një çast reflektimi dhe krenarie mbarëkombëtare, i cili duhet të shërbejë si frymëzim për forcimin e unitetit dhe avancimin e interesave strategjike të shqiptarëve kudo ku ndodhen.
“Urime 28 Nëntori për të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen!”, përfundon mesazhi i ambasadorit Demiri.
Ky urim vjen në një atmosferë festive për mbarë kombin shqiptar, i cili çdo vit më 28 Nëntor përkujton aktin historik të shpalljes së Pavarësisë në Vlorë në vitin 1912 dhe ngre lart simbolet e identitetit kombëtar, transmeton helveticALforum.ch




