POSTIMET E FUNDIT

Ambasadori i Kosovës në Zvicër: Ende nuk dihet nëse ka shqiptarë mes viktimave të zjarrit në autobusin në Fribourg

Një ngjarje e rëndë ka tronditur kantonin Fribourg të Zvicrës mbrëmjen e djeshme, pasi një autobus me udhëtarë u përfshi nga flakët në qendër të Kerzers. Sipas mediave zvicerane, gjashtë persona kanë humbur jetën si pasojë e zjarrit, ndërsa disa të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Incidenti ndodhi rreth orës 18:25, kur autobusi u përfshi papritur nga flakët, duke shkaktuar panik te pasagjerët dhe qytetarët që ndodheshin pranë vendit të ngjarjes. Shërbimet e emergjencës mbërritën me shpejtësi në vendin e ngjarjes dhe ndërhynë për të shuar zjarrin, si dhe për të ndihmuar të lënduarit.

Autoritetet zvicerane kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e incidentit. Një nga pistat që po shqyrtohet është mundësia që zjarri të jetë shkaktuar qëllimisht, megjithatë ende nuk ka një konfirmim zyrtar për këtë.

Lidhur me rastin ka reaguar edhe ambasadori i Kosovës në Zvicër, Mentor Latifi, i cili deklaroi se aktualisht nuk ka informacione nëse në mesin e viktimave apo të lënduarve ka shtetas shqiptarë.

“Ende nuk kemi asnjë informacion zyrtar. Policia nuk i ka identifikuar viktimat”, tha shkurt Latifi.

Ndërkohë, në rrjetet sociale kanë qarkulluar disa video nga momentet e zjarrit, ku shihet autobusi i përfshirë nga flakë të mëdha. Në sfond dëgjohen edhe britma të qytetarëve, si dhe biseda në gjuhën shqipe nga persona që ndodheshin pranë vendit të ngjarjes.

Në një prej videove dëgjohet një qytetar duke thënë: “Nuk e di bre, po thonë se një njeri e ka kallë veten”.

Autoritetet pritet të dalin me informacione të reja pasi të përfundojnë identifikimin e viktimave dhe hetimet paraprake për shkaqet e kësaj tragjedie./BS

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB