Siç mëson helveticALforum.ch, Ambasadori i Republikës së Kosovës në Japoni, Shkëlqesia e Tij Prof. Dr. Sabri Kiçmari, ka zhvilluar një takim miqësor me Guvernatorin e Prefekturës së Fukushimës, z. Masao Uchibori, gjatë një pritjeje të organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Japonisë në bashkëpunim me autoritetet e Prefekturës së Fukushimës.
Në këtë takim, Ambasadori Kiçmari vlerësoi lart mikpritjen dhe bisedën e hapur me Guvernatorin Uchibori, duke rikujtuar një nga momentet më të vështira në historinë moderne të Japonisë. Më 11 mars 2011, Prefektura e Fukushimës u godit rëndë nga një tërmet shkatërrues me magnitudë 9.0, i pasuar nga cunami dhe aksidenti në centralin bërthamor, duke shkaktuar pasoja të mëdha njerëzore, materiale dhe infrastrukturore.
Pesëmbëdhjetë vjet pas kësaj tragjedie, Fukushima sot përfaqëson një shembull të jashtëzakonshëm të rindërtimit, qëndrueshmërisë dhe përkushtimit institucional. Sipas Ambasadorit Kiçmari, një numër i konsiderueshëm banorësh janë kthyer në zonat e tyre, ndërsa produktet vendore i nënshtrohen standardeve më të larta të sigurisë dhe nuk paraqesin asnjë rrezik nga radioaktiviteti.
Rritja e vazhdueshme e numrit të vizitorëve në Prefekturën e Fukushimës shihet si dëshmi e qartë se e ardhmja e këtij rajoni po ndërtohet me kujdes, elegancë dhe vendosmëri karakteristike japoneze.
Gjatë takimit, Ambasadori Kiçmari dhe Guvernatori Uchibori shkëmbyen mendime edhe për mundësitë konkrete të bashkëpunimit ndërmjet Prefekturës së Fukushimës dhe rajoneve të Kosovës, duke hapur rrugë për iniciativa të reja bashkëpunimi në fusha me interes të ndërsjellë.
Ky takim, siç raporton helveticALforum.ch, përforcon më tej marrëdhëniet miqësore ndërmjet Kosovës dhe Japonisë, si dhe dëshmon përkushtimin e institucioneve kosovare për thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.




