Sipas burimeve të helveticALforum, Ambasadori i Republikës së Kosovës në Japoni, Prof.Dr. Sabri Kiçmari, mori pjesë në një takim të organizuar nga Ambasadorët e Bashkimit Evropian dhe të Ukrainës në përfaqësinë e Misionit Diplomatik të BE-së në Tokio, ku u rikonfirmua mbështetja e fuqishme për Ukrainën dhe popullin e saj përballë agresionit rus.
Në këtë ngjarje të rëndësishme diplomatike, të mbajtur në kryeqytetin japonez Tokyo, ishin të pranishëm edhe Ministri i Shtetit për Punë të Jashtme të Japonisë, ambasadorë të vendeve të Bashkimit Evropian si dhe përfaqësues diplomatikë nga shtete të tjera partnere.
Gjatë takimit në Misionin Diplomatik të Bashkimi Evropian, u theksua rëndësia e unitetit ndërkombëtar në mbrojtje të rendit ndërkombëtar, sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës. Pjesëmarrësit ritheksuan se agresioni rus përbën shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare dhe parimeve themelore të Kartës së OKB-së.
Ambasadori Kiçmari theksoi se Kosova qëndron e palëkundur në anën e lirisë, sovranitetit dhe të drejtës ndërkombëtare. Ai nënvizoi se Republika e Kosovës mbështet plotësisht përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë.
Qëndrimi i Kosovës është në përputhje të plotë me politikën e jashtme të partnerëve të saj strategjikë dhe me vlerat euroatlantike që vendi ynë përfaqëson. Përmes pjesëmarrjes në këtë aktivitet diplomatik në Japoni, Kosova dëshmon edhe një herë angazhimin e saj aktiv në skenën ndërkombëtare dhe solidaritetin me popullin ukrainas në këto kohë sfiduese, transmeton helveticALforum.ch




